You are here: Faqja E PareLegjislacioni ShqipetarLigje e VendimeLigj Për ekzekutimin e vendimeve penale


Ligj Për ekzekutimin e vendimeve penale

L I G J
Nr.8331, datë 21.4.1998
(Ndryshuar me ligjin nr. 10024, datë 27.11.2008)
I azhurnuar
PËR EKZEKUTIMIN E VENDIMEVE PENALE
Në mbështetje të nenit 16 të ligjit nr.7491, datë 29.4.1991 “Për dispozitat kryesore
kushtetuese” dhe në vijim të nenit 462 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së
Shqipërisë, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
KUVENDI POPULLOR
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI:
PJESA E PARË
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
KREU I
PARIME TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti i ligjit

(Shfuqizuar paragrafi i dytë me ligjin nr. 10024, datë 27.11.2008)
Ky ligj ka për objekt vënien në ekzekutim të vendimeve penale dhe urdhërimeve
të tjera ligjore, si dhe mënyrën e vuajtjes së dënimeve me përjashtim të dënimit me
burgim që rregullohet me ligj të posaçëm.
Sipas këtij ligji ekzekutohen edhe vendimet e gjykatës lidhur me masat e sigurimit
për aq sa nuk përcaktohet ndryshe nga Kodi i Procedurës Penale.
Neni 2
Përmbajtja e ekzekutimit
Me ekzekutim të vendimit penal kuptohet zbatimi i urdhërimeve që përmban
vendimi penal i formës së prerë dhe i vendimeve që, sipas Kodit të Procedurës Penale,
kanë ekzekutim të menjëhershëm, me synimin e riedukimit të të dënuarve, të rivendosjes
së të drejtave të personave të proceduar padrejtësisht dhe të drejtave të subjekteve
juridike të cenuara nga vepra penale, duke ndikuar në parandalimin e tyre.
Neni 3
Të drejtat e të dënuarit
Ekzekutimi i vendimeve që përmbajnë dënim, kufizon vetëm ato të drejta, në atë
masë dhe kohë, sa përcakton vendimi penal, duke respektuar të gjitha të drejtat e tjera të
njohura ligjërisht, përveç rasteve të përcaktuara shprehimisht në këtë ligj.
Personi i dënuar në të gjitha fazat e ekzekutimit të vendimit, gëzon të drejtat që i
takojnë sipas këtij ligji dhe, kur nuk i njihen ose i cenohen ato, kërkon mbrojtjen dhe
realizimin e tyre në mënyrën që përcaktohet në këtë ligj.
Neni 4
Parimi i barazisë
Ky ligj zbatohet në mënyrë të njëjtë për të gjithë personat e gjykuar pa
diskriminim për shkak të seksit, racës, shtetësisë, kombësisë, origjinës, pikëpamjeve dhe
gjendjes ekonomike, shoqërore e kulturore.
Neni 5
Trajtimi i të miturve dhe grave
Ekzekutimi i vendimeve për të miturit dhe gratë bëhet në vende dhe mënyra të
veçanta e favorizues, të përcaktuara në këtë ligj ose me dispozita të tjera.
Neni 6
Parimi i zbatimit vullnetar
Vendimet penale vihen në ekzekutim vullnetarisht nga i dënuari në mënyrën,
kohën dhe vendin e caktuar nga organi kompetent sipas këtij ligji. Vetëm në rast refuzimi
të zbatimit vullnetar të tyre, bëhet ekzekutimi i detyrueshëm.
Neni 7
Mbrojtja e të drejtave
Për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të tij, të dënuarit i garantohet
komunikimi me organet kompetente, ankimi në gjykatë dhe mbrojtja me avokat.
Mbrojtësi, mbi kërkesën e të dënuarit ose kur e çmon, ka të drejtë të marrë takim
me të dënuarin, duke respektuar rregullat përkatëse, të kërkojë sqarime, të marrë
informacionet e nevojshme, t’u kërkojë organeve të ngarkuara me ekzekutimin e
vendimit, marrjen e masave në kompetencë të tyre, të kërkojë ndërhyrjen e prokurorit,
kur ka pengesa dhe t’i paraqesë kërkesa gjykatës për çështje në kompetencë të saj.
Neni 8
Përgjegjësia e organeve të ekzekutimit
Organet dhe punonjësit që ekzekutojnë vendimet sipas këtij ligji, janë të detyruar
të ushtrojnë me korrektësi kompetencat, duke respektuar të drejtat, nderin dhe dinjitetin e
personit.
Personat e ngarkuar për ekzekutimin e vendimit penal mbajnë përgjegjësi
disiplinore dhe, kur është rasti, edhe penale, për mosvënien, zvarritjen ose ekzekutimin e
vendimit në kundërshtim me ligjin apo të drejtat e personit.
Neni 9
Prokurori
Prokurori është i detyruar të marrë të gjitha masat për ekzekutimin e vendimit në
përputhje me urdhërimet e gjykatës dhe kërkesat e këtij ligji, të kontrollojë rregullsinë e
ekzekutimit, të ndërhyjë në organet kompetente ose të paraqesë kërkesë në gjykatë për
rivendosjen e ligjit e të së drejtës së shkelur dhe vënien e shkaktarëve para përgjegjësisë
sipas ligjit.
Neni 10
Detyrimi për njoftimin e fakteve dhe rrethanave
Mosnjoftimi i prokurorit për fakte dhe rrethana që ndikojnë në mënyrën dhe
kohën e ekzekutimit të një vendimi penal, kur nuk ka vend për përgjegjësi penale, përbën
kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë deri në 100 mijë lekë.
Me kërkesën e prokurorit çështja shqyrtohet nga gjykata duke respektuar kriteret e
ligjit “Për kundërvajtjet administrative”.
Me marrjen në dijeni të fakteve e rrethanave të reja, prokurori pasi bën
verifikimin, sipas rastit, ndërhyn sipas këtij ligji ose paraqet kërkesë në gjykatën
kompetente.
Kur fakti ose rrethana ndikon në bazueshmërinë ose ligjshmërinë e vendimit,
zbatohen dispozitat përkatëse të Kodit të Procedurës Penale.
PJESA II
VËNIA NË EKZEKUTIM E VENDIMEVE PENALE
KREU I
KOMPETENCAT PËR VËNIEN NË EKZEKUTIM
Neni 11
Gjykata
Për vendimet penale me ekzekutim të menjëhershëm urdhërimet i jep gjykata që
ka dhënë vendimin menjëherë pas shpalljes së tij.
Neni 12
Prokurori
Prokurori është organi që vë në lëvizje procedurën e ekzekutimit të të gjithë
vendimeve të tjera penale dhe në mbështetje të neneve 463 dhe 468 të Kodit të
Procedurës Penale, procedon vetë ose urdhëron organet e tjera për vënien në ekzekutim të
vendimit sipas Kodit të Procedurës Penale, sipas këtij ligji dhe dispozitave të tjera ligjore.
Prokurori mban evidencë të veçantë për vendimet në ekzekutim dhe për të gjitha
faktet e ndodhura gjatë ekzekutimit.
Neni 13
Urdhri i ekzekutimit
Urdhri i ekzekutimit është akti proceduror mbi bazën e të cilit prokurori nis
procedurën e ekzekutimit të vendimit penal.
Urdhri i ekzekutimit përmban vendimin penal që vihet në ekzekutim, identitetin e
të dënuarit, vendndodhjen e tij, llojin dhe masën e dënimit kryesor që do të vuhet
efektivisht, llojin e dënimit plotësues dhe kriteret e zbatimit të tij, detyrimin civil në
procesin penal, si dhe organet që do të ekzekutojnë ose mbikëqyrin ekzekutimin e
vendimit.
Neni 14
Njoftimi i mbrojtësit
Për urdhrin njoftohet brenda 30 ditëve mbrojtësi i të dënuarit dhe, kur nuk ka,
mbrojtësi i caktuar nga prokurori.
Për të dënuarit e mitur organet e ekzekutimit njoftojnë paraprakisht edhe prindin
ose kujdestarin, ndërsa për të dënuarit me fëmijë të mitur, bashkëshortin dhe, kur nuk ka
ose nuk dihet ku ndodhet, këshillin e kujdestarisë së vendbanimit të të dënuarit.
Neni 15
I dëmtuari civil
Personi, që i janë njohur të drejta pasurore, kërkon vetë vënie në ekzekutim të
vendimit që përmban urdhërime në favor të tij sipas dispozitave të Kodit të Procedurës
Civile.
Kur pala e dëmtuar është shteti dhe nuk vepron organi kompetent, prokurori ka të
drejtë të urdhërojë ekzekutimin e vendimit nga organi i përmbarimit.
KREU 11
ORGANET QË EKZEKUTOJNË VENDIMIN PENAL TË FORMËS SË PRERË
Neni 16
Detyrat e Policisë së Shtetit
(Ndryshuar me ligjin nr. 10024, datë 27.11.2008)
Policia e Shtetit, mbi bazën e urdhrit të prokurorit, në bashkëpunim me Policinë
Gjyqësore dhe Policinë Ushtarake, kryen veprimet për ekzekutimin vullnetar të dënimit
me burgim, në të kundërtën, vepron forcërisht duke vënë të dënuarin në dispozicion të
Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Dënimet plotësuese parashikuar nga pikat 3, 7 dhe 8 të nenit 30 të Kodit Penal
ekzekutohen nga vetë Policia e Shtetit .
Policia e Shtetit, në bazë të një kërkese ose me nismën e vet, mbështet veprimet e
policisë gjyqësore, të policisë ushtarake, policisë së burgjeve dhe të organeve të tjera
përkatëse, të ngarkuara, sipas këtij ligji, për ekzekutimin e vendimeve penale, që kanë
marrë formë të prerë apo që kanë ekzekutim të menjëhershëm.
Neni 17
Ekzekutimi nga shërbimi i përmbarimit gjyqësor
(Ndryshuar me ligjin nr. 10024, datë 27.11.2008)
Shërbimi i përmbarimit gjyqësor ekzekuton dënimin me gjobë, dënimet
plotësuese, të parashikuara në pikën 2 të nenit 30 të Kodit Penal, shpenzimet gjyqësore
dhe detyrimin civil, të caktuar në vendimin penal.
Neni 18
Organet shtetërore dhe subjektet juridike
Vendimet që përmbajnë dënime plotësuese të parashikuara nga pikat 1, 4 dhe 6 të
nenit 30 të Kodit Penal ekzekutohen nga organet përkatëse shtetërore ose personat e tjerë
juridikë shtetërorë ose privatë mbi bazën e urdhrit të ekzekutimit.
Neni 19
Ekzekutimi nga i dënuari
Dënimi plotësues parashikuar nga pika 9 e nenit 30 të Kodit Penal ekzekutohet
nga vetë i dënuari sipas urdhërimit të gjykatës.
Në rast mosveprimi prej tij, vendimi ekzekutohet nga prokurori me shpenzimet e
të dënuarit.
Neni 20
Njoftimet gjatë ekzekutimit
Organet kompetente për ekzekutimin e vendimeve penale njoftojnë prokurorin për
fillimin dhe përfundimin e ekzekutimit të vendimeve.
I dënuari i paraqet prokurorit vërtetimin e organit që ka bërë publikimin e
vendimit.
Kur kërkohet, në bazë të këtij ligji ose me dispozita të veçanta, bëhen njoftime
periodike edhe gjatë ekzekutimit.
Prokurori për fillimin e ekzekutimit dhe përfundimin e tij njofton gjykatën.
PJESA III
MËNYRAT E EKZEKUTIMIT TË VENDIMEVE PENALE
KREU I
EKZEKUTIMI I VENDIMEVE QË NUK KANË MARRË FORMË TË PRERË
Neni 21
Ekzekutimi i menjëhershëm
Ekzekutohen me urdhër të gjykatës menjëherë pas shpalljes së vendimit:
1. Vendimet penale që përmbajnë pafajësi, përjashtimin e të gjykuarit nga dënimi
ose pushimin e gjykimit të çështjes sipas pikës 2 të nenit 462 të Kodit të Procedurës
Penale, si dhe kur gjendet i paligjshëm arresti në flagrancë ose ndalimi, duke urdhëruar
lirimin e menjëhershëm, përveç kur ka një masë sigurim me arrest për shkak tjetër.
2. Vendimet penale ndaj një personi me masë sigurimi me arrest ndaj të cilit jepet
një dënim i barabartë ose më i vogël se koha e paraburgimit ose një lloj dënimi tjetër më
të butë, duke u urdhëruar lirimi i menjëhershëm, përveç kur ka një masë sigurimi me
arrest për shkak tjetër.
3. Vendimi penal që përmban burgim dhe miratim të kërkesës së prokurorit për
masën e sigurimit me arrest.
4. Vendimet penale që përmbajnë sekuestrim si masë provizore kur jepet një
dënim me konfiskim.
Për ekzekutimin e menjëhershëm, gjykata i jep paraprakisht organit përkatës
urdhrin me shkrim dhe brenda 3 ditëve nga shpallja i dërgon vendimin penal.
KREU II
EKZEKUTIMI I VENDIMEVE TË FORMËS SË PRERË
DHE I DËNIMEVE ALTERNATIVE
(Ndryshuar me ligjin nr. 10024, datë 27.11.2008)
Neni 22
Veprimet paraprake të prokurorit
Vendimet me burgim, me marrjen formë të prerë, i dërgohen prokurorit nga
gjykata menjëherë ose tërhiqen prej tij për vënien në ekzekutim.
Kur vendimi i gjykatës nuk e përcakton dhe prokurori konstaton se është vendi
për vuajtjen e dënimit në burgun e sigurisë së lartë, i paraqet kërkesë gjykatës që ka
dhënë vendimin.
Kur i dënuari ka qenë i paraburgosur, në urdhrin e ekzekutimit saktësohen koha e
vuajtur dhe pjesa që mbetet për të vuajtur sipas kritereve të nenit 57 të Kodit Penal.
Kur i dënuari ka për të vuajtur më shumë se një dënim, prokurori i paraqet
kërkesë gjykatës për bashkimin e dënimeve.
Mbi bazën e vendimit të gjykatës dhe kritereve të ligjit “Për të drejtat dhe
trajtimin e të dënuarve me burgim”, prokurori përcakton llojin e institucionit ku i dënuari
do të vuajë dënimin dhe nëpërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve saktëson
institucionin konkret.
Kur gjykata nuk e ka konstatuar dhe prokurori ka të dhëna se është vendi për
vendosjen në institucione të veçanta, ai urdhëron kontrollin mjekësor të të dënuarve dhe
vepron sipas rezultateve.
Neni 23
Nxjerrja dhe dërgimi i urdhrit të ekzekutimit
(Ndryshuar me ligjin nr. 10024, datë 27.11.2008)
Mbi bazën e vendimit të gjykatës dhe të veprimeve sipas nenit 22 të këtij ligji,
prokurori nxjerr urdhrin e ekzekutimit dhe ia dërgon Policisë së shtetit të vendit ku ka
vendbanimin, qëndrimin e përhershëm ose vendqëndrimin e të dënuarit.
Për të dënuarit ushtarakë urdhri i dërgohet policisë ushtarake pranë repartit ku ka
qenë efektiv i dënuari ose të vendit ku ai ndodhet.
Kur i dënuari është i paraburgosur urdhri i dërgohet organit ku ai mbahet.
Kur vendbanimi i përhershëm nuk dihet, urdhri i dërgohet Drejtorisë së
Përgjithshme të Policisë së Shtetit të Ministrisë përgjegjëse për rendin publik.
Neni 24
Njoftimi për ekzekutim vullnetar
Organi i ngarkuar me marrjen e urdhrit të ekzekutimit, njofton me shkresë të
dënuarin duke i caktuar kohën dhe vendin e paraqitjes vullnetare me paralajmërimin se në
rast të kundërt vendimi do të ekzekutohet në mënyrë të detyruar.
Neni 25
Ekzekutimi i detyrueshëm
Kur i dënuari nuk paraqitet në ditën dhe vendin e caktuar, bëhet ekzekutimi i
detyruar.
Me miratim të prokurorit ekzekutimi i detyrueshëm zbatohet drejtpërdrejt, kur ka
arsye të mendohet se i dënuari mund t’i shmanget ekzekutimit ose në interes të sigurimit
të rendit e të qetësisë publike.
Ekzekutimi i detyruar realizohet duke dërguar forcërisht të dënuarin në vendin e
caktuar për vuajtjen e dënimit. Përpara përdorimit të forcës ose mjeteve shtrënguese
ftohet gojarisht për ekzekutim vullnetar.
Forca fizike dhe mjetet shtrënguese përdoren në masën që u përgjigjen
kundërveprimeve të të dënuarit dhe synojnë paralizimin e veprimeve dhe jo ndëshkimin e
tij.
Lloji i mjeteve shtrënguese përcaktohet sipas dispozitave që të rregullojnë
veprimtarinë e organit që ekzekuton vendimin.
Për përdorimin e forcës fizike dhe mjeteve të shtrëngimit gjatë ekzekutimit të
detyruar njoftohet prokurori menjëherë pas kryerjes së veprimit.
Ekzekutimi i detyruar forcërisht zbatohet vetëm për dënimet me burgim dhe për
dënimet plotësuese të parashikuara nga pikat 2 dhe 8 të nenit 30 të Kodit Penal.
Për të gjitha llojet e dënimeve të tjera, në rast mosparaqitjeje ose shmangie nga
ekzekutimi, prokurori paraqet kërkesë për ndryshimin e llojit të dënimit sipas rregullave
të parashikuara në Kodin e Procedurës Penale.
Neni 26
Dërgimi në vendin e vuajtjes së dënimit
Me paraqitjen vullnetare të të dënuarit ose me marrjen e tij forcërisht, organi i
ngarkuar e shoqëron atë në institucionin e caktuar të vuajtjes së dënimit.
Mënyra e vuajtjes së dënimit me burgim dhe të drejtat e të dënuarit rregullohen
sipas ligjit “Për trajtimin e të dënuarve me burgim”.
Neni 27
Kërkimi
Kur i dënuari nuk gjendet ose është larguar në drejtim të paditur, prokurori kryen
veprimet e parashikuara në nenin 247 të Kodit të Procedurës Penale dhe, kur është rasti,
edhe ato të nenit 504 të atij Kodi.
Neni 28
Lirimi i të burgosurit
(Ndryshuar me ligjin nr. 10024, datë 27.11.2008)
Dënimi me burgim vlerësohet i plotësuar dhe i dënuari lirohet kur:
a) përfundon vuajtjen e dënimit;
b) i falet dënimi i mbetur;
c) amnistohet vepra penale apo dënimi i mbetur;
ç) përfitohet plotësisht nga shfuqizimi apo ndryshimi i një dispozite penale, për të
cilën është dënuar;
d) lirohet me vendim gjykate.
I dënuari nuk lirohet kur ndaj tij ka filluar një procedim penal dhe është vendosur
një masë sigurimi me arrest për një vepër tjetër penale, nga ajo për të cilën po vuan
dënimin.
Kur personi i dënuar lirohet, sipas parashikimeve të shkronjave “a”, “b” dhe “c”
të këtij neni, procedura e lirimit kryhet nga institucioni i ekzekutimit të vendimit penal,
ndërsa në rastet e tjera lirimi bëhet me urdhër ekzekutimi të prokurorit.
Neni 29
Ekzekutimi i vendimit në gjysmëliri
(Ndryshuar me ligjin nr. 10024, datë 27.11.2008)
Kur gjykata vendos ekzekutimin e vendimit me burgim në gjysmëliri, parashikuar
në nenin 58 të Kodit Penal, ia dërgon menjëherë vendimin prokurorit për ekzekutim.
Administrata e burgjeve dhe shërbimi i provës, në bazë të vendit të kryerjes së
detyrimeve nga personi i dënuar, përcakton institucionin e ekzekutimit të vendimeve
penale, ku do të vendoset i dënuari në gjysmëliri, bazuar në detyrimet që ai duhet të
përmbushë.
Shërbimi i provës harton programin ditor, që duhet të zbatojë personi i dënuar për
periudhën kohore, që ai ndodhet jashtë institucionit..
Neni 30
(Ndryshuar me ligjin nr. 10024, datë 27.11.2008)
Shërbimi i provës mbikëqyr personin e dënuar me gjysmëliri, kur ndodhet jashtë
institucionit të ekzekutimit të vendimeve penale.
Shërbimi i provës i raporton menjëherë prokurorit dhe, kur është e nevojshme,
edhe drejtorit të institucionit të ekzekutimit të vendimeve penale, kur personi i dënuar me
gjysmëliri nuk përmbush kushtet ose detyrimet e tij për qëllimin e këtij dënimi.
Kur personi i dënuar me gjysmëliri nuk kthehet në institucionin e ekzekutimit të
vendimeve penale, drejtori i institucionit, në bashkëpunim me shërbimin e provës, pasi të
kenë verifikuar faktet dhe rrethanat për moskthimin e tij, informojnë menjëherë
prokurorin.
.
Neni 31
Ekzekutimi i vendimit me punë me interes publik
(Ndryshuar me ligjin nr. 10024, datë 27.11.2008)
Kur gjykata vendos pezullimin e ekzekutimit të vendimit me burgim dhe, me
pëlqimin e të dënuarit, zëvendësimin e tij me detyrimin për kryerjen e një pune të
papaguar me interes publik, parashikuar në nenin 63 të Kodit Penal, ia dërgon menjëherë
vendimin përkatës prokurorit për ekzekutimin e dënimit alternativ.
Shërbimi i provës, duke pasur parasysh aftësitë dhe formimin profesional të
personit të dënuar, harton dhe zhvillon një program për kryerjen e punës me interes
publik.
Para fillimit të kryerjes së punës me interes publik, shërbimi i provës, në
bashkëpunim me subjektin, pranë të cilit do të kryhet puna, i bëjnë të ditur personit të
dënuar rregullat e sigurimit teknik në punë. Shërbimi i provës informon personin e dënuar
për detyrimin e tij, për të mbajtur kontakte dhe për të përmbushur udhëzimet e dhëna nga
ky shërbim.
Shërbimi i provës përcakton listën e institucioneve/shoqërive, publike apo private,
ku mund të kryhet puna me interes publik.
Neni 31/1
Kontaktet me shërbimin e provës gjatë kryerjes së punës me interes publik
(Shtuar me ligjin nr. 10024, datë 27.11.2008)
Gjykata, me marrjen e vendimit për pezullimin e ekzekutimit të vendimit të
dënimit dhe zëvendësimin e tij me detyrimin për kryerjen e një pune me interes publik,
urdhëron personin e dënuar të mbajë kontakte me shërbimin e provës.
Shërbimi i provës mbikëqyr të dënuarin, që kryen punë me interes publik.
Shërbimi i provës i raporton menjëherë prokurorit, kur personi i dënuar nuk mban
kontakte me këtë shërbim apo nuk përmbush detyrimin e vendosur.
Neni 31/2
Moskryerja e punës
(Shtuar me ligjin nr. 10024, datë 27.11.2008)
Kur i dënuari nuk e kryen punën në mënyrë të rregullt, subjekti, pranë të cilit
kryhet puna me interes publik, njofton menjëherë shërbimin e provës.
Me moskryerje të punës në mënyrë të rregullt nënkuptohet paraqitja me vonesë e
mungesat pa arsye në punë apo mosrespektimi i rregullave për kryerjen, sjelljen dhe
rendimentin në punë.
Neni 31/3
Pezullimi i vendimit për punë me interes publik
(Shtuar me ligjin nr. 10024, datë 27.11.2008)
Ekzekutimi i vendimit për punë me interes publik mund të pezullohet për shkak:
a) të sëmundjes së papritur të personit të dënuar, për të cilën është i nevojshëm
trajtimi mjekësor dhe e pengon atë të kryejë punën;
b) të vdekjes së një anëtari të familjes, si pasojë e së cilës personi i dënuar duhet
të veprojë si kujdestar për anëtarët e tjerë të familjes dhe e pengon atë për kryerjen e
punës;
c) të rrethanave të tjera të jashtëzakonshme, të cilat kërkojnë praninë e
vazhdueshme të të dënuarit dhe e pengojnë atë të kryejë punën.
Personi i dënuar paraqet te prokurori kërkesën për pezullimin e ekzekutimit të
urdhrit për punën me interes publik. Shërbimi i provës verifikon ndryshimin e situatës,
për të cilën i raporton prokurorit.
Detyrimi për të kryer punë me interes publik pezullohet deri kur gjykata të japë
vendimin për kërkesën e paraqitur.
Gjykata, brenda 5 ditëve nga marrja e kërkesës, merr vendimin për pezullimin e
ekzekutimit të urdhrit për punë me interes publik, të cilin ia dërgon menjëherë prokurorit.
Në vendim gjykata përcakton periudhën kohore të pezullimit.
Neni 31/4
Ekzekutimi i vendimit me qëndrim në shtëpi
(Shtuar me ligjin nr. 10024, datë 27.11.2008)
Kur gjykata vendos vuajtjen e dënimit të dhënë, me qëndrim në shtëpi,
parashikuar në shkronjën “a” të nenit 59 të Kodit Penal, ia dërgon menjëherë për
ekzekutim vendimin prokurorit dhe, në rast se ai mbahet në një institucion të ekzekutimit
të vendimeve penale, edhe drejtorisë së këtij institucioni.
Shërbimi i provës mbikëqyr ekzekutimin e vendimit me qëndrim në shtëpi dhe
bashkëpunon, sipas rastit, me autoritetet e pushtetit vendor, shërbimet sociale, organet
vendore të policisë, si dhe subjekte të tjera, private dhe shtetërore.
Shërbimi i provës siguron informacionin dhe asistencën e nevojshme për personin
e dënuar nga institucionet shëndetësore, institucionet e ndihmës sociale, si dhe
organizatat joqeveritare që bashkëpunojnë me të për zbatimin e vendimit me qëndrim në
shtëpi.
Shërbimi i provës harton programe për personin, që vuan dënimin me qëndrim në
shtëpi.
Kur personi i dënuar nuk është në gjendje të përmbushë detyrimet e vendosura
nga gjykata, për shkak të ndryshimit të rrethanave, shërbimi i provës i rishikon këto
detyrime, për të cilat i raporton menjëherë prokurorit.
Nëse personi, që vuan dënimin me qëndrim në shtëpi, nuk respekton detyrimet e
vendosura nga gjykata, shërbimi i provës, pasi të ketë verifikuar faktet dhe rrethanat, i
raporton prokurorit dhe, sipas rastit, i propozon atij kërkesën për ndryshimin e detyrimit.
Neni 31/5
Pezullimi i ekzekutimit të dënimit me burgim dhe vënia në provë
(Shtuar me ligjin nr. 10024, datë 27.11.2008)
Kur gjykata vendos pezullimin e ekzekutimit të vendimit me burgim dhe
zëvendësimin e tij me vënien në provë, parashikuar në nenin 59 të Kodit Penal, ia dërgon
vendimin prokurorit dhe institucioneve të ekzekutimit të vendimit penal.
I dënuari i vënë në provë, gjatë kohës së provës, duhet të raportojë rregullisht te
shërbimi i provës, i cili duhet të informojë rregullisht organet vendore të Policisë së
Shtetit.
Shërbimi i provës mbikëqyr ekzekutimin e vendimit të gjykatës dhe i raporton
menjëherë prokurorit, kur personi i dënuar nuk mban kontakte me këtë shërbim apo nuk
përmbush detyrimin e vendosur.
Neni 31/6
Ekzekutimi i vendimit të lirimit me kusht
(Shtuar me ligjin nr. 10024, datë 27.11.2008)
I dënuari me burgim, në përputhje me nenin 64 të Kodit Penal, ka të drejtë të
paraqesë kërkesë për lirim me kusht në gjykatën e vendit të ekzekutimit të dënimit.
Kërkesa shqyrtohet nga një gjyqtar, i ndryshëm nga ai që ka dhënë vendimin e dënimit
me burgim.
Pas paraqitjes së kërkesës për lirimin me kusht, drejtori i institucionit të
ekzekutimit të vendimeve penale paraqet në gjykatë një kopje të dosjes personale të
personit të dënuar dhe një raport për të. Në raport përcaktohen natyra e veprës penale të
kryer, qëndrimi i personit të dënuar ndaj veprës penale dhe ndaj viktimës apo familjes së
viktimës, ndonjë vepër e mëparshme penale, e kryer prej tij, gjendja fizike dhe
psikologjike e personit të dënuar, si dhe dinamika e sjelljes së tij në institucionin e
ekzekutimit të vendimeve penale.
Gjykata i kërkon shërbimit të provës të paraqesë një raport për kushtet familjare
dhe prejardhjen shoqërore të të dënuarit, si dhe për planet konkrete, për të mundësuar
riintegrimin e plotë të tij pas lirimit.
Kur gjykata vendos lirimin me kusht të personit të dënuar, ia dërgon vendimin
prokurorit të gjykatës së rrethit gjyqësor, ku do të jetojë i dënuari pas lirimit dhe
institucionit të ekzekutimit të vendimit penal.
Personi i liruar me kusht duhet t’i raportojë rregullisht shërbimit të provës gjatë
kohës së lirimit me kusht.
Kur personi i liruar me kusht synon të ndryshojë vendbanimin, ai duhet të njoftojë
paraprakisht shërbimin e provës dhe organet vendore të Policisë së Shtetit, duke dhënë
motivet përkatëse.
Shërbimi i provës mbikëqyr ekzekutimin e vendimit të lirimit me kusht dhe, kur
është e nevojshme, bashkëpunon me organet e pushtetit vendor dhe ato të Policisë së
Shtetit. Shërbimi i provës mund t’i kërkojë prokurorit ndryshimin e një ose të disa
detyrimeve të personit të liruar me kusht, kur ai nuk është në gjendje t’i përmbushë ato.
KREU II/1
SHËRBIMI I PROVËS
(Shtuar me ligjin nr. 10024, datë 27.11.2008)
Neni 31/7
Shërbimi i provës
Shërbimi i provës është organi shtetëror, që mbikëqyr zbatimin e dënimeve
alternative, paraqet informacion dhe raporte para prokurorit ose gjykatës, sipas këtij ligji
dhe ndihmon në ekzekutimin e dënimit alternativ, si dhe ndihmon personin e dënuar në
kapërcimin e vështirësive për riintegrimin social.
Organet shtetërore qendrore dhe organet e njësive të qeverisjes vendore i japin
shërbimit të provës ndihmën e nevojshme për përmbushjen e detyrave ligjore. Shërbimi i
provës bashkëpunon me OJF-të dhe shërbimin e ndërmjetësimit, në bazë të rregullave të
hollësishme, të përcaktuara nga Ministri i Drejtësisë.
Shërbimi i provës ndihmon personin e dënuar në kapërcimin e vështirësive për
riintegrimin social, duke vendosur kontakte me familjen dhe mjedisin shoqëror të të
dënuarit, me organizatat jofitimprurëse dhe individët.
Neni 31/8
Raporti i shërbimit të provës para vendimit
Shërbimi i provës, me kërkesë të prokurorit, paraqet një raport për vlerësimin e
rrethanave shoqërore, për të ndihmuar marrjen e vendimeve gjatë fazës së hetimeve
paraprake.
Raporti duhet të përmbajë informacion dhe të dhëna për personalitetin e shkelësit
të ligjit, punësimin e mëparshëm, sjelljen e nivelin arsimor dhe faktorët që ndikojnë apo
mund të ndikojnë në sjelljen e tij, me qëllim që të ndihmojë gjykatën në vlerësimin e
duhur të dënimit alternativ.
Raporti mbështetet në fakte, duhet të jetë i paanshëm dhe objektiv, si dhe
dërgohet brenda kohës së caktuar nga gjykata.
Raporti duhet të përmbajë edhe rekomandimin e shërbimit të provës për dënimin e
përshtatshëm alternativ për personin, për integrimin e tij në shoqëri dhe parandalimin e
kryerjes së veprave të tjera penale.
Neni 31/9
Ekzekutimi i dënimit alternativ
Kur gjykata vendos pezullimin e vendimit me burgim dhe zëvendësimin e tij me
një dënim alternativ, ia dërgon menjëherë vendimin prokurorit, për ekzekutimin e dënimit
alternativ.
Në qoftë se personi i dënuar është i burgosur, gjykata ia dërgon një kopje të
vendimit edhe institucionit të ekzekutimeve të vendimeve penale, ku mbahet i dënuari,
për lirimin e tij.
Shërbimi i provës mund t’i propozojë prokurorit për të ndryshuar, sipas ligjit,
kushtet dhe detyrimet për të dënuarin, pasi verifikon faktet dhe rrethanat e
mospërmbushjes së tyre nga i dënuari.
Në ekzekutimin e dënimit alternativ, shërbimi i provës mbikëqyr përmbushjen e
detyrimeve dhe të kushteve të përcaktuara në vendimin e gjykatës, asiston dhe këshillon
të dënuarin në përmbushjen e këtyre detyrimeve dhe jep ndihmë në integrimin social të
tij.
Me kërkesë të gjykatës ose të prokurorit, shërbimi i provës përgatit një raport për
zbatimin e vendimit të gjykatës dhe të programit të mbikëqyrjes.
Kur i dënuari nuk përmbush kushtet dhe detyrimet e përcaktuara nga gjykata,
shërbimi i provës paraqet raport para prokurorit, i cili përmban informacion për rrethanat
e shkeljes, shpjegimet e dhëna nga i dënuari, vlerësimin e punonjësit të shërbimit të
provës dhe propozimin, së bashku me arsyet përkatëse, për të caktuar detyrime shtesë, për
të zgjatur afatin e mbikëqyrjes apo për të ndryshuar kushtet e detyrimet për ekzekutimin e
dënimit.
Neni 31/10
Shqyrtimi i kërkesës për ndryshimin ose revokimin e dënimit alternativ
Gjykata, me kërkesë të prokurorit, shqyrton shkeljen e kushteve të dënimit
alternativ apo mospërmbushjen e detyrimit të dhënë dhe mund të vendosë ndryshimin ose
revokimin e pjesshëm a të plotë të dënimit alternativ.
Gjatë periudhës që shqyrton masën e revokimit të dënimit alternativ, gjykata
mund të pezullojë ekzekutimin e tij dhe të urdhërojë që personi i dënuar të vendoset në
një institucion të ekzekutimit të vendimeve penale.
Kur gjykata vendos ndryshimin ose revokimin e dënimit alternativ, dënimi me
burgim jepet në mungesë të dënimeve të tjera alternative të përshtatshme. Në çdo rast,
gjykata merr parasysh mënyrën dhe shkallën e mospërmbushjes së detyrimeve nga i
dënuari.
Gjykata, pasi dëgjon prokurorin, të dënuarin, mbrojtësin e tij dhe provat e
kërkuara prej tyre, merr vendim brenda 7 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës së
prokurorit. Vendimi i njoftohet personit të dënuar, mbrojtësit të tij, shërbimit të provës
dhe prokurorit.
Ndaj vendimit të gjykatës mund të bëhet ankim, sipas rregullave të përcaktuara
në Kodin e Procedurës Penale.
Neni 31/11
Përfundimi i periudhës së provës
Kur i dënuari kryen dënimin alternativ apo përmbush detyrimin e dhënë, shërbimi
i provës paraqet përpara prokurorit raportin për përfundimin e plotë të periudhës së
mbikëqyrjes. Prokurori nxjerr vendim të veçantë për kryerjen e dënimit alternativ.
Gjykata mund të vendosë përfundimin para afatit të dënimit alternativ, me
propozimin e prokurorit, në të cilin vërtetohet se i dënuari ka kryer detyrimet dhe
vlerësohet se nuk është më e nevojshme për t’i zbatuar më tej ato, për të arritur qëllimin e
dënimit alternativ. Kërkesa e prokurorit për përfundimin para afatit përmban të dhëna për
precedentët penalë të të dënuarit, përshkrim të dinamikës së sjelljes së të dënuarit e
progresin e arritur gjatë ekzekutimit të dënimit dhe arsyet e paraqitjes së kërkesës.
Kërkesa për përfundimin para afatit të dënimit alternativ paraqitet pasi i dënuari
ka ekzekutuar më shumë se gjysmën e periudhës kohore dhe nuk paraqet rrezikshmëri për
kryerjen e ndonjë vepre tjetër penale, rendin publik apo palët e treta.
Neni 31/12
Struktura dhe organizimi i shërbimit të provës
Shërbimi i provës organizohet në nivel qendror dhe vendor. Drejtoria e
Përgjithshme e Shërbimit të Provës në Ministrinë e Drejtësisë përbën nivelin qendror,
ndërsa zyrat vendore të shërbimit të provës veprojnë pranë gjykatave të rretheve
gjyqësore.
Rregullat e hollësishme për organizimin, të drejtat e detyrimet dhe standardet e
mbikëqyrjes përcaktohen në rregulloren e brendshme, të miratuar nga Këshilli i
Ministrave.
KREU III
EKZEKUTIMI I DËNIMEVE ME GJOBË
Neni 32
Vënia në ekzekutim
Ekzekutimi i një vendimi dënimi me gjobë bëhet me urdhrin e ekzekutimit të
prokurorit në masën, afatet dhe mënyrën e pagimit sipas vendimit të gjykatës.
Ekzekutimi bëhet nga organi përmbarimor në territorin e të cilit ka vendbanimin i
dënuari, sipas rregullave të Kodit të Procedurës Civile për titujt ekzekutivë.
Kur i dënuari ndryshon vendbanimin, mbi njoftimin e tij, ekzekutimi i vendimit
transferohet në organin përmbarimor të vendbanimit të ri.
Neni 33
Pamundësia ose shmangia nga ekzekutimi
Kur ekzekutimi i gjobës është i pamundur tërësisht ose pjesërisht, me njoftim të
organit përmbarimor, prokurori i paraqet kërkesë gjykatës së vendit të ekzekutimit për
konvertimin e gjobës, duke zbatuar rregullat e nenit 467 të Kodit të Procedurës Penale.
Kur nuk respektohen afatet e pagimit ose nuk njoftohet ndryshimi i vendbanimit,
me kërkesë të prokurorit, gjykata e vendit të ekzekutimit vendos zëvendësimin e gjobës
së mbetur me burgim sipas Kodit Penal.
KREU IV
EKZEKUTIMI I DËNIMEVE PLOTËSUESE
Neni 34
Vënia në ekzekutim
Kur është dhënë dënimi kryesor me burgim, bashkë me të ekzekutohen edhe
dënimet plotësuese të parashikuara nga pikat 2, 4 dhe 9 të nenit 30 të Kodit Penal.
Dënimet e tjera plotësues ekzekutohen pas vuajtjes së dënimit kryesor.
Urdhrin e ekzekutimit, prokurori ia dërgon organit kompetent për kryerjen e
veprimit që përmban dënimi plotësues.
Neni 35
Përgjegjësia për veprime në kundërshtim me vendimin
I dënuari ose organi i ngarkuar me ekzekutimin e dënimit plotësues kur kryejnë
veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës, kanë përgjegjësi sipas nenit 321 të
Kodit Penal.
Organet shtetërore, të cilat konstatojnë veprime në kundërshtim me vendimin e
gjykatës, detyrohen të njoftojnë prokurorin, i cili edhe kryesisht procedon sipas ligjit.
Neni 36
Heqia e dekoratave ose titullit
Për vendimet që përmbajnë dënimin plotësues parashikuar nga pika 4 e nenit 30 të
Kodit Penal, prokurori i dërgon urdhrin e ekzekutimit organit që ka akorduar dekoratën
apo titullin dhe kopje të vendimit të dënimit, duke i kërkuar të bëhen shënimet përkatëse
tërheqja e shenjës dalluese dhe e dëshmisë origjinale nga i dënuari.
Kur për shkak të dekoratës apo të titullit ka privilegje apo përfitime, organi i
mësipërm njofton organet përkatëse për ndërprerjen e tyre.
Neni 37
Ndalimi për të drejtuar automjetet
(Ndryshuar me ligjin nr. 10024, datë 27.11.2008)
Organet e Policisë së Shtetit, në bazë të urdhrit të prokurorit bëjnë shënimet në
regjistrat përkatës dhe i tërheqin të dënuarit dëshminë për aq kohë sa ka vendosur
gjykata.
Policia e Shtetit e kthen dëshminë e aftësisë edhe para afatit të caktuar me urdhër
të prokurorit ose të organeve të tjera kompetente, kur parashikohet me ligj të veçantë.
Neni 38
Ndalimi i qëndrimit
(Ndryshuar me ligjin nr. 10024, datë 27.11.2008)
Mbi urdhrin e ekzekutimit, Policia e Shtetit merr masa për të mos lejuar hyrjen e
të dënuarit në njësitë administrative të caktuara dhe largimin e tij kur gjendet në to.
Në zbatimin e kësaj mase organet e policisë së shtetit në territoret përkatëse
kryejnë veprime sikurse për kërkimin e personit, për aq sa nuk vijnë në kundërshtim me
këtë ligj.
Kur personi i dënuar në kohën e ekzekutimit të vendimit është prind i vetëm me
fëmijë të mitur dhe kur i dënuari nuk ka mundësi ta mbajë, nëpërmjet këshillit të
kujdestarisë bëhet sistemimi i fëmijës.
Neni 39
Nxjerrja jashtë territorit
Dënimi i nxjerrjes jashtë territorit ekzekutohet nga vetë i dënuari brenda afatit të
caktuar nga prokurori në urdhrin e ekzekutimit, në të kundërt zbatohen rregullat e
ekzekutimit të detyruar.
Kur i dënuari ka pasur dënim kryesor burgimin, nxjerrja jashtë territorit
ekzekutohet nga policia e burgjeve menjëherë me përfundimin e vuajtjes së dënimit
kryesor.
Kur i dënuari nuk mund të kthehet në vendin, shtetas i të cilit është ose në një
shtet tjetër, prokurori është i detyruar të sigurojë hyrjen në vendin e tij ose vizë, në të
kundërtën paraqet kërkesë për ndryshimin e dënimit plotësues.
Në çdo rast për të dënuarit- shtetas të huaj prokurori nëpërmjet Ministrisë së
Drejtësisë njofton Ministrinë e Punëve të Jashtme për urdhrin e ekzekutimit të këtij
dënimi.
Neni 40
Ekzekutimi i dënimit me konfiskim
Vendimet penale që parashikojnë konfiskimin e mjeteve dhe përfitimeve të
rrjedhura nga vepra penale, zbatohen nga organi përmbarimor kompetent, sipas
dispozitave të Kodit të Procedurës Civile për ekzekutimin e detyrueshëm.
Organi përmbarimor në ekzekutim të vendimit nuk kufizohet vetëm në objektet e
sekuestruara, por në të gjithë objektet dhe përfitimet që përcaktohen shprehimisht në
vendimin e gjykatës.
Neni 41
Ndalimi i ushtrimit të detyrave shtetërore
Dënimi plotësues i ndalimit për të ushtruar detyra shtetërore ose në shërbim
publik, zbatohet nga organi që e ka emëruar ose që ka lidhur marrëdhëniet e punës i
dënuari, me largimin nga detyra përkatëse, duke respektuar rregullat ligjore përkatëse.
Kur marrëdhënia e punës është krijuar me anë zgjedhjeje, vendimi ekzekutohet
nga organi kompetent.
Kur detyra në shërbim publik kushtëzohet me licencim, vendimi ekzekutohet nga
organi që jep licencën.
Neni 42
Ndalimi i ushtrimit të një veprimtarie apo mjeshtërie
Organi që është kompetent për dhënien e lejes apo të autorizimit për ushtrimin e
një veprimtarie apo mjeshtërie të caktuar, është i detyruar mbi bazën e urdhrit të
prokurorit t’i heqë personit të dënuar dokumentin për kohën e caktuar në vendimin e
gjykatës dhe njofton organin kompetent financiar.
Neni 43
Heqja e të drejtës për ushtrimin e detyrave drejtuese
Heqja e të drejtës për të ushtruar detyra drejtuese pranë personave juridikë, bëhet
nga organi që e ka një të drejtë të tillë sipas statutit ose rregullave përkatëse dhe njofton
organin kompetent financiar.
Neni 44
Detyrimi për publikimin e vendimit
Në ekzekutim të këtij vendimi, prokurori i vë në dispozicion të dënuarit tekstin e
plotë ose ekstratin e tij sipas përcaktimit të gjykatës.
I dënuari detyrohet të bëjë publikimin, me shpenzimet e tij, në një ose disa organe
të medias, në kohën dhe mënyrën e caktuar në vendim dhe, kur ka pengesa, kërkon
ndërhyrjen e prokurorit.
Kur organi i përcaktuar shprehimisht nga gjykata, kundërshton për shkaqe të
arsyeshme ose publikimi në atë organ është i pamundur, prokurori i kërkon gjykatës
ndryshimin e vendimit. Në të kundërtën prokurori përcakton vetë mënyrën e publikimit.
KREU V
EKZEKUTIMI I URDHËRIMEVE TË TJERA
Neni 45
Ekzekutimi i masës mjekësore
(Ndryshuar me ligjin nr. 10024, datë 27.11.2008)
Masa mjekësore me mjekim të detyruar ekzekutohet në institucionin mjekësor të
specializuar sipas përcaktimit që bën Ministria e Shëndetësisë mbi kërkesën e prokurorit.
Me urdhrin e ekzekutimit, dërgimi në institucion i të dënuarit të arrestuar bëhet nga
organi ku është mbajtur i dënuari, dhe kur është i lirë, nga policia e shtetit.
Masa mjekësore me mjekim të detyruar ambulator ekzekutohet në institucionet
mjekësore të vendbanimit të të detyruarit. Kur në to nuk ka specialistë përkatës,
shoqërohet në çdo rast nga këto institucione në rrethin më të afërt ku ka të tillë.
Kur në ekzekutim të kësaj mase sillen pengesa nga i detyruari, prokurori urdhëron
ekzekutimin e detyruar nga Policia e Shtetit dhe, kur është vendi, i paraqet kërkesë
gjykatës për ndryshimin e masës në mjekim të detyruar në një institucion mjekësor.
Neni 46
Ekzekutimi i masës edukuese
(Ndryshuar me ligjin nr. 10024, datë 27.11.2008)
Masa edukuese ekzekutohet në institucionet e posaçme të edukimit të të miturve
dërguar në mënyrë vullnetare nga prindi ose kujdestari mbi urdhrin e ekzekutimit të
prokurorit.
Kur nuk bëhet ekzekutim vullnetar në datën e caktuar ose kur nuk ka prindër apo
kujdestar, ekzekutimi bëhet nga Policia e Shtetit.
Neni 47
Masat penale ndaj personave juridikë
Kur gjykata ka vendosur masë penale për personat juridikë, prokurori i dërgon
urdhrin e ekzekutimit organit përmbarimor të vendit ku ka qendrën personi juridik, i cili
vepron sipas rregullave të Kodit të Procedurës Civile për ekzekutimin e detyrueshëm.
Për vënien në ekzekutim të vendimit organi përmbarimor njofton organin
financiar, ku është regjistruar personi juridik.
KREU VI
AFATET E EKZEKUTIMIT TË VENDIMEVE
Neni 48
Afatet e veprimeve të gjykatës
Veprimet për vënien në ekzekutim të vendimit penal duhet të kryhen menjëherë,
sapo të jenë plotësuar kushtet ligjore, por jo më vonë se brenda këtyre afateve:
1. Për vendimet që përmbajnë dënim me burgim dhe që nuk janë ankuar ose nuk
është ushtruar rekurs, gjykata i dërgon prokurorit kopjen e vendimit brenda 24 orëve nga
e nesërmja e ditës që vendimi merr formë të prerë.
2. Për vendimet që përmbajnë dënime me burgim, për të cilin është ushtruar
ankim ose rekurs, vendimi i dërgohet prokurorit për çështjet, me të arrestuar, brenda 24
orëve nga data e ardhjes nga gjykata përkatëse dhe brenda 48 orëve për të tjerat.
3. Vendimet që përmbajnë dënime penale ose urdhërime të tjera, i dërgohen
prokurorit nga gjykata jo më vonë se 3 ditë nga marrja formë të prerë.
4. Kur është vendosur pezullimi ose shtyrja e ekzekutimit të vendimit, afatet e
mësipërme fillojnë nga data që gjykata anulon pezullimin ose plotësohet afati i shtyrjes.
Neni 49
Afatet e veprimeve të prokurorit
Prokurori kryen veprimet paraprake dhe lëshon urdhrin e ekzekutimit:
1. për dënimet me burgim ose mjekim të detyrueshëm në institucionet mjekësore,
me të paraburgosur, menjëherë dhe në çdo rast, jo më vonë se 48 orë nga ardhja e
vendimit penal;
2. për dënimet me burgim për të gjykuarit në gjendje të lirë, jo më vonë se 72 orë
nga ardhja e vendimit;
3. për dënimet me gjobë, kur është dhënë vetëm dënim plotësues dhe për
urdhërimet e tjera të gjykatës, brenda 5 ditëve nga ardhja e vendimit;
4. për dënimet plotësuese që ekzekutohen njëkohësisht me dënimin kryesor,
urdhri i ekzekutimit është i njëkohshëm;
5. për dënimet plotësuese të tjera urdhri i ekzekutimit nxirret pas përfundimit të
dënimit kryesor.
Neni 50
Afatet e fillimit të ekzekutimit
Urdhrat e ekzekutimit për vendime penale me burgim dhe masë mjekësore me
mjekim të detyrueshëm për personat e paraburgosur ekzekutohen brenda 48 orëve nga
marrja e tij.
Për urdhrat e ekzekutimit me dënime ose urdhërime të tjera ekzekutimi duhet të
fillojë menjëherë, por jo më vonë se 15 ditë nga marrja e tij.
Neni 51
Shtyrja e afateve
Kur pas lëshimit të urdhrit të ekzekutimit gjykata vendos pezullimin ose shtyrjen
e ekzekutimit, afatet e mësipërme fillojnë nga data e anulimit të pezullimit, plotësimit të
periudhës së shtyrjes ose ndërpreries së tyre me vendim të gjykatës.
PJESA IV
KONTROLLI NË EKZEKUTIMIN E VENDIMEVE
KREU I
KONTROLLI I GJYKATËS DHE I PROKURORIT
Neni 52
Kompetenca
Kontrolli procedural për ekzekutimin e vendimeve bëhet nga prokurori pranë
gjykatës që ka dhënë vendimin. Kur ekzekutimi i vendimit bëhet në një rreth tjetër,
autorizohet prej tij prokurori përkatës.
Gjykata që ka dhënë vendimin ose gjykata e vendit ku ekzekutohet dënimi, për
çështjet në kompetencë të saj që dalin gjatë ekzekutimit, ka të drejtë të kërkojë njoftime
nga prokurori dhe organi ku ekzekutohet vendimi dhe, kur e sheh me vend, kontrollon
drejtpërdrejt rregullsinë e ekzekutimit.
Neni 53
Format e kontrollit të prokurorit
Prokurori realizon kontrollin nëpërmjet:
1. marrjes së njoftimit për fillimin dhe përfundimin e ekzekutimit nga organi
përkatës;
2. shqyrtimit të kërkesave dhe ankesave të të dënuarve dhe mbrojtësit të tij;
3. kërkimit të informacioneve dhe verifikimeve të drejtpërdrejta mbi dokumente
ose në vendin e vuajtjes së dënimit në prani të personit zyrtar përkatës;
4. marrjes dhe verifikimit të njoftimeve për fakte dhe rrethana që ndikojnë në
ekzekutimin e vendimeve;
5. marrjes së mendimit të specialistëve të fushave të ndryshme;
6. bashkëpunimit me kontrollin e brendshëm të organit ku ekzekutohet vendimi
ose të institucioneve shtetërore të kontrollit administrativ.
Neni 54
Dokumentimi i verifikimeve
Për verifikimet që bëhen në vende ku ekzekutohet vendimi ose në vende të tjera,
prokurori mban procesverbal, i cili nënshkruhet nga personi zyrtar i pranishëm, i cili ka të
drejtë të pasqyrojë pretendimet e tij.
Për verifikimet mbi ankesën e të dënuarit apo mbrojtësit të tij, ky i fundit duhet të
jetë i pranishëm kur e kërkon.
Kur prokurori e sheh të nevojshme, tërheq dokumente, sende ose objekte që
konfirmojnë rezultatin e verifikimit, duke i pasqyruar në procesverbal, kopje e të cilit u
lihet të interesuarve.
Neni 55
Veprimet e prokurorit për konstatimet
Prokurori i paraqet kërkesë gjykatës për rivendosjen e rregullit të shkelur ose
njohjen e së drejtës të të dënuarit për rastet në kompetencë të saj.
Në rastet e tjera prokurori ndërhyn në organet e ngarkuara me ekzekutimin e
vendimit ose në organe të tjera kompetente, për rivendosjen e ligjit ose të drejtës së
cenuar, duke caktuar dhe afatet përkatëse.
Kur nuk ka pengesë ligjore, prokurori urdhëron rivendosjen e menjëhershme të
ligjit dhe të së drejtës së shkelur.
Neni 56
Përgjegjësia për shkeljet e konstatuara
Kur është rasti, prokurori paraqet kërkesë në organin kompetent për vënien para
përgjegjësisë disiplinore e administrative ose të zhdëmtimit ndaj personave që kanë lejuar
ose kanë kryer shkelje.
Kërkesa shqyrtohet detyrimisht nga organi kompetent dhe përfundimi i njoftohet
prokurorit.
KREU II
KONTROLLE TË TJERA
Neni 57
Kontrolli i brendshëm
Organet dhe institucionet ku ekzekutohet vendimi ose që janë të ngarkuara me
mbikëqyrjen e ekzekutimit, si dhe organet eprore të tyre në kuadrin e kontrollit të
brendshëm, të bëjnë verifikimet përkatëse.
Për konstatimet, kur janë kompetente, marrin masa përkatëse, në të kundërtën
kërkojnë ndërhyrjen e prokurorit dhe, kur është rasti, nëpërmjet tij kërkojnë shqyrtimin e
çështjes nga gjykata.
Neni 58
Të drejta të organeve të tjera
Në vendet e vuajtjes së dënimeve, mund të kërkojnë informacione dhe sqarime
edhe organe të tjera shtetërore dhe organizatat joqeveritare lidhur me rregullsinë e
ekzekutimit të vendimit dhe respektimin e të drejtave të të dënuarit, duke rekomanduar
marrjen e masave përkatëse dhe kur e shohin me vend, të kërkojnë ndërhyrjen e
prokurorit.
Nga rregulli i mësipërm bëjnë përjashtim institucionet e vuajtjes së dënimit me
burgim, për të cilat zbatohen kriteret e përcaktuara me ligj të veçantë.
KREU III
KOMISIONI MBIKËQYRËS I EKZEKUTIMIT TË DËNIMEVE ME BURGIM
Neni 59
Funksionet
Komisioni mbikëqyrës i ekzekutimit të vendimeve penale që përmbajnë dënime
me burgim është organ këshillimor për zbatimin e ligjit në ekzekutimin e dënimeve me
burgim dhe mbrojtjen e të drejtave të të burgosurve.
Komisioni mbikëqyrës ngrihet pranë Ministrit të Drejtësisë dhe e shtrin
veprimtarinë në të gjithë vendin dhe e ka qendrën në Tiranë.
Neni 60
Përbërja
Komisioni përbëhet nga 9 anëtarë me votë të barabartë, që caktohen një herë në
katër vjet pa të drejtë ricaktimi.
Mbledhja e komisionit është e vlefshme kur janë të pranishëm më shumë se
gjysma e anëtarëve.
Kryetari i komisionit dhe zëvendësi zgjidhen nga mbledhja e anëtarëve.
Neni 61
Caktimi i anëtarëve
(Ndryshuar me ligjin nr. 10024, datë 27.11.2008)
Presidenti i Republikës, Kryetari i Kuvendit dhe Kryeministri caktojnë si anëtarë
nga një person që nuk ka funksione publike.
Ministrat që mbulojnë shëndetësinë, ushqimin, ndërtimin dhe kulturën, caktojnë
nga një anëtar prej punonjësve të tyre, me kusht që të jenë specialistë në profilet
përkatëse.
Ministri i Drejtësisë cakton një anëtar që nuk ka funksione publike, por që ka
kushte për të qenë gjyqtar.
Një anëtar caktohet nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë.
Neni 62
Statusi i anëtarëve
Anëtarët e komisionit gjatë ushtrimit të detyrave kanë atributet dhe përgjegjësitë
ligjore të nëpunësit publik. Publikimi i të dhënave nga anëtarët bëhet me leje të Ministrit
të Drejtësisë. Në çdo rast zbatohen rregullat për ruajtjen e sekretit shtetëror.
Anëtarët e komisionit rezervojnë të drejtën të japin informacione për veprimtarinë
dhe konstatimet në organin që i ka caktuar.
Neni 63
Veprimet e komisionit
Komisioni mblidhet rregullisht një herë në tre muaj dhe në raste të veçanta me
kërkesë të kryetarit edhe më parë.
Mbi bazën e ankesave ose njoftimeve të paraqitura, komisioni ose anëtari i
autorizuar prej tij ka të drejtë të kryejë verifikime edhe pa paralajmërim në institucionet e
dënimit, të marrë takim në çdo kohë me të burgosur të veçantë, të kërkojë sqarime dhe të
këqyrë dokumentet dhe mjediset, si dhe të bëjë verifikimet e tjera të nevojshme.
Veprimet kryhen në prani të drejtorit të institucionit ose të ngarkuarit prej tij, me
përjashtim të takimit me të burgosurin, që mund të bëhet edhe pa praninë e tyre.
Komisioni rekomandon marrjen e masave të menjëhershme për rivendosjen e
ligjit apo të së drejtës së shkelur dhe i parashtron Ministrit të Drejtësisë konstatimet, duke
i kërkuar marrjen e masave përkatëse. Ministri i Drejtësisë duhet të kthejë përgjigje për
masat e marra brenda 30 ditëve.
Kur marrja e masave është në kompetencë të prokurorit dhe gjykatës, Ministri i
Drejtësisë i paraqet materialet prokurorit kompetent.
Kur nga konstatimet çmohet se ka vend për ndryshime, shtesa ose për akte të reja
ligjore e nënligjore, komisioni bën propozime në organet kompetente.
Neni 64
Shpërblimi dhe shpenzimet
Anëtarët e komisionit shpërblehen sipas kritereve të përcaktuara me vendim të
Këshillit të Ministrave.
Ministri i Drejtësisë nëpërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve krijon
kushtet e nevojshme për veprimtarinë e komisionit.
DISPOZITA TRANSITORE DHE TË FUNDIT
(Ndryshuar me ligjin nr. 10024, datë 27.11.2008)
Neni 65
Për zbatimin e këtij ligji ngarkohen Prokurori i Përgjithshëm, Ministria e
Drejtësisë dhe Ministria përgjegjëse për rendin publik.
Mbi propozimin e tyre dhe në zbatim të këtij ligji Këshilli i Ministrave nxjerr
aktet nënligjore përkatëse.
Ministri i Drejtësisë, Prokurori i Përgjithshëm dhe Ministri i Brendshëm marrin
masat dhe nxjerrin aktet e nevojshme nënligjore për të siguruar zbatimin e këtij ligji.
Deri në nxjerrjen e akteve të reja nënligjore, aktet ekzistuese mbeten në fuqi për
aq sa nuk vijnë në kundërshtim me këtë ligj.
Neni 66
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Shpallur me dekretin nr.2079, datë 8.5.1998 të Presidentit të Republikës së
Shqipërisë, Rexhep Meidani

Kontaktim i Shpejte

Ju mund te hyni ne lidhje direkte me ne. JU LUTEMI TI PERGJIGJENI DHE PYETJES TONE KJO PER EFEKTE SIGURIE.
Email:
Subject:
Message:
Sa kembe ka njeriu ?

Ne ndiqni ne Facebook