You are here: Faqja E PareLegjislacioni ShqipetarLigje e VendimeLigj Për mbrojtjen e deshmitareve dhe të bashkepunetoreve


Ligj Për mbrojtjen e deshmitareve dhe të bashkepunetoreve

L I GJ
Nr.9205, datë 15.3.2004
PËR MBROJTJEN E DËSHMITARËVE DHE TË BASHKËPUNËTORËVE TË DREJTËSISË
Në mbështetje të neneve 78 pika 1 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
K U V E N D I
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti i ligjit

Ky ligj rregullon masat e posaçme, mënyrën dhe procedurat e mbrojtjes së dëshmitarëve dhe të bashkëpunëtorëve të drejtësisë, si dhe organizimin, funksionimin, kompetencat dhe marrëdhëniet ndërmjet organeve të ngarkuara me propozimin, vlerësimin, miratimin dhe zbatimin e masave të posaçme të mbrojtjes.

Neni 2
Përkufizime
Për qëllim të këtij ligji, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. “Dëshmitar i drejtësisë” është personi, ndaj të cilit zbatohen masat e posaçme të mbrojtjes, i cili, në cilësinë e dëshmitarit ose të personit të dëmtuar, bën njoftime ose dëshmon për fakte e rrethana, që përbëjnë objekt prove në një procedim penal, për vepra penale të parashikuara në pikën 7 të këtij neni dhe që, për shkak të këtyre njoftimeve ose dëshmive, ndodhet në gjendje rreziku aktual, konkret dhe serioz.
2. “Bashkëpunëtor i drejtësisë” është personi, që vuan dënimin penal ose është i pandehur në një procedim penal, ndaj të cilit zbatohen masa të posaçme të mbrojtjes, për shkak të bashkëpunimit, njoftimeve dhe deklarimeve të bëra në procedime penale, për vepra penale të parashikuara në pikën 7 të këtij neni dhe që, për këto arsye, ndodhet në gjendje rreziku aktual, konkret dhe serioz.
3. “Persona të afërm” janë personat, që ndodhen në gjendje rreziku aktual, konkret dhe serioz për shkak të lidhjeve familjare, të gjinisë a krushqisë me dëshmitarin ose bashkëpunëtorin e drejtësisë, sipas përcaktimeve të nenit 16 të Kodit të Procedurës Penale dhe që, si rregull, banojnë ose bashkëjetojnë në mënyrë të qëndrueshme me ta.
4. “Persona të lidhur” janë ata persona që, për shkak të natyrës së marrëdhënieve konkrete që kanë me dëshmitarin ose bashkëpunëtorin e drejtësisë, ndodhen në gjendje rreziku aktual, konkret dhe serioz.
5. “Persona të mbrojtur” janë, bashkërisht ose veçmas, dëshmitarët, bashkëpunëtorët e drejtësisë dhe personat e afërm të tyre ose personat e tjerë të lidhur me ta, sipas përcaktimeve të bëra në pikat 1, 2, 3 dhe 4 të këtij neni.
6. “Gjendje rreziku” është gjendja aktuale, konkrete dhe serioze, për shkak të së cilës personit të mbrojtur i rrezikohet jeta, shëndeti, të drejtat dhe liritë themelore, të parashikuara nga ligji, si dhe prona e të drejtat e lidhura me të.
7. “Krim i rëndë”, në zbatim të këtij ligji, janë veprat penale të parashikuara në nenet 73, 74, 75, 79, 89 shkronja “a”, 100, 101, 109, 110 shkronja “a”, 111, 114 shkronjat “a” e “b”, 128 shkronja “b”, 208, 209, 211, 213, 219, 220, 221, 222, 230, 230 shkronja “a”, 231, 232, 233, 234, 278 shkronja “a”, 282 shkronja “a”, 283, 284 shkronjat “a”, “c” e “ç”, 286, 287, 333 dhe 334 të Kodit Penal, si dhe
dispozitat e tjera penale, që shprehimisht përfshihen në zbatimin e dispozitave të këtij ligji.

KREU II
ORGANET PËRGJEGJËSE PËR MBROJTJEN E DËSHMITARËVE DHE BASHKËPUNËTORËVE TË DREJTËSISË

Neni 3
Organet përgjegjëse
Organe përgjegjëse për përgatitjen, vlerësimin, miratimin dhe zbatimin e masave të posaçme të mbrojtjes së dëshimtarëve dhe të bashkëpunëtorëve të drejtësisë janë:
a) Drejtoria e Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë;
b) Komisioni për Vlerësimin e Masave të Posaçme të Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë.

Neni 4
Drejtoria e Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë
1. Për përgatitjen, ndjekjen dhe zbatimin e masave të posaçme të mbrojtjes, ngrihet Drejtoria e Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë, si strukturë e posaçme qendrore e Policisë së Shtetit, në varësi të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, e cila e shtrin veprimtarinë e vet në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
2. Struktura dhe organika e Drejtorisë së Mbrojtjes të Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë miratohen nga Ministri i Rendit Publik.
3. Çështjet që lidhen me trajtimin e punonjësve të Drejtorisë së Mbrojtjes të Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë rregullohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
4. Rregullat për administrimin e posaçëm të pasurive dhe fondeve të nevojshme për ushtrimin e veprimtarive të Drejtorisë së Mbrojtjes të Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë caktohen me udhëzime të përbashkëta të Ministrit të Rendit Publik, të Ministrit të Financave dhe të Ministrit të Drejtësisë.

Neni 5
Fusha e veprimtarisë së Drejtorisë së Mbrojtjes të Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve
të Drejtësisë
1. Drejtoria e Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë ka këto kompetenca:
a) përgatit për shqyrtim në Komisionin e Vlerësimit të Masave të Posaçme të Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë propozimet e dërguara nga Prokurori i Përgjithshëm, për marrjen e masave të posaçme të mbrojtjes;
b) me kërkesë të Prokurorit të Përgjithshëm ose të Komisionit të Vlerësimit të Masave të Posaçme të Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë, pasi bën verifikimet e nevojshme, paraqet informacione shtesë për aspektet teknike të propozimit, për zbatimin e masave të posaçme të mbrojtjes;
c) vendos zbatimin e masave të përkohshme të mbrojtjes deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga Komisioni për Vlerësimin e Masave të Posaçme të Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë, në rastet dhe mënyrën e parashikuar sipas këtij ligji;
ç) përgatit dhe nënshkruan marrëveshjen për masat e posaçme të mbrojtjes me persona të mbrojtur sipas këtij ligji;
d) ndjek zbatimin e masave të posaçme të mbrojtjes, të miratuara nga Komisioni për Vlerësimin e Masave të Posaçme të Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë;
dh) administron bazën e të dhënave, që lidhet me veprimtarinë e Drejtorisë së Mbrojtjes të Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë dhe ecurinë e masave të posaçme të mbrojtjes dhe
merr masa për t’i siguruar dhe administruar ato, në përputhje me shkallën e nevojshme të klasifikimit të informacionit, sipas dispozitave në fuqi;
e) administron pasuritë dhe fondet në dispozicion të Drejtorisë të Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë për ushtrimin e veprimtarisë së vet dhe zbatimin e masave të posaçme të mbrojtjes;
ë) propozon dhe merr masa për bashkërendimin e punëve me institucione të tjera për zhvillimin e veprimtarive dhe zbatimin e masave të posaçme të mbrojtjes së dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë;
f) ndjek çështjet e bashkëpunimit me struktura ndërkombëtare ose të shteteve të tjera për fushën e mbrojtjes së dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë;
g) përgatit raporte periodike për veprimtarinë e vet dhe bën propozime për përmirësimin e legjislacionit dhe të veprimtarisë së institucioneve, për zbatimin e masave të posaçme të mbrojtjes së dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë.
2. Drejtoria e Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë, pasi merr miratimin, në parim, të Komisionit të Vlerësimit të Masave të Posaçme të Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë, përgatit rregullat me karakter teknik dhe operativ për kushtet, metodikat dhe procedurat e verifikimit, të përgatitjes dhe zbatimit të masave të zakonshme dhe të posaçme të mbrojtjes, për mënyrat, format dhe mjetet e komunikimit, si dhe për administrimin e akteve dhe të informacionit që lidhet me veprimtarinë e vet.

Neni 6
Komisioni për Vlerësimin e Masave të Posaçme të Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë
1. Për vlerësimin e propozimeve, miratimin e masave të posaçme të mbrojtjes, ndryshimin, revokimin ose përfundimin e tyre ngrihet Komisioni për Vlerësimin e Masave të Posaçme të Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë.
2. Komisioni për Vlerësimin e Masave të Posaçme të Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë kryesohet nga Zëvendësministri i Rendit Publik dhe ka këtë përbërje:
a) një gjyqtar zëvendëskryetar;
b) një prokuror anëtar;
c) një oficer i policisë gjyqësore anëtar.
3. Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Prokurori i Përgjithshëm dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit caktojnë, përkatësisht, një nga anëtarët për përbërjen e këtij komisioni. Thirrja e tyre, për të marrë pjesë në mbledhjet e Komisionit të Vlerësimit të Masave të Posaçme të Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë, bëhet nga Kryetari i Komisionit.
Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Prokurori i Përgjithshëm dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit caktojnë, përkatësisht, edhe nga një kandidat tjetër alternativ, të cilët marrin pjesë në mbledhjet e Komisionit për Vlerësimin e Masave të Posaçme të Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë në rastet kur respektivisht mungojnë anëtarët e këtij Komisioni, të caktuar sipas paragrafit të mësipërm të këtij neni.
4. Gjyqtarët, prokurorët dhe oficerët e policisë gjyqësore, që caktohen anëtarë të Komisionit për Vlerësimin e Masave të Posaçme të Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë, duhet të kenë besueshmëri dhe figurë të pastër morale, përvojë e njohuri të veçanta profesionale në fushën penale dhe sidomos për krimin e rëndë dhe atë të organizuar.
5. Anëtarët e Komisionit për Vlerësimin e Masave të Posaçme të Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë caktohen në detyrë për një afat trevjeçar me të drejtë riemërimi. Anëtarësia në këtë Komision përfundon përpara këtij afati në këto raste:
a) kur anëtari nuk e ushtron më funksionin në institucionin nga i cili ose për shkak të të cilit është emëruar si anëtar i Komisionit për Vlerësimin e Masave të Posaçme të Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë;
b) me kërkesën e vet, të shoqëruar me arsyetime të bazuara;
c) për shkelje të dispozitave të këtij ligji dhe të rregullave të funksionimit të Komisionit për Vlerësimin e Masave të Posaçme të Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë.
6. Vendimi për përfundimin e qëndrimit në detyrën e anëtarit të Komisionit për Vlerësimin e Masave të Posaçme të Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë, në rastin e shkronjës “a” të pikës 5 të këtij neni merret dhe njoftohet nga organi kompetent për emërimin e tyre, ndërsa në rastet e shkronjave “b” dhe “c”, përkatësisht, me kërkesë të vetë anëtarit ose të vetë këtij Komisioni.
7. Gjyqtarët, prokurorët dhe oficerët e policisë gjyqësore anëtarë të Komisionit për Vlerësimin e Masave të Posaçme të Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë, nuk mund të marrin pjesë në diskutim dhe në vendimmarrje, kur vihen në dijeni që propozimi për masa të posaçme mbrojtjeje ka lidhje me procedime penale apo veprimtari që hetohen ose gjykohen prej tyre. Ky ndalim vlen edhe kur ka konflikt interesash ose dyshime për njëanshmëri të parashikuara në Kodin e Procedurës Penale dhe në dispozitat e tjera ligjore në fuqi.
8. Rregullat e hollësishme për kriteret dhe procedurat për thirrjen dhe pjesëmarrjen në mbledhjen e Komisionit për Vlerësimin e Masave të Posaçme të Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë, për ngarkesën e punës, mungesën, pengesën dhe pamundësinë e caktimit dhe të kryerjes së kësaj detyre caktohen me udhëzime të përbashkëta të Prokurorit të Përgjithshëm, Ministrit të Rendit Publik dhe të Ministrit të Drejtësisë.

Neni 7
Mbledhjet e Komisionit për Vlerësimin e Masave të Posaçme të Mbrojtjes së dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë
1. Komisioni për Vlerësimin e Masave të Posaçme të Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë thirret në mbledhje nga Kryetari dhe, në mungesë të tij, nga Zëvendëskryetari, brenda 5 ditëve nga paraqitja e propozimit të Prokurorit të Përgjithshëm për zbatimin e masave të posaçme të mbrojtjes. Në raste të veçanta dhe urgjente ky Komision mblidhet menjëherë.
2. Mbledhjet e Komisionit për Vlerësimin e Masave të Posaçme të Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë janë të vlefshme kur janë të pranishëm tre anëtarë të tij. Vendimet e tij janë të vlefshme kur miratohen nga tre anëtarë të pranishëm në mbledhje.
3. Komisioni merr vendim jo më vonë se 10 ditë nga mbledhja e parë dhe, në çdo rast, jo më vonë se 30 ditë nga depozitimi i dokumentacionit përkatës dhe i propozimit të Prokurorit të Përgjithshëm.
4. Aktet dhe çdo informacion për veprimtarinë e Komisionit për Vlerësimin e Masave të Posaçme të Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë konsiderohen informacion i klasifikuar.
5. Rregullat e hollësishme për funksionimin dhe procedurat e punës së Komisionit për Vlerësimin e Masave të Posaçme të Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë, si dhe për të drejtat, detyrimet dhe trajtimin e anëtarëve të tij caktohen me udhëzime të përbashkëta të Prokurorit të Përgjithshëm, të Ministrit të Rendit Publik, të Ministrit të Drejtësisë dhe të Ministrit të Financave.

KREU III
MASAT E POSAÇME PËR MBROJTJEN E DËSHMITARËVE DHE BASHKËPUNËTORËVE TË DREJTËSISË

Neni 8
Kushtet e përgjithshme për zbatimin e masave të posaçme për mbrojtjen e dëshmitarëve të drejtësisë
1. Kur zbatimi i masave të zakonshme të mbrojtjes për dëshmitarin e drejtësisë nuk është i mjaftueshëm dhe i përshtatshëm, zbatohen masa të posaçme të mbrojtjes, sipas këtij ligji, nëse ai
pranon dhe bashkëpunon me vullnet të lirë me organin e prokurorisë dhe gjykatën dhe nëpërmjet dëshmisë së vet të plotë, të bërë pa kushte dhe rezerva, jep të dhëna të bazuara që:
a) përbëjnë prova vendimtare për një procedim penal për krime të rënda;
b) ndihmojnë në parandalimin e kryerjes së krimeve të rënda ose në zvogëlimin e pasojave që shkaktohen prej tyre;
c) ndihmojnë për riparimin e dëmeve dhe të humbjeve të shkaktuara nga kryerja e krimeve të rënda.
2. Zbatimi i masave të posaçme të mbrojtjes për dëshmitarin e drejtësisë vendoset vetëm nëse ai ndodhet në gjendje rreziku aktual, konkret dhe serioz, është i përshtatshëm për t’u përfshirë në këto masa dhe me kusht që me vullnetin e vet të lirë pranon dhe merr pjesë aktivisht në zbatimin e tyre.
3. Në varësi të rrethanave konkrete, masat e posaçme të mbrojtjes mund të vendosen nga Komisioni për Vlerësimin e Masave të Posaçme të Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë edhe për personat e afërm ose të lidhur me dëshmitarin e drejtësisë.
4. Rregullat dhe kriteret e hollësishme, për çështjet e parashikuara në pikat 1, 2 dhe 3 të këtij neni, caktohen me udhëzime të përbashkëta të Prokurorit të Përgjithshëm, të Ministrit të Rendit Publik dhe të Ministrit të Drejtësisë.

Neni 9
Kushtet e përgjithshme për zbatimin e masave të posaçme të mbrojtjes
për bashkëpunëtorët e drejtësisë
1. Kur zbatimi i masave të zakonshme të mbrojtjes për bashkëpunëtorin e drejtësisë nuk është i mjaftueshëm dhe i përshtatshëm zbatohen masa të posaçme të mbrojtjes dhe të trajtimit, sipas këtij ligji, nëse personi pranon dhe bashkëpunon me organin e prokurorisë dhe gjykatën dhe kur nëpërmjet të dhënave dhe deklarimeve realisht të bazuara:
a) bën të ditura, gjatë procedimit penal, fakte dhe rrethana, që shërbejnë si prova vendimtare dhe të pazëvendësueshme për zbulimin, hetimin dhe gjykimin e krimeve të rënda;
b) ndihmon ose dëshmon për parandalimin e krimeve të rënda dhe riparimin e dëmeve a të humbjeve të shkaktuara nga kryerja e tyre.
2. Zbatimi i masave të posaçme të mbrojtjes vendoset vetëm nëse bashkëpunëtori i drejtësisë ndodhet në gjendje rreziku aktual, konkret dhe serioz, është i përshtatshëm për t’u përfshirë në këto masa dhe me kusht që ai, gjatë gjithë procesit, të bëjë deklarime të plota, pa kushte e rezerva, të pranojë zbatimin e masave të posaçme të mbrojtjes dhe, me vullnetin e vet të lirë, të marrë pjesë aktivisht në zbatimin e tyre.
3. Në varësi të rrethanave konkrete, masat e posaçme të mbrojtjes vendosen nga Komisioni për Vlerësimin e Masave të Posaçme të Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë edhe për personat e afërm ose të lidhur me bashkëpunëtorin e drejtësisë.
4. Rregullat dhe kriteret e hollësishme për çështjet e parashikuara në pikat 1, 2 dhe 3 të këtij neni caktohen me udhëzime të përbashkëta të Prokurorit të Përgjithshëm, të Ministrit të Rendit Publik dhe të Ministrit të Drejtësisë.

Neni 10
Masat e posaçme të mbrojtjes
1. Masat e posaçme të mbrojtjes për dëshmitarët, bashkëpunëtorët e drejtësisë dhe personat e afërm ose të lidhur me ta janë:
a) ndryshimi i identitetit;
b) ndryshimi i vendbanimit;
c) mbrojtja e përkohshme e identitetit, e të dhënave dhe dokumenteve të personit të mbrojtur;
ç) dhënia e deklarimeve të dëshmitarit nën një identitet tjetër dhe administrimi i tyre me mjete të veçanta për deformimin e zërit, të pamjes së vërtetë të tij dhe forma të tjera të caktuara sipas ligjit;
d) masa të veçanta mbrojtëse, fizike dhe teknike, në vendin ku qëndron personi i mbrojtur, si dhe gjatë lëvizjeve të tij, përfshirë edhe ato për përmbushjen e detyrimeve ndaj organeve të drejtësisë;
dh) mbrojtja dhe trajtimi i posaçëm, në rastet kur, për kryerjen e një vepre penale,
bashkëpunëtorit të drejtësisë i është caktuar masë sigurimi ose është dënuar me burgim;
e) rehabilitimi social;
ë) ruajtja, ndryshimi dhe sigurimi i përkohshëm i vendit të punës;
f) dhënia e ndihmës financiare në kohën ndërmjet dy punësimeve;
g) rikualifikimi profesional;
gj) dhënia e këshillave dhe e ndihmës së specializuar ligjore;
h) mënyra të tjera të caktuara sipas ligjit.
2. Masat e posaçme të mbrojtjes nuk zbatohen në masën dhe mënyrën, që sjell si pasojë përmirësimin e gjendjes ekonomike të personit të mbrojtur, vetëm për shkak të zbatimit të tyre.
3. Masat e posaçme të mbrojtjes, si rregull, vendosen për një afat të pacaktuar dhe mund të shtrihen në të gjitha fazat e procedimit penal, si dhe pas përfundimit të tyre.
4. Kohëzgjatja e zbatimit të masave të posaçme të mbrojtjes varet nga ekzistenca dhe niveli i gjendjes së rrezikut, përshtatshmëria e personit të mbrojtur në raport me masën e posaçme të mbrojtjes që zbatohet, si dhe nga korrektësia e tij në përmbushjen e detyrimeve ligjore dhe kushteve të parashikuara në marrëveshjen e mbrojtjes.
5. Rregullat dhe kriteret e hollësishme për përmbajtjen, kuptimin, përshtatshmërinë, mënyrën dhe procedurat e caktimit dhe të shkallëzimit të zbatimit të masave të posaçme të mbrojtjes caktohen me udhëzime të përbashkëta të Prokurorit të Përgjithshëm, të Ministrit të Rendit Publik dhe të Ministrit të Drejtësisë.

Neni 11
Përgjegjësia për zbatimin e masave të posaçme të mbrojtjes
1. Drejtoria e Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë përgjigjet për përgatitjen, bashkërendimin e punëve dhe ndjekjen e zbatimit të masave të posaçme të mbrojtjes.
2. Ministritë dhe institucionet e tjera qendrore, sipas përgjegjësisë dhe detyrave të ngarkuara nga ligji, organizojnë punën dhe përgjigjen për ndjekjen dhe zbatimin e masave të zakonshme dhe të posaçme të mbrojtjes së personave të mbrojtur.
3. Organet e përmendura në pikën 2 të këtij neni bashkërendojnë punën e tyre me Drejtorinë e Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë, i përgjigjen kërkesave të kësaj Drejtorie dhe atyre të prokurorit, si dhe njoftojnë për çështje e rrethana që kanë të bëjnë me përgatitjen e propozimeve, zbatimin e masave të posaçme të mbrojtjes dhe të marrëveshjeve përkatëse, të lidhura për këtë qëllim me persona të mbrojtur.
4. Rregullat e hollësishme për detyrat, përgjegjësitë, format dhe procedurat e bashkërendimit e të informimit, ndërmjet institucioneve, caktohen me udhëzime të përbashkëta të Ministrit të Rendit Publik, të Ministrit të Drejtësisë dhe të Prokurorit të Përgjithshëm.

Neni 12
Administrimi i akteve, i dokumentacionit dhe i informacionit
1. Aktet, dokumentacioni dhe çdo informacion që lidhet me propozimin, miratimin dhe zbatimin e masave të posaçme të mbrojtjes konsiderohen informacion i klasifikuar dhe mbahen e administrohen nga Drejtoria e Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë.
2. Kriteret dhe procedurat për ruajtjen, administrimin dhe klasifikimin e informacionit për masat e posaçme për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë caktohen me udhëzime të përbashkëta të Ministrit të Rendit Publik, të Ministrit të Drejtësisë dhe të Prokurorit të Përgjithshëm.
3. Aktet, dokumentacioni, të dhënat, si dhe çdo informacion që zotërojnë dhe administrojnë ministritë dhe institucionet e tjera qendrore për masat e posaçme të mbrojtjes konsiderohen informacion i klasifikuar. Titullarët e institucioneve miratojnë udhëzimet përkatëse për depozitimin, mbajtjen dhe administrimin e tyre, pasi të kenë marrë mendimin e Ministrit të Rendit Publik, të Ministrit të Drejtësisë dhe të Prokurorit të Përgjithshëm.

KREU IV
PROCEDURAT PËR MIRATIMIN DHE ZBATIMIN E MASAVE
TË POSAÇME TË MBROJTJES

Neni 13
Paraqitja e propozimit
1. Të drejtën për të propozuar zbatimin e masave të posaçme të mbrojtjes e ka Prokurori i Përgjithshëm.
2. Prokurori i Përgjithshëm i propozon Komisionit të Vlerësimit të Masave të Posaçme të Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë shqyrtimin dhe miratimin e masave të posaçme të mbrojtjes, në rastet kur gjykon dhe ka motive, që e justifikojnë zbatimin e këtyre masave.
3. Propozimi për miratimin e masave të posaçme të mbrojtjes, së bashku me informacionin bazë, sipas këtij ligji, depozitohen pranë Drejtorisë së Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë, e cila kryen edhe funksionet e sekretarisë teknike. Kjo Drejtori bën përgatitjen e materialit që do të shqyrtohet nga Komisioni i Vlerësimit të Masave të Posaçme të Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë.
4. Prokurori i Përgjithshëm, kur është rasti, së bashku me propozimin dhe duke parashtruar arsyet, mund t’i kërkojë Drejtorisë së Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë që, në përputhje me rrethanat konkrete, të zbatojë masa të përkohshme e të përshtatshme të mbrojtjes.
5. Rregullat dhe procedurat e parashikuara në këtë nen zbatohen edhe në rastet e propozimit për ndryshimin ose heqjen e masave të posaçme të mbrojtjes.

Neni 14
Masa të përkohshme të mbrojtjes
1. Në raste të veçanta dhe urgjente, Drejtoria e Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë, me kërkesën e prokurorit dhe pasi të ketë marrë miratimin me shkrim të personit të mbrojtur, vendos zbatimin e menjëhershëm të masave të përkohshme të mbrojtjes. Vendimi i Drejtorisë bëhet i zbatueshëm, pasi të jetë miratuar nga Kryetari i Komisionit të Vlerësimit të Masave të Posaçme të Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë dhe Prokurori i Përgjithshëm ose një prokuror i autorizuar posaçërisht prej tij.
2. Masat e përkohshme të mbrojtjes vendosen në përputhje me shkallën e gjendjes së rrezikut, në forma të tilla që garantojnë përkohësisht dhe paraprakisht nivelin minimal të domosdoshëm të mbrojtjes.
3. Rregullat e hollësishme për rastet, procedurat dhe mënyrat e mbrojtjes së përkohshme, caktohen me udhëzime të përbashkët të Ministrit të Rendit Publik, të Ministrit të Drejtësisë dhe të Prokurorit të Përgjithshëm.

Neni 15
Përmbajtja e propozimit për zbatimin e masave të posaçme të mbrojtjes dhe dokumentacioni shoqërues
1. Propozimi i Prokurorit të Përgjithshëm për zbatimin e masave të posaçme të mbrojtjes përmban domosdoshmërisht të dhënat e mëposhtme:
a) të dhëna personale të personit, që propozohet të mbrohet;
b) informacion për ecurinë e çështjes penale dhe vlerësimin e provave të mbledhura;
c) shpjegime për rëndësinë e deklarimeve të bëra apo që mund të sigurohen nga dëshmitari ose bashkëpunëtori i drejtësisë, si dhe për shkaqet përse dhënia e lirë e dëshmive a deklarimeve nuk mund të sigurohet në mënyrë tjetër;
ç) rrethanat në të cilat ose për shkak të të cilave dëshmitari ose bashkëpunëtori i drejtësisë ka marrë dijeni për të dhënat dhe deklarimet që ka bërë ose që mund të sigurohen prej tij;
d) të dhëna dhe shpjegime të tjera që shërbejnë për të motivuar dhe mbështetur vlerësimin për gjendjen e rrezikut, ku ndodhet apo parashikohet të ndodhet personi që propozohet të mbrohet;
dh) informacione për gjendjen financiare të dëshmitarit;
e) informacione të tjera sipas vlerësimit të prokurorit.
2. Prokurori i Përgjithshëm mund t’i kërkojë Drejtorisë së Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë përpunimin dhe përgatitjen e informacioneve më të hollësishme ose shtesë për motivet dhe efektet e zbatimit të masave të posaçme të mbrojtjes.

Neni 16
Marrëveshja me personin e mbrojtur
1. Në një kohë sa më të shkurtër dhe në çdo rast jo më vonë se 15 ditë nga miratimi i masave të posaçme të mbrojtjes, Drejtoria e Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë përgatit marrëveshjen për zbatimin e masave të posaçme të mbrojtjes dhe merr masa për bisedimin dhe nënshkrimin e saj me dëshmitarin, bashkëpunëtorin e drejtësisë dhe persona të tjerë të mbrojtur.
2. Në rastet që çmohet prej tij, prokurori merr pjesë në përgatitjen dhe bisedimin e kushteve të marrëveshjes së posaçme për zbatimin e masave të posaçme të mbrojtjes.
3. Në çdo rast, prokurori vihet në dijeni dhe jep pëlqimin e tij përpara se marrëveshja të nënshkruhet nga Drejtoria e Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë dhe personi i mbrojtur.
4. Përgjegjësitë, të drejtat, detyrimet dhe efektet e masave të posaçme të mbrojtjes për Drejtorinë e Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë dhe personin e mbrojtur fillojnë në kohën dhe mënyrën e parashikuar në marrëveshje.
5. Në rastin kur personi i mbrojtur është i mitur, duke respektuar në çdo rast parimet e interesit më të lartë të tij dhe ato të zotësisë për të vepruar, të parashikuara në dispozitat përkatëse ligjore, dhënia e pëlqimit dhe nënshkrimi i marrëveshjes së mbrojtjes bëhen nga prindi ose kujdestari i tyre, i caktuar sipas ligjit.
6. Në rastin kur personi i mbrojtur është madhor, të cilit, për shkak sëmundjeje psikike ose zhvillimi të metë mendor, i është hequr tërësisht ose pjesërisht zotësia për të vepruar, dhënia e pëlqimit dhe nënshkrimi i marrëveshjes së mbrojtjes bëhen nga kujdestari i tyre, i caktuar sipas ligjit.

Neni 17
Përmbajtja e marrëveshjes
1. Në marrëveshjen e mbrojtjes parashikohen detyrimisht këto çështje:
a) të drejtat dhe detyrimet e personave të mbrojtur;
b) të drejtat dhe detyrimet e Drejtorisë së Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë për të ofruar mbrojtjen e duhur, sipas nivelit dhe rrethanave të rrezikut për personin e mbrojtur;
c) rastet dhe rrethanat e ndryshimit dhe të heqjes së masave të posaçme të mbrojtjes;
ç) kohëzgjatja e parashikuar, paraprakisht, për zbatimin e masave të posaçme të mbrojtjes.
2. Marrëveshja e mbrojtjes parashikon, gjithashtu, rregullimin më të hollësishëm të përmbushjes nga dëshmitari ose bashkëpunëtori i drejtësisë të kushteve dhe detyrimeve si më poshtë:
a) të japë informacion të plotë dhe pa asnjë rezervë a kusht për të gjitha faktet, ngjarjet dhe rrethanat, që lidhen me veprën penale dhe për të cilat ai ka dijeni;
b) të pranojë dhe të respektojë kushtet e përmendura në masat e posaçme të mbrojtjes;
c) të mbajë parasysh natyrën e informacionit të klasifikuar dhe, në çfarëdo rrethane, të mos bëjë të ditur asnjë të dhënë për masat e posaçme të mbrojtjes dhe të dhëna të tjera të lidhura me to;
ç) të mënjanojë çdo veprim ose mosveprim, që mund të rrezikojë zbatimin e masave të posaçme të mbrojtjes ose që mund të sjellin si pasojë një gjendje tjetër rreziku për personin e mbrojtur;
d) të informojë menjëherë Drejtorinë e Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë për çështje që çmohen dhe kërkohen prej saj, ose për ngjarje apo ndryshime të rrethanave të jetës ose veprimtarive të tij personale, si dhe për kontaktet e marrëdhëniet me të tretë, që mund të rrezikojnë zbatimin dhe garancitë e ofruara nga masat e posaçme të mbrojtjes;
dh) të pranojë pa nevojën e një vendimi gjyqësor të posaçëm që, nëse është e domosdoshme për qëllimet e mbrojtjes, të përdoren në mjediset e veta mjete teknike të ruajtjes, vëzhgimit, përgjimit dhe regjistrimit.
3. Përveç sa parashikohet në pikat 1 dhe 2 të këtij neni, dëshmitari ose bashkëpunëtori i
drejtësisë detyrohet të informojë Drejtorinë e Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë me hollësi për llojet dhe masën e pasurive të zotëruara prej tij ose personave të afërm apo të lidhur posaçërisht me ta.
4. Drejtoria e Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë informon Komisionin e Vlerësimit të Masave të Posaçme të Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë në kohën dhe mënyrën e caktuar prej tij, për ecurinë, afatet e zbatimit të programit të mbrojtjes, respektimin e kushteve të marrëveshjes së mbrojtjes, si dhe, rast pas rasti, për probleme dhe rrethana të paparashikuara në këto dokumente.
5. Rregullat e hollësishme për procedurat e shprehjes së vullnetit, bisedimit dhe nënshkrimit, për formën dhe përmbajtjen, si dhe për ndjekjen e zbatimit të kushteve të marrëveshjes së mbrojtjes caktohen me udhëzime të përbashkëta të Ministrit të Rendit Publik, të Ministrit të Drejtësisë dhe të Prokurorit të Përgjithshëm.

Neni 18
Masa mbrojtjeje të jashtëzakonshme
1. Policia e Shtetit, institucionet ku mbahen të paraburgosurit ose ata që vuajnë dënime penale, sipas shkallës së gjendjes së rrezikut për personin e mbrojtur, mund të urdhërojnë dhe zbatojnë masa mbrojtjeje të jashtëzakonshme, ndërmjet atyre të parashikuara në këtë ligj apo me dispozita të tjera, që rregullojnë veprimtarinë e tyre. Këto masa, jo më vonë se 24 orë nga marrja e tyre, i njoftohen Drejtorisë së Mbrojtjes të Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë dhe prokurorit të çështjes.
2. Masat e jashtëzakonshme, me pëlqimin e Drejtorisë së Mbrojtjes të Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë dhe të prokurorit të çështjes, mund të zgjaten derisa të mënjanohet rreziku që ka motivuar marrjen e tyre ose deri në marrjen e vendimit përkatës nga Komisioni i Vlerësimit të Masave të Posaçme të Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë.

Neni 19
Ndryshimi dhe heqja e masave të posaçme të mbrojtjes
Masa e posaçme e mbrojtjes mund të ndryshojë ose të hiqet në këto raste:
a) nëse vlerësohet se nuk ekziston më gjendja e rrezikut, që motivon zbatimin e masave të posaçme të mbrojtjes;
b) nëse gjatë hetimit dhe gjykimit të çështjes penale, vërtetohet se dëshmitari ose bashkëpunëtori i drejtësisë bën dëshmi ose jep informacione të rreme;
c) nëse personi i mbrojtur kryen një vepër penale me dashje;
ç) nëse pas fillimit të zbatimit të masave të posaçme të mbrojtjes sigurohen të dhëna të arsyeshme dhe të bazuara për përfshirjen e personit të mbrojtur në veprimtari kriminale;
d) nëse dëshmitari, bashkëpunëtori i drejtësisë ose persona të tjerë të mbrojtur nuk respektojnë detyrimet e përmendura në marrëveshjen e mbrojtjes ose refuzojnë, neglizhojnë apo japin informacion të rremë;
dh) nëse personi i mbrojtur refuzon mundësinë e punësimit të siguruar nga Drejtoria e Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë ose heq dorë nga kryerja e veprimtarive, që sigurojnë të ardhura pa asnjë motiv të bazuar;
e) nëse një autoritet i një shteti tjetër kërkon mbarimin e masës së posaçme të mbrojtjes, të ndryshimit të vendbanimit, të zbatuar në territorin e atij shteti.

Neni 20
Raste të përfundimit të masave të posaçme të mbrojtjes
Masa e posaçme e mbrojtjes përfundon në rastet e mëposhtme:
a) me mbarimin e afatit të marrëveshjes së mbrojtjes;
b) nëse ka vdekur personi i mbrojtur;
c) me kërkesë me shkrim të personit të mbrojtur ose kujdestarit të tij;
ç) për shkak të heqjes dorë nga zbatimi i masave të posaçme të mbrojtjes dhe marrëveshja e saj.

Neni 21
Njoftime për ndryshimin, heqjen ose përfundimin e masave të posaçme të mbrojtjes
1. Drejtoria e Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë njofton menjëherë, me shkrim, prokurorin për rrethanat e përmendura në nenet 19 dhe 20 të këtij ligji.
2. Në rastin e kërkesës për përfundimin e masave të posaçme të mbrojtjes ose kur ka vdekur personi i mbrojtur, masa e posaçme e mbrojtjes hiqet menjëherë për kërkuesin ose për personin e vdekur, por ajo mund të vazhdojë sipas vlerësimit të rrethanave, për personat e tjerë të mbrojtur, të përfshirë në ato masa të posaçme të mbrojtjes.

KREU V
DISPOZITA TË FUNDIT

Neni 22
Bashkëpunimi ndërkombëtar
1. Bashkëpunimi ndërkombëtar realizohet në përputhje me të drejtat dhe detyrimet që rrjedhin nga marrëveshjet ndërkombëtare ku është palë Republika e Shqipërisë.
2. Marrëveshjet ndërkombëtare mund të parashikojnë zbatimin e ndërsjellë të masave të posaçme të mbrojtjes, përfshirë ndryshimin e vendbanimit dhe qëndrimin e personave të mbrojtur në territoret përkatëse të palëve.

Neni 23
Aktet nënligjore
1. Këshilli i Ministrave, ministritë dhe institucionet e tjera qendrore, brenda 6 muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, të nxjerrin aktet nënligjore në zbatim të tij.
2. Ministritë dhe institucionet e tjera qendrore të caktuara, sipas këtij ligji, të marrin masat për ngritjen e Drejtorisë për Mbrojtjen e Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë dhe të Komisionit për Vlerësimin e Masave të Posaçme të Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë, jo më vonë se 60 ditë nga hyrja në fuqi e këtij ligji.

Neni 24
Efektet e ligjit
Mbrojtja e dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë, sipas këtij ligji, fillon në ditën e parë pas përfundimit të afatit 6-mujor, të parashikuar në nenin 23 të tij.

Neni 25
Dispozitë kalimtare
1. Deri në datën e caktuar sipas nenit 24 të këtij ligji, në raste të jashtëzakonshme dhe për aq sa është e mundur të respektohen kriteret dhe procedurat e këtij ligji, Prokurori i Përgjithshëm dhe Ministri i Rendit Publik, pasi të kenë marrë mendimin e Ministrit të Drejtësisë, mund të vendosin dhe të zbatojnë një a më shumë masa të posaçme të mbrojtjes.
2. Për vazhdimësinë, ndryshimin ose revokimin e masave të posaçme të mbrojtjes, të zbatuara, sipas pikës 1 të këtij neni, Komisioni për Vlerësimin e Masave të Posaçme të Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë jep vendimin e vet jo më vonë se 30 ditë nga data e ngritjes së tij.

Neni 26
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Shpallur me dekretin nr.4191, datë 5.4.2004 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu

Kontaktim i Shpejte

Ju mund te hyni ne lidhje direkte me ne. JU LUTEMI TI PERGJIGJENI DHE PYETJES TONE KJO PER EFEKTE SIGURIE.
Email:
Subject:
Message:
Sa kembe ka njeriu ?

Ne ndiqni ne Facebook