You are here: Faqja E PareLegjislacioni ShqipetarLigje e VendimeLigj Për kompensimin e burgimit te padrejte


Ligj Për kompensimin e burgimit te padrejte

LIGJ
Nr.9381, datë 28.4.2005
PËR KOMPENSIMIN E BURGIMIT TË PADREJTË
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të
Ministrave,
KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI:
Neni 1
Objekti i ligjit

Ky ligj ka për objekt të rregullojë rastet e përfitimit dhe të kompensimit për burgim të padrejtë, përfshirë arrestin në shtëpi dhe masën e mënyrën e llogaritjes së tij, si dhe procedurat për kërkimin, pagesën dhe kompensimin për burgim të padrejtë.


Neni 2
E drejta e kompensimit
Personi, që është deklaruar i pafajshëm ose për të cilin është pushuar çështja me vendim gjykate të formës së prerë apo të prokurorit, ose është mbajtur në burg tej kohës së caktuar në vendimin e dënimit, gëzon të drejtën e kompensimit për burgimin e vuajtur.

Neni 3
Rastet e burgimit të padrejtë
Për efekt të këtij ligji, me burgim të padrejtë kuptohet:
a) periudha e paraburgimit për një çështje ose akuzë, për të cilën prokuroria ka pushuar hetimet ose gjykata ka dhënë pafajësi ose ka pushuar çështjen;
b) periudha e burgimit në zbatim të një vendimi, i cili, pas vënies në ekzekutim, është prishur dhe është dhënë pafajësi ose është pushuar çështja me vendim të formës së prerë;
c) periudha e paraburgimit ose e burgimit më tepër nga sa është dënuar me vendim të formës së prerë;
ç) periudha e paraburgimit kur, me vendim gjykate të formës së prerë, është vërtetuar se akti ishte nxjerrë pa respektuar kushtet e parashikuara në nenet 228 e 229 të Kodit të Procedurës Penale;
d) periudha e paraburgimit tej kufijve ligjorë të afateve të lejuara për kohën e paraburgimit;
dh) periudha e burgimit të padrejtë e shkaktuar nga gabimi në urdhrin e ekzekutimit të vendimit;
e) periudha e vuajtjes së arrestit në shtëpi në rastet e përcaktuara në shkronjat “a”, “c”, “ç'' dhe “d” të këtij neni.

Neni 4
Përjashtimi nga e drejta e kompensimit
1. Personi, që është deklaruar i pafajshëm me vendim të formës së prerë, ka të drejtën e kompensimit për paraburgimin e vuajtur, me përjashtim të rasteve kur është provuar se vendimi i gabuar ose moszbulimi në kohën e duhur i faktit të panjohur është shkaktuar tërësisht ose pjesërisht prej tij.
2. Kur me vendim gjykate është vërtetuar se fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale, për shkak të shfuqizimit të dispozitës përkatëse, e drejta e kompensimit nuk njihet për atë pjesë të paraburgimit të vuajtur para shfuqizimit.
3. E drejta e kompensimit nuk njihet për pjesën e periudhës së paraburgimit të vuajtur, që është llogaritur për efekt të caktimit të kohës së dënimit me burgim, në rastet e parashikuara në nenin 465 të Kodit të Procedurës Penale.
4. Personi i burgosur për një vepër, që ndiqet me ankim, përjashtohet nga përfitimi, kur çështja pushohet për shkak pajtimi.

Neni 5
Masa e kompensimit për burgim të padrejtë
1. Kompensimi për burgim të padrejtë caktohet nga gjykata, duke mbajtur parasysh:
a) të ardhurat nga paga për të punësuarit në sektorin publik ose në sektorin privat, deri një muaj para burgimit;
b) fitimin e realizuar nga veprimtaritë tregtare dhe fitimprurëse gjatë tri viteve të fundit para burgimit;
c) pensionet e përfituara para ose gjatë paraburgimit;
ç) pagën minimale në shkallë vendi për ata që kanë qenë pa punë, të paktën një muaj para datës së burgimit;
d) rrethana të tjera, të lidhura me gjendjen ekonomike e familjare të të burgosurit;
dh) të ardhurat nga puna në burg.
2. Kompensimi caktohet deri në 2 000 (dy mijë) lekë për një ditë burgim dhe 3 000 (tre mijë) lekë për një ditë paraburgim.

Neni 6
Kompensimi për arrestin në shtëpi
Periudha e arrestit në shtëpi kompensohet nisur nga të njëjtat kritere sikurse burgimi, por masa e kompensimit të caktuar nuk duhet të jetë më e madhe se një e dyta e shumës së caktuar për burgimin.

Neni 7
Rikthimi në punë ose në detyrë
Personi, që ka vuajtur paraburgimin ose arrestin në shtëpi dhe për këtë shkak është larguar nga puna ose nga detyra që kishte përpara vendosjes së këtyre masave, ka të drejtën e rikthimit në punë apo në detyrë, kur është vendosur pushimi i çështjes ose është dhënë pafajësi në favor të tij, sepse nuk ka kryer veprën që akuzohet, fakti nuk ekziston, fakti nuk përbën vepër penale ose fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale.

Neni 8
Kërkesa për kompensim
l . Kërkesa për kompensim bëhet nga personi, që e përfiton atë sipas këtij ligji ose, pas vdekjes së tij, nga trashëgimtarët, përveç kur e drejta ka qenë parashkruar në kohën kur i burgosuri ishte gjallë.
2. Për personin e mitur ose të paaftë mendërisht këtë të drejtë e ushtron kujdestari ligjor.
3. Kërkesa për kompensim paraqitet brenda tri vjetëve nga data e lindjes së të drejtës në gjykatën e rrethit gjyqësor, që ka dhënë vendimin e dënimit, ose në territorin e së cilës ndodhet organi, që është ngarkuar, sipas këtij ligji, për pagesën e kompensimit për burgim të padrejtë.
4. Shqyrtimi gjyqësor bëhet sipas rregullave të gjykimit të padisë civile në procesin penal.
5. Ekzekutimi i vendimit gjyqësor për dhënien e kompensimit pezullohet kur rifillojnë hetimet e pushuara ose prishet vendimi i pafajësisë apo pushimit të çështjes dhe përfituesi rimerret në përgjegjësi penale në të njëjtën çështje, edhe për të njëjtën vepër.
6. Kompensimet e përfituara kthehen, tërësisht ose pjesërisht, kur urdhërohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.


Neni 9
Pagesa e kompensimit për burgim të padrejtë
1. Kompensimi për paraburgim dhe burgim të padrejtë përballohet nga Buxheti i Shtetit.
2. Ministri i Financave dhe Ministri i Drejtësisë, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, nxjerrin udhëzime të përbashkëta për strukturat përgjegjëse, për formën dhe përmbajtjen e dokumentacionit, që paraqitet për ekzekutimin e pagesave të kompensimit për burgim të padrejtë.

Neni 10
Për të gjitha çështjet që janë në gjykim deri në ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji do të zbatohen kriteret e deritanishme të rregulluara me praktikën gjyqësore të Gjykatës së Lartë.

Neni 11
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Shpallur me dekretin nr.4572, datë 12.5.2005 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë
Alfred Moisiu

Kontaktim i Shpejte

Ju mund te hyni ne lidhje direkte me ne. JU LUTEMI TI PERGJIGJENI DHE PYETJES TONE KJO PER EFEKTE SIGURIE.
Email:
Subject:
Message:
Sa kembe ka njeriu ?

Ne ndiqni ne Facebook