You are here: Faqja E PareLegjislacioni ShqipetarKodet e ShqiperiseLIGJ Nr.10 488, datë 5.12.2011


LIGJ Nr.10 488, datë 5.12.2011

LIGJ Nr.10 488, datë 5.12.2011

PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.8378, DATË 22.7.1998

“KODI RRUGOR I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR

 

Në mbështetje të neneve 81 pika 2 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDI

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

VENDOSI:

 

Neni 1

Kudo në ligjin nr.8378, datë 22.7.1998 “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, i

ndryshuar, fjalët “Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve” zëvendësohen me fjalët “Autoriteti Rrugor

Kombëtar”.

 

Neni 2

Në nenin 115, pika 11 ndryshohet si më poshtë:

“11. Cilido që, duke zotëruar materialisht një mjet, ia beson ose ia jep ta drejtojë një

personi të papajisur me lejedrejtimi, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga njëzet e pesë

mijë deri në njëqind mijë lekë dhe me pezullimin e lejedrejtimit për një vit. Kjo masë nuk zbatohet

për zotëruesin material të mjetit kur ai ka bërë njoftim apo denoncim të administruar në organet e

policisë për humbje, marrje (vjedhje) apo grabitje të mjetit.”.

 

Neni 3

Pas nenit 117, shtohet neni 117/1 me këtë përmbajtje:

“Neni 117/1

Kufizime për drejtuesit e motomjeteve

1. Zotëruesit e lejedrejtimeve vendase të grupit “A” për tre vitet e para pas marrjes së

lejedrejtimit nuk u lejohet drejtimi i motomjeteve me fuqi prej 25kw specifike referuar ngarkesës,

ose 0,16 kw/kg.

2. Në Rregulloren e Zbatimit të Kodit Rrugor përcaktohen modalitetet e shënimit në lejen e

qarkullimit të kufizimeve të parashikuara në pikën 1 të këtij neni. Në mënyrë të njëjtë vendosen

normat për mjetet në qarkullim nga data e hyrjes në fuqi e këtij Kodi.

3. Kufizimet për drejtimin e mjetit janë automatike dhe fillojnë nga data e kalimit të

provimeve teorike dhe provave respektive për marrjen e lejedrejtimit, sipas nenit 119 të këtij Kodi.

4. Zotëruesi i lejedrejtimit shqiptar, i cili në tri vitet e para të marrjes së lejedrejtimit

qarkullon duke i tejkaluar limitet e shpejtësisë së mjeteve të përcaktuara në këtë nen, është subjekt i

sanksionit administrativ të veçantë me gjobë në vlerën nga një mijë deri në tre mijë lekë. Shkelja e

mësipërme përveç masës administrative me gjobë ndëshkohet edhe me masën plotësuese të

pezullimit të lejedrejtimit nga dy deri në tetë muaj në zbatim edhe të kërkesave të nenit 140 të këtij

Kodi.”.

 

Neni 4

Pas nenit 120 shtohet neni 120/1 me këtë përmbajtje:

“Neni 120/1

Lejedrejtimi me pikë

1. Me aktin e dhënies së lejedrejtimit jepet, gjithashtu, një sasi prej njëzet pikësh për çdo

drejtues mjeti. Kjo sasi pikësh, e shënuar në regjistrin kombëtar të personave të aftësuar për

drejtimin e mjeteve, të parashikuar në nenet 220 dhe 221 të këtij Kodi, më poshtë regjistri kombëtar,

pëson shkurtime (zbritje), në masën e treguar në tabelën e pikëve, në bazë të njoftimeve për shkeljet

e normave të sjelljes, për të cilat është parashikuar një sanksion administrativ plotësues i pezullimit

të lejedrejtimit, parashikuar në kapitullin V të këtij Kodi. Tregimi i sasisë së pikëve është i lidhur

me çdo shkelje dhe duhet të rezultojë nga procesverbali i konstatimit të shkeljes i agjentëve

verifikues.

2. Në rastin kur konstatohen njëkohësisht më shumë se një shkelje e normave të sjelljes, në

zbatim të kërkesave të pikës 1 të këtij neni, mund të zbriten maksimumi deri 15 pikë. Dispozitat e

kësaj pike nuk zbatohen në rastet, në të cilat është parashikuar pezullimi ose revokimi (heqja) e

lejedrejtimit.

3. Organi nga i cili varet agjenti verifikues që ka konstatuar shkeljen, e cila sjell nga ana e

saj humbjen e pikëve, brenda 30 ditëve dërgon njoftimin zyrtar për shkeljen e kryer në regjistrin

kombëtar. Konstatimi quhet i plotë dhe përfundimtar kur është kryer pagesa për masën administrative

me gjobë, ose kanë përfunduar proceduarat e ankimimit administrativ dhe gjyqësor, ose në rast të

mosankimimit kanë përfunduar afatet për këtë ankimim. Afati i mësipërm prej 30 ditësh mbaron me

njoftimin që merr organi i policisë për pagesën e sanksionit, me skadimin e afateve të ankimimeve

ose rekurseve, si dhe me përfundimin e rekurseve të mësipërme. Njoftimi duhet të kryhet në

ngarkim të drejtuesit të mjetit përgjegjës për shkeljen e kryer. Në rastin e mosidentifikimit të këtyre

të fundit, pronari i mjetit, si edhe personat e tjerë solidarë me të, në zbatim të kërkesave të nenit 194

të këtij Kodi, brenda 60 ditëve nga data e verifikimit të shkeljes, duhet t’i japin organit të policisë,

që procedon me rastin, të dhënat personale dhe të lejedrejtimit të drejtuesit të mjetit të pranishëm në

çastin e kryerjes së shkeljes. Nëse pronari i mjetit rezulton një person juridik, përfaqësuesi i tij

ligjor ose persona të ngarkuar prej tij janë të detyruar t’i japin të dhënat e mësipërme brenda së

njëjtës periudhë organit të policisë që procedon me rastin përkatës. Pronari i mjetit ose personat e

tjerë solidarë me të, në zbatim të kërkesave të nenit 194 të këtij Kodi, qofshin këta persona fizikë

ose juridikë, që nuk tregojnë pa justifikim dhe motiv të dokumentuar, të dhënat e kërkuara janë

subjekt i sanksionit administrativ me masë me gjobë në vlerën nga dy mijë e pesëqind deri në shtatë

mijë e pesëqind lekë. Komunikimi i të dhënave nëpërmjet organeve të policisë dhe Drejtorisë së

Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor kryhet nëpërmjet rrugëve telematike dhe

komunikimit të zakonshëm zyrtar.

4. Çdo ndryshim i sasisë së pikëve u komunikohet të interesuarve nga ana e regjistrit

kombëtar. Çdo drejtues mjeti mund të kontrollojë në kohë reale gjendjen e lejedrejtimit të tij, sipas

modaliteteve të treguara dhe të përcaktuara nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të

Transportit Rrugor.

5. Përveç në rast të humbjes së plotë të pikëve, të parashikuar në pikën 6 të këtij neni,

mungesa e shkeljes së një neni të normave të sjelljes, e cila mund të çojë në zbritje pikësh, për një

periudhë prej dy vjetësh, përcakton dhënien e kompletit të plotë të pikëve fillestare prej njëzet

pikësh. Për mbajtësit e lejedrejtimit me të paktën njëzet pikë, mungesa e shkeljes së një rregulli të

sjelljes, e cila mund të çojë në zbritje pikësh, për një periudhë prej dy vjetësh, përcakton dhënien

e një krediti prej dy pikësh deri në një maksimum prej dhjetë pikësh.

6. Me humbjen totale të pikëve, mbajtësi i lejedrejtimit duhet t'i nënshtrohet një provimi

të kualifikimit teknik të përmendur në nenin 128 të këtij Kodi. Të njëjtit provim duhet t’i

nënshtrohet mbajtësi i lejedrejtimit, i cili pas njoftimit të shkeljes së parë, që përfshin një humbje

prej të paktën pesë pikësh, kryen edhe dy shkelje të tjera brenda dymbëdhjetë muajve nga data e

shkeljes së parë, që kanë të bëjnë me shkurtim të paktën prej pesë pikësh secila. Në rast se mbajtësi

i lejedrejtimit nuk u nënshtrohet verifikimeve të rinovimit të lejedrejtimit, siç parashikohet nga

regjistri kombëtar, brenda tridhjetë ditëve nga njoftimi i vendimit për ta rinovuar atë, leja e drejtimit

pezullohet pa afat, me akt të veçantë të zyrës respektive të regjistrit kombëtar pranë Drejtorisë së

Përgjithshme të Transportit Rrugor. Urdhri për pezullimin e mbajtësit të lejedrejtimit i njoftohet

organit të Policisë Rrugore, të parashikuar në nenin 12 të këtij Kodi, i cili procedon për tërheqjen

dhe ruajtjen e dokumentit të lejedrejtimit.

7. Për shkeljet që përbëjnë vepër penale dhe për të cilat gjykata merr vendim, kjo e fundit,

brenda 15 ditëve nga data e shpalljes së vendimit, i dërgon një kopje të vendimit organit verifikues.

Organi verifikues, në rastet kur vendimi parashikon dhe ulje të pikëve të lejedrejtimit, brenda 30

ditëve nga marrja e njoftimit, e dërgon atë në regjistrin kombëtar. Tabela e pikëve, sipas këtij neni,

miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave.”.

 

Neni 5

Neni 121 ndryshohet si më poshtë:

“Neni 121

Autoshkollat

1. Shkollat për edukimin rrugor, instruktimin dhe formimin e drejtuesve të mjeteve quhen

autoshkolla dhe ushtrohen si aktivitet i lirë privat. Licencimi i tyre bëhet sipas ligjit nr.10 081, datë

23.2.2009 “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, duke

respektuar kriteret teknike dhe profesionale. Rregullat dhe detyrimet për funksionimin e

autoshkollës, kapacitetin minimal financiar të nevojshëm, kërkesat e përshtatshmërisë për mësuesit

dhe instruktorët e autoshkollave për drejtues mjeti, kushtet për lokalet dhe pajisjet didaktike që

mundësojnë zhvillimin normal të provimeve dhe garantojnë kohëzgjatjen e kurseve, përcaktohen me

akte nënligjore të nxjerra në zbatim të këtij Kodi nga ministri përgjegjës për transportin rrugor.

2. Mbikëqyrja administrative dhe teknike e veprimtarisë së autoshkollave ushtrohet nga

strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, në bazë të akteve të

nxjerra nga ministria që mbulon veprimtarinë.

3. Veprimtaria e autoshkollës pezullohet nga strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të

Shërbimeve të Transportit Rrugor për një periudhë nga 1 deri në 3 muaj, kur:

a) veprimtaria nuk zhvillohet rregullisht;

b) titullari nuk merr masa për zëvendësimin e mësuesve dhe të instruktorëve, që janë

vlerësuar të papërshtatshëm nga strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit

Rrugor;

c) titullari nuk respekton urdhrat e dhënë nga strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të

Shërbimeve të Transportit Rrugor, për të rregulluar funksionimin e autoshkollës;

ç) bëhet transferimi i mjediseve të autoshkollës pa lejen e strukturave të Drejtorisë së

Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.

4. Licenca anulohet nga organi që e ka lëshuar, pas kërkesës së Drejtorisë së Përgjithshme

të Shërbimeve të Transportit Rrugor, kur:

a) mungon kapaciteti financiar dhe nuk plotësohen më kërkesat morale;

b) mungojnë pajisjet teknike dhe didaktike;

c) janë zbatuar 2 masa pezullimi të veprimtarisë brenda 2 vjetëve;

ç) veprimtaria nuk fillon brenda 60 ditëve kalendarike nga data e lëshimit të licencës.

5. Programet e provimeve për marrjen e lejedrejtimit hartohen nga organi që lëshon

lejedrejtimin.

6. Trajnimi për dhënien e ndihmës së shpejtë mjekësore në rast aksidenti bëhet sipas

udhëzimit të përbashkët të ministrit përgjegjës për transportin dhe ministrit përgjegjës për

shëndetësinë.

7. Cilido, që administron një autoshkollë pa licencën përkatëse, sipas kategorive të lejeve të

mjeteve përkatëse, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga pesëdhjetë mijë deri në dyqind

mijë lekë. Kjo shkelje mund të ndëshkohet edhe me masën administrative plotësuese të mbylljes së

menjëhershme të autoshkollës dhe të pushimit të veprimtarisë.

8. Cilido, që jep mësimin e teorisë ose instrukton drejtimin e mjeteve të autoshkollës, pa

qenë i pajisur me dëshminë e aftësisë, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga dhjetë mijë

deri në dyzet mijë lekë, si dhe me mbylljen e menjëhershme të autoshkollës dhe pushimin e

veprimtarisë.”.

 

Neni 6

Në nenin 127 bëhen ndryshimet si më poshtë:

1. Pika 3 ndryshohet si më poshtë:

“3. Lejedrejtimi pezullohet nga organi epror i agjentit të policisë që ka tërhequr

lejedrejtimin dhe, për lejedrejtimet e lëshuara nga një shtet i huaj, nga Institucioni i Prefektit, në

juridiksionin e të cilit është konstatuar shkelja, sipas pikës 1 të këtij neni. Prefekti, brenda 5 ditëve,

njofton organin e Policisë Rrugore për vendimin e marrë, duke i dërguar atë së bashku me

lejedrejtimin. Organi i Policisë Rrugore përgjigjet për administrimin e dokumentacionit dhe

dërgimin e tyre, brenda 5 ditëve, në Drejtorinë Konsullore të Ministrisë së Jashtme.”.

2. Pika 4 shfuqizohet.

 

Neni 7

Në nenin 140 bëhen ndryshimet si më poshtë:

1. Pika 7 ndryshohet si më poshtë:

“7. Cilido, që nuk respekton kufijtë minimalë të shpejtësisë ose kalon kufijtë maksimalë të

shpejtësisë me jo më shumë se 10 km/orë, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga një

mijë deri në tre mijë lekë.”.

2. Pika 8 ndryshohet si më poshtë:

“8. Cilido, që tejkalon kufijtë e shpejtësisë me më shumë se 10 km/orë dhe jo me më shumë

se 20 km/orë, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga dy mijë deri në gjashtë mijë

lekë.”.

3. Pika 9 ndryshohet si më poshtë:

“9. Cilido, që tejkalon kufijtë e shpejtësisë me më shumë se 20 km/orë, ndëshkohet me

masë administrative, me gjobë nga pesë mijë deri në pesëmbëdhjetë mijë lekë. Si pasojë e kësaj

shkeljeje merret masa administrative plotësuese me pezullimin e lejedrejtimit nga 1 deri në 3 muaj.

Në qoftë se shkelja është kryer nga një drejtues mjeti, që e zotëron lejedrejtimin prej më pak se 3

vjetësh, pezullimi i lejedrejtimit bëhet për 3 deri në 6 muaj.”.

4. Pika 10 ndryshohet si më poshtë:

“10. Cilido, që shkel dispozitat e pikës 4 të këtij neni, ndëshkohet me masë administrative,

me gjobë nga pesëqind deri në një mijë e pesëqind lekë.”.

 

Neni 8

Në nenin 141 bëhen ndryshimet si më poshtë:

1. Në pikën 10, fjalia e parë ndryshohet si më poshtë;

“10. Cilido që qarkullon kundërvajtje në kthesat, në rakordimet konvekse ose në ndonjë

rast tjetër me fushëpamje të kufizuar, ose që e përshkon karrexhatën kundërvajtje, kur rruga është e

ndarë në disa karrexhata të veçanta, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dy mijë deri

në gjashtë mijë lekë.”.

2. Pika 11 ndryshohet si më poshtë:

“11. Cilido që shkel dispozitat e tjera të këtij neni, ndëshkohet me masë administrative, me

gjobë nga një mijë deri në tre mijë lekë.”.

 

Neni 9

Në nenin 142, pika 4 ndryshohet si më poshtë:

“4. Cilido, që shkel dispozitat e këtij neni, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë

nga një mijë deri në tre mijë lekë.”.

 

Neni 10

Në nenin 143 bëhen ndryshimet si më poshtë:

1. Në pikën 2, në fund shtohen fjalët “ose në rrethrrotullim, ku përparësia është e atij që

lëviz në rrethrrotullim”.

2. Pika 10 ndryshohet si më poshtë:

“10. Cilido, që shkel dispozitat e këtij neni, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë

nga një mijë deri në tre mijë lekë.”.

 

Neni 11

Në nenin 144, pika 2 ndryshohet si më poshtë:

“2. Cilido, që nuk sillet në mënyrën e treguar nga sinjalizimi rrugor ose sipas normave

përkatëse të akteve në zbatim, si dhe sipas orientimit të policit të trafikut, ndëshkohet me masë

administrative, me gjobë nga një mijë deri në tre mijë lekë. Janë përjashtuar masat e veçanta, të

parashikuara në nenet 6 dhe 7 të këtij Kodi.”.

 

Neni 12

Në nenin 145, pika 5 ndryshohet si më poshtë:

“5. Cilido, që shkel dispozitat e këtij neni, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë

nga një mijë deri në tre mijë lekë.”.

 

Neni 13

Në nenin 146 bëhen ndryshimet si më poshtë:

1. Pika 15 ndryshohet si më poshtë:

“15. Cilido që kryen një parakalim pa zbatuar dispozitat e pikave 2, 3, 4, 5 e 8 të këtij neni,

ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga një mijë deri në tre mijë lekë.”.

2. Fjalia e parë dhe e dytë e pikës 16 ndryshohen si më poshtë:

“16. Cilido që nuk zbaton ndalimet e parakalimit, sipas pikave 9, 10, 11, 12 dhe 13 të këtij

neni ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga një mijë deri në tre mijë lekë. Kur nuk

zbatohen ndalimet e parakalimit, sipas pikës 14 të këtij neni, masa administrative është me gjobë nga

dy mijë deri në gjashtë mijë lekë.”.

 

Neni 14

Në nenin 147, pika 4 ndryshohet si më poshtë:

“4. Cilido, që shkel dispozitat e këtij neni, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë

nga një mijë deri në tre mijë lekë.”.

 

Neni 15

Në nenin 150, pika 3 ndryshohet si më poshtë:

“3. Cilido, që shkel dispozitat e këtij neni, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë

nga një mijë deri në tre mijë lekë.”.

 

Neni 16

Në nenin 151, pika 11 ndryshohet si më poshtë:

“11. Cilido që shkel dispozitat e tjera të këtij neni ose përdor në mënyrë të gabuar sistemet e

sinjalizimit me ndriçim, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga një mijë deri në tre mijë

lekë.”.

 

Neni 17

Në nenin 152, pika 7 ndryshohet si më poshtë:

“7. Cilido, që shkel dispozitat e këtij neni, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë

nga një mijë deri në tre mijë lekë.”.

 

Neni 18

Në nenin 156, pika 6 ndryshohet si më poshtë:

“6. Cilido, që shkel dispozitat e këtij neni, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë

nga një mijë deri në tre mijë lekë.”.

 

Neni 19

Në nenin 157 pika 1, pas shkronjës “d” shtohet shkronja “dh” me këtë përmbajtje:

“dh) në të gjitha rastet e përmendura më lart në këtë nen, heqja e mjeteve bëhet vetëm kur

ka tabelë sinjalizuese me shenjën përkatëse.”.

 

Neni 20

Në nenin 160, pika 5 ndryshohet si më poshtë:

“5. Cilido, që shkel dispozitat e këtij neni, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë

nga një mijë deri në tre mijë lekë.”.

 

Neni 21

Në nenin 162, pika 8 ndryshohet si më poshtë:

“8. Cilido që shkel dispozitat e pikave të mësipërme të këtij neni, ndëshkohet me masë

administrative, me gjobë nga një mijë deri në tre mijë lekë.”.

 

Neni 22

Në nenin 163, pika 3 ndryshohet si më poshtë:

“3. Cilido që shkel dispozitat e këtij neni ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga

një mijë deri në tre mijë lekë.”.

 

Neni 23

Në nenin 167 bëhen këto ndryshime:

1. Pika 7 ndryshohet si më poshtë:

“7. Cilido, që drejton mjete ose trolejbusë të destinuar për transportin e njerëzve, duke

përjashtuar autoveturat, që kanë një numër pasagjerësh dhe një ngarkesë të përgjithshme më të

madhe se vlerat maksimale të treguara në lejeqarkullimet, si dhe që transportojnë një numër

pasagjerësh më të madh nga ai i treguar në lejeqarkullimin, ndëshkohet me masë administrative, me

gjobë nga dy mijë deri në gjashtë mijë lekë.”.

2. Pika 9 ndryshohet si më poshtë:

“9. Cilido, që shkel dispozitat e mësipërme, kur bëhet fjalë për autovetura, ndëshkohet me

masë administrative, me gjobë nga dy mijë deri në gjashtë mijë lekë.”.

3. Pika 10 ndryshohet si më poshtë:

“10. Cilido, që shkel dispozitat e treguara në pikën 6 të këtij neni, ndëshkohet me masë

administrative, me gjobë nga një mijë deri në tre mijë lekë.”.

 

Neni 24

Në nenin 169, pika 2 ndryshohet si më poshtë:

“2. Cilido, që shkel dispozitat e këtij neni, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë

nga pesëqind deri në një mijë e pesëqind lekë. Kur shkeljen e kryen një pasagjer me moshë

jomadhore, përgjegjësinë e mban drejtuesi i mjetit.”.

 

Neni 25

Në nenin 170, pika 8 ndryshohet si më poshtë:

“8. Cilido, që nuk përdor rripat e sigurisë dhe sistemet e fiksimit, të parashikuara për

pasagjerët deri në 12 vjeç, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga pesëqind deri në një

mijë e pesëqind lekë. Kur shkelja i takon një fëmije në moshë jomadhore, përgjegjësia bie mbi

drejtuesin e mjetit ose, kur ndodhet në çastin e kryerjes së shkeljes, mbi atë që është ngarkuar me

mbikëqyrjen e kësaj fëmije.”.

 

Neni 26

Në nenin 171, pika 3 ndryshohet si më poshtë:

“3. Cilido, që shkel dispozitat e këtij neni, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë

nga pesëqind deri në një mijë e pesëqind lekë.”.

 

Neni 27

Në nenin 177 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Pikat 1, 2 e 3 ndryshohen si më poshtë:

“1. Mjetet duhet të qarkullojnë të pajisura me tahograf, në përputhje me përcaktimet e bëra

në aktin nënligjor të Këshillit të Ministrave, për karakteristikat, për rastet dhe për mënyrat e

përdorimit.

2. Cilido, që qarkullon me një mjet të papajisur me tahograf, në rastet kur është parashikuar

pajisja me të apo kur është pajisur me një tahograf, që nuk i ka karakteristikat në përputhje me ato

të përcaktuara në aktin nënligjor të Këshillit të Ministrave, apo kur tahografi nuk funksionon, ose

kur nuk është futur letra e regjistrimit apo karta e tahografit të drejtuesit, ndëshkohet me masë

administrative, me gjobë nga tridhjetë mijë deri në njëqind e njëzet mijë lekë. Masa ndëshkimore me

gjobë dyfishohet, kur janë prekur vulat ose është ndryshuar tahografi.

3. Mbajtësi i licencës ose i autorizimit për transport mallrash apo personash, që vë në

qarkullim një mjet të papajisur me tahograf ose pa fletët e tij të regjistrimit apo pa letër printeri ose

pa kartën e tahografit të drejtuesit apo me tahograf të prekur ose që nuk funksionon, ndëshkohet me

masë administrative me gjobë nga tridhjetë mijë deri në njëqind e njëzet mijë lekë.”.

2. Pas pikës 6 shtohet pika 6/1 me këtë përmbajtje:

“6/1. Kur ekzistojnë prova se tahografi është prekur apo ndryshuar ose në rastin kur ai është

jashtë funksionit, organet e kontrollit, sipas nenit 12 të këtij Kodi, duke e shoqëruar automjetin ose

duke e tërhequr, në kushte sigurie, pranë ofiçinës më të afërt të autorizuar për instalime apo

riparime, urdhërojnë verifikimin e funksionimit të kësaj pajisjeje. Shpenzimet për verifikimin dhe

rivendosjen e funksionimit të tahografit janë, në çdo rast, në ngarkim të pronarit të automjetit apo të

mbajtësit të licencës ose të autorizimit për transport mallrash apo personash së bashku.”.

3. Fjalia e dytë e pikës 7 ndryshohet si më poshtë:

“Kur drejtuesi i mjetit dhe mbajtësi i lejes së transportit nuk janë i njëjti person, periudha e

mësipërme, nga data e marrjes së shënimit në procesverbal, mund të zgjatet në përputhje me

periudhën, që parashikohet në aktin nënligjor të Këshillit të Ministrave.”.

4. Pas pikës 10 shtohet pika 11 me këtë përmbajtje:

“11. Ofiçinat e tahografit e ushtrojnë veprimtarinë e tyre për instalimin, aktivizimin e

kalibrimit, inspektimin dhe riparimin, në përputhje me udhëzimin e ministrit përgjegjës për

transportin. Shkelja e dispozitave të përcaktuara për këtë veprimtari nga ofiçinat e tahografit dënohet

me gjobë nga pesëmbëdhjetë mijë deri në njëqind mijë lekë.

Kur vërtetohen tri shkelje, sipas kësaj pike, brenda një viti, vlera e gjobës dyfishohet dhe,

në rast përsëritjeje, ofiçinës i hiqet e drejta e ushtrimit të veprimtarisë, të paktën, për një vit.”.

 

Neni 28

Në nenin 178 bëhen ndryshimet si më poshtë:

1. Pika 1 ndryshohet si më poshtë:

“1. Për të qarkulluar me mjete me motor, drejtuesi i mjetit duhet të ketë me vete këto

dokumente:

a) lejeqarkullimin;

b) lejedrejtimi të vlefshëm për kategorinë përkatëse të mjetit;

c) autorizimin për ushtrimin e drejtimit të mjetit që i korrespondon kategorisë së mjetit për

të cilin ushtrohet, sipas shkronjës “b” të kësaj pike, si dhe një dokument identifikimi;

ç) dokumentin që vërteton kontrollin teknik për mjetet e transportit rrugor;

d) certifikatën e sigurimit të detyruar;”.

2. Pika 3 ndryshohet si më poshtë:

“3. Drejtuesi i mjetit duhet të ketë me vete edhe autorizimin ose lejen e transportit, kur mjeti

shfrytëzohet në një nga përdorimet e parashikuara në nenet 81 deri 84 të këtij Kodi.”.

 

Neni 29

Neni 184 ndryshohet si më poshtë:

 

“Neni 184

Drejtimi i mjetit nën ndikimin e alkoolit

1. Është i ndaluar drejtimi i mjeteve në gjendje të dehur, si pasojë e përdorimit të pijeve

alkoolike.

2. Është i ndaluar drejtimi i mjeteve pas përdorimit të pijeve alkoolike dhe nën ndikimin e

alkoolit.

3. Cilido që drejton një mjet nën ndikimin e alkoolit, ndëshkohet me gjobë nga pesë mijë

deri në pesëmbëdhjetë mijë lekë. Pas verifikimit të shkeljes zbatohet masa administrative e

pezullimit të lejedrejtimit nga gjashtë muaj deri në një vit dhe nga një vit deri në dy vjet, kur

subjekti e përsërit shkeljen brenda një viti.

4. Kur shkelja e mësipërme, e kryer në përsëritje nga drejtuesi i një autobusi ose nga

drejtuesi i një mjeti, masa komplet e ngarkesës së të cilit është më e madhe se 3,5 tonë (ose

kompleks mjetesh), përveç masave të gjobës, për drejtuesit e mjeteve të sipërcituara zbatohet masa

plotësuese e heqjes së lejedrejtimit sipas procedurave të parashikuara në nenin 215 të këtij Kodi.

5. Kur mjeti nuk mund të drejtohet nga një njeri tjetër i përshtatshëm, mund të tërhiqet deri

në vendin e treguar nga i interesuari, ose në ofiçinën më të afërt dhe lihet nën kujdesin e pronarit

ose të administratorit me garancitë normale për ruajtjen e mjetit.

6. Me qëllim kontrollin e drejtuesve të mjeteve të parashikuara në pikën 4 të këtij neni,

organet e Policisë Rrugore, për të cilat flitet në nenin 12 pikat 1 dhe 2 të këtij Kodi, duke respektuar

kushtet e privatësisë personale, i vendosin drejtuesit e mjeteve nën kontrolle kualifikuese nëpërmjet

aparaturave alkooltestuese.

7. Kur nga verifikimet kualifikuese, në zbatim të pikës 6 të këtij neni, rezulton përfundim

pozitiv, dhe në të gjitha rastet e aksidenteve rrugore, ose kur ekzistojnë motivet që drejtuesi i mjetit

është në gjendje jonormale psikofizike, si rezultat i ndikimit të përdorimit të pijeve alkoolike,

organet e Policisë Rrugore, për të cilat flitet në nenin 12 pikat 1 dhe 2 të këtij Kodi, kanë të drejtë të

kryejnë verifikimet përkatëse, duke bërë shoqërimin e drejtuesit të mjetit në zyrën ose komandën më

të afërt.

8. Për drejtuesit e mjeteve të përfshira në aksidente rrugore, të dëmtuar dhe që u janë

nënshtruar ndërhyrjeve mjekësore, verifikimi i nivelit alkoolik kryhet detyrimisht me kërkesë të

organeve të Policisë Rrugore, në zbatim të kërkesave të nenit 12 pikat 1 dhe 2 të këtij Kodi, nga ana

e strukturave shëndetësore ose atyre të akredituara për këtë qëllim. Strukturat shëndetësore u

lëshojnë organeve të Policisë Rrugore ose të Policisë Gjyqësore, sipas rastit, certifikatën përkatëse,

në zbatim të kushteve të privatësisë, për dëmtimet kryesore të verifikuara, për përdorimin ose jo të

alkoolit, si dhe nivelin e alkoolit në gjak.

9. Kur nga verifikimet e parashikuara në pikat 6 dhe 7 të këtij neni rezulton një vlerë, që i

korrespondon një niveli alkoolik më shumë se 0,5 gram për litër (g/l), drejtuesi i mjetit konsiderohet

në gjendje të dehur dhe i nënshtrohet sanksioneve të parashikuara në pikat 2 dhe 4 të këtij neni.

10. Në rastet e refuzimeve të verifikimeve dhe kontrolleve të parashikuara në pikat 6, 7 dhe

8 të këtij neni, drejtuesi i mjetit ndëshkohet me sanksionet e parashikuara në pikën 2 të këtij neni,

duke përjashtuar rastin kur fakti përbën vepër penale.

11. Kur nga verifikimet e parashikuara në pikat 6 dhe 7 të këtij neni rezulton një vlerë

alkoolike më e lartë se 1,5 gram për litër (g/l), duke konsideruar zbatimin e sanksioneve të

parashikuara në pikën 2 të këtij neni, organet e Policisë Rrugore mund të kërkojnë që drejtuesit e

mjeteve t’u nënshtrohen vizitave mjekësore për qëllimet e nenit 117 të këtij Kodi dhe mund të

vendosin pezullimin me afat të lejedrejtimit, pezullim i cili shtrihet derisa të rezultojnë pozitivisht

kontrollet e mëtejshme mjekësore.”.


Neni 30

Në nenin 185, pika 4 ndryshohet si më poshtë:

“4. Ndaj përdoruesve të lëndëve narkotike droguese ose psikotrope zbatohen dispozitat e

përcaktuara, sipas pikave 3, 5 e 10 të nenit 184 të këtij Kodi.”.

 

Neni 31

Në nenin 187 bëhen këto ndryshime:

1. Në pikën 1, fjalia e dytë shfuqizohet.

2. Pika 6 ndryshohet si më poshtë:

“6. Për cilindo që, në kushtet e treguara në pikën 1 të këtij neni, nuk zbaton detyrimin e

ndalimit në rast aksidenti, vetëm me dëme materiale, zbatohet masa administrative, me gjobë, nga

dy mijë deri në gjashtë mijë lekë dhe me pezullimin e lejedrejtimit nga 6 deri në 12 muaj.”.

3. Pika 10 ndryshohet si më poshtë:

“10. Cilido, që nuk zbaton dispozitat e pikave 2, 4 dhe 5 të këtij neni, ndëshkohet me masë

administrative, me gjobë nga dy mijë deri në gjashtë mijë lekë.”.

 

Neni 32

Në nenin 198, pas pikës 4 shtohet pika 5 me këtë përmbajtje:

“5. Në rastet kur përcaktimi i shkeljes bëhet me pajisje elektronike dhe automatike dixhitale

në akset rrugore ku janë vendosur tabela sinjalizuese, në procesverbalin e konstatimit të shkeljes

pasqyrohet argumentimi i shkeljes. Në aktet në zbatim përcaktohet modeli i procesverbalit dhe

procedurat përkatëse të plotësimit. Për njoftimin e shkeljes në këto raste zbatohen dispozitat e nenit

199 të këtij Kodi.”.

 

Neni 33

Në nenin 203, pika 2 ndryshohet si më poshtë:

“2. Në të gjitha rastet e parashikuara me gjobë, nëse arkëtimi i vlerës së gjobës nga

kundërvajtësi bëhet brenda 5 ditëve nga dita që vendimi ka marrë formë të prerë, gjoba ulet me 20

për qind të vlerës.”.

 

Neni 34

Neni 204 ndryshohet si më poshtë:

“Neni 204

Parashkrimi

Parashkrimi i së drejtës për vjeljen e shumave të detyruara nga masat administrative me

gjobë, për shkeljet e parashikuara nga ky Kod, rregullohet me ligjin nr. 10 279 datë 20.5.2010 “Për

kundërvajtjet administrative””.

 

Neni 35

Në nenin 209 bëhen ndryshimet si më poshtë:

1. Pika 2 ndryshohet si më poshtë:

“2. Organi i policisë, që vepron për sekuestrimin, bën lëvizjen e mjetit dhe e vendos atë në

ruajtje pranë degëve të Rezervave Materiale të Shtetit. Për këtë bëhet shënimi në procesverbalin e

ngarkimit të shkeljes.”.

2. Në pikën 4, pas fjalës “të shitet” shtohen fjalët “nga strukturat e Rezervave Materiale të

Shtetit”.

 

Neni 36

Në nenin 210, pikat 1 dhe 7 ndryshohen si më poshtë:

“1. Në rastet kur ky Kod parashikon masën plotësuese të ndalimit administrativ të mjetit, të

parashikuar në nenin 178 pika 1 shkronja “a”, nenin 203 dhe nenin 212 për tërheqjen e targës, të

këtij Kodi, organi i policisë që verifikon shkeljen, merr masa për ta ndërprerë qarkullimin dhe për ta

depozituar mjetin në vendin e caktuar të ruajtjes, sipas mënyrave të parashikuara nga aktet në zbatim

të këtij Kodi. Për këtë bëhet shënimi në procesverbalin e ngarkimit të shkeljes.

7. Në të gjitha rastet e tjera, kur ky Kod parashikon masën plotësuese të ndalimit

administrativ të mjetit, organi i policisë që verifikon shkeljen, tërheq lejen e qarkullimit dhe vepron

sipas kritereve të përcaktuara në nenin 212 të këtij Kodi.”.

 

Neni 37

Në nenin 211 pika 4, pas fjalës “shkatërrohet” shtohen fjalët “nga strukturat e Rezervave

Materiale të Shtetit”.

 

Neni 38

Dispozita kalimtare

Neni 120/1 “Lejedrejtimi me pikë” i këtij Kodi hyn në fuqi 18 muaj pas hyrjes në fuqi të

këtij ligji.

 

Neni 39

Aktet nënligjore

Ngarkohen Këshilli i Ministrave dhe ministri përgjegjës për transportin që, brenda 3 muajve

nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrin aktet nënligjore në zbatim të tij.

 

Neni 40

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Shpallur me dekretin nr.7190, datë 20.12.2011 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë,

Bamir Topi

Kontaktim i Shpejte

Ju mund te hyni ne lidhje direkte me ne. JU LUTEMI TI PERGJIGJENI DHE PYETJES TONE KJO PER EFEKTE SIGURIE.
Email:
Subject:
Message:
Sa kembe ka njeriu ?

Ne ndiqni ne Facebook