You are here: Faqja E PareLegjislacioni ShqipetarLigje e VendimeLigj Për krimin e organizuar


Ligj Për krimin e organizuar

LIGJ
Nr.9284, datë 30.9.2004
PËR PARANDALIMIN DHE GODITJEN E KRIMIT TË ORGANIZUAR
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1
Objekti
Ky ligj përcakton rrethin e personave të dyshuar si pjesëmarrës në krimin e organizuar, si dhe kompetencat dhe kriteret për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive që lidhen me këto krime.

Neni 2
Qëllimi
Qëllimi i këtij ligji është parandalimi dhe goditja e krimit të organizuar nëpërmjet zbulimit, identifikimit, sekuestrimit dhe konfiskimit të pasurive të paligjshme të personave të dyshuar si pjesëmarrës në krimin e organizuar, si dhe përcaktimi i mënyrës së përdorimit të këtyre pasurive.

Neni 3
Rrethi i personave të dyshuar
1. Dispozitat e këtij ligji zbatohen ndaj personave mbi të cilët ekziston një dyshim i arsyeshëm, i bazuar në prova për:
a) pjesëmarrje në organizata kriminale ose në grupe të strukturuara kriminale, sipas parashikimeve të neneve 333 dhe 333/a të Kodit Penal dhe kryerjen e krimeve prej tyre;
b) pjesëmarrje në organizata terroriste ose në banda të armatosura, sipas parashikimeve të neneve 234/a dhe 234/b të Kodit Penal dhe kryerjen e krimeve prej tyre;
c) kryerjen e krimeve të tjera, për qëllime terroriste, të parashikuara në pjesën e posaçme, kreu VII i Kodit Penal;
ç) kryerjen e krimeve të parashikuara në nenet 109, 109/b, 110/a, 114/b, 128/b, 278/a, 282/a, 283/a e 284/a të Kodit Penal.
2. Dispozitat e këtij ligji zbatohen edhe ndaj:
a) bashkëshortit;
b) fëmijëve;
c) personave gjini ose krushqi e afërt me personin e dyshuar (të paralindurit, të paslindurit, vëllezërit, motrat, ungjërit, emta, nipërit, mbesat, fëmijët e vëllezërve dhe të motrave, vjehrri, vjehrra, dhëndri, nusja, kunata, thjeshtri, thjeshtra, njerku dhe njerka);
ç) personave fizikë ose juridikë, për të cilët ka të dhëna të mjaftueshme se pasuritë ose veprimtaritë e tyre zotërohen, pjesërisht ose plotësisht, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, nga personat e parashikuar në pikën 1 të këtij neni.
3. Ky ligj zbatohet edhe për pasuritë e paligjshme të personave të dyshuar, të krijuara përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji.

Neni 4
Objekt i hetimeve
1. Ndaj personave të parashikuar në nenin 3 të këtij ligji kryhen hetime për mjetet financiare, pasuritë, veprimtaritë ekonomike, mënyrën e jetesës, si dhe për burimet e të ardhurave të tyre.
2. Hetimet bëhen, në veçanti, për të verifikuar nëse këta persona janë zotërues të lejeve, licencave, autorizimeve, koncesioneve dhe të drejtave të tjera për të ushtruar veprimtari ekonomike, tregtare dhe profesionale, si dhe për të verifikuar nëse ata përfitojnë kontribute, financime ose kreditime të çdo lloji, të dhëna apo të përfituara nga shteti, ente a persona juridikë publikë, organizma ose institucione ndërkombëtare.
3. Hetimet dhe gjykimet, sipas këtij ligji, mbështeten në rregullat procedurale civile dhe administrative në fuqi, përveç atyre të parashikuara dhe të referuara shprehimisht në këtë ligj.

KREU II
VERIFIKIMET PARAPRAKE

Neni 5
Kompetenca për verifikimet paraprake
Prokurori kryen veprime vetë dhe nëpërmjet Policisë Gjyqësore për hetimin e mjeteve financiare, të pasurive, veprimtarive ekonomike, mënyrës së jetesës, si dhe burimeve të të ardhurave të personave të dyshuar.

Neni 6
Detyrimi i dorëzimit të informacionit dhe të dokumenteve
1. Prokurori, drejtpërdrejt ose nëpërmjet Policisë Gjyqësore, mund të kërkojë pranë çdo zyre të administratës shtetërore, enti a personi juridik publik, personave të tjerë fizikë dhe juridikë, të dhëna dhe kopje të dokumenteve, që vlerësohen si të domosdoshme për qëllime hetimi ndaj personave të parashikuar në nenin 3 të këtij ligji.
2. Mbështetur në autorizimin e lëshuar nga prokurori ose gjykata, oficerët e Policisë Gjyqësore mund të vendosin sekuestrimin e dokumenteve të shqyrtuara, sipas rregullave të parashikuara në nenet 208, 209, 210 dhe 211 të Kodit të Procedurës Penale.

Neni 7
Sekuestrimi paraprak
1. Kur ekziston një rrezik real dhe konkret për humbjen, përvetësimin ose tjetërsimin e fondeve, të pasurive dhe të të drejtave të tjera, për të cilat parashikohet zbatimi i masës së konfiskimit, sipas dispozitave të këtij ligji, prokurori mund t'i kërkojë gjykatës të vendosë paraprakisht sekuestron e tyre, edhe përpara caktimit të datës së seancës gjyqësore.
2. Kërkesa e prokurorit për sekuestrimin paraprak shqyrtohet nga gjykata në praninë e tij, jo më vonë se 5 ditë nga paraqitja e kërkesës.
3. Në gjykimin e çështjes, gjykata mban parasysh kushtet dhe procedurat e zbatueshme, sipas neneve 16 dhe 26 të këtij ligji.
4. Masa e sekuestros është e vlefshme për një periudhë gjashtëmujore, duke filluar nga dita e nesërme e shpalljes së vendimit.
5. Në rastin e hetimeve të ndërlikuara, me kërkesën e prokurorit, gjykata mund të vendosë zgjatjen e afatit të zbatimit të masës së sekuestros për periudha tremujore, por jo më shumë se një vit nga data e mbarimit të afatit të masës së sekuestros, të shpallur sipas pikës 4 të këtij neni.

Neni 8
Shtrirja e hetimit në subjekte të kërcënuara nga organizatat kriminale
Kur ka të dhëna të mjaftueshme për të gjykuar se zotërimi i pasurive dhe ushtrimi i
veprimtarive ekonomike të caktuara gjendet në kushte kërcënimi ose ndikimi nga organizata kriminale apo në kushte të tilla që mund të lehtësojnë veprimtarinë e personave të dyshuar sipas këtij ligji, prokurori i kërkon gjykatës ta detyrojë personin, që ka titullin e pronarit ose zotëron çfarëdo titulli, fonde apo pasuri të çdo lloji, me vlerë që nuk përputhet me të ardhurat ose aftësitë e tij ekonomike, që të justifikojë ligjshmërinë e prejardhjes së tyre.

Neni 9
Pezullimi i përkohshëm i administrimit dhe i disponimit të pasurive
1. Kur ka të dhëna të mjaftueshme për të gjykuar se disponimi i pasurive dhe ushtrimi i veprimtarive ekonomike të përcaktuara në nenin 8 lehtëson veprimtarinë e personave të dyshuar sipas këtij ligji ose të personave ndaj të cilëve ka filluar procedimi penal për njërin nga krimet e parashikuara nga nenet 109, 109/b, 110/a, 114/b, 128/b, 278/a, 282/a, 283, 283/a, 284/a, 284/c, 284/ç, 287, 333, 333/a dhe nga kreu VII i Kodit Penal, gjykata, me kërkesë të prokurorit, vendos pezullimin e përkohshëm të administrimit dhe zotërimit të veprimtarive dhe të pasurive që përdoren, drejtpërdrejt ose jo, për kryerjen e këtyre veprimtarive ekonomike.
2. Pezullimi i përkohshëm i administrimit dhe i disponimit të veprimtarive e pasurive vendoset për një periudhë jo më të gjatë se gjashtë muaj dhe, me kërkesë të prokurorit, mund të vendosen zgjatje të mëtejshme të afatit për një periudhë tjetër, jo më të gjatë se gjashtë muaj.
3. Në vendimin e dhënë sipas pikës 1, gjykata cakton edhe një a më shumë administratorë nga lista e ekspertëve të Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, duke respektuar, për aq sa janë të zbatueshme, dispozitat e këtij ligji.
4. Nëse në masën e pezullimit të përkohshëm të administrimit dhe disponimit përfshihen edhe pasuri të paluajtshme ose pasuri të regjistruara në regjistra publikë, administratori i emëruar bën njoftimin e kësaj mase në zyrat pranë të cilave mbahen këta regjistra brenda 15 ditëve nga data e shpalljes së vendimit.

Neni 10
Sekuestrimi
1. Kur ekziston rreziku real dhe konkret që veprimtaritë dhe pasuritë e përcaktuara në nenin 9 të këtij ligji të humbasin, të përvetësohen ose të tjetërsohen, prokurori mund t'i kërkojë gjykatës të vendosë sekuestron, në përputhje me parashikimet e dispozitave të këtij ligji.
2. Masa e sekuestros vendoset për një afat të njëjtë me atë të caktuar për pezullimin e përkohshëm të administrimit dhe disponimit, sipas pikës 2 të nenit 9 të këtij ligji.

Neni 11
Vendimi i gjykatës kur mbaron afati i pezullimit dhe i sekuestros
Gjykata, jo më vonë se 10 ditë përpara datës së mbarimit të afatit të masës së pezullimit të përkohshëm të administrimit e disponimit dhe të sekuestros, sipas neneve 9 e 10 të këtij ligji, vendos:
a) rivendosjen në afat të këtyre masave;
b) konfiskimin e pasurive, kur ka arsye të bazuar se ato janë produkt i veprimtarive të paligjshme ose përbëjnë investim të tyre;
c) revokimin e masës.

Neni 12
Vendimet e gjykatës kur revokohet masa e pezullimit dhe e sekuestros
1. Me vendimin e revokimit të masës së pezullimit të përkohshëm të administrimit e disponimit dhe masës së sekuestros, gjykata mund të vendosë detyrimin ndaj pronarit të pasurisë apo personit që ka në përdorim ose administrim pasurinë, apo pjesë të saj, për të njoftuar, për një periudhë jo më pak se pesë vjet, në Policinë Tatimore, akte të zotërimit, blerjes ose pagesave të kryera, të pagesave të marra, detyrave profesionale, të administrimit ose kujdestarisë, si dhe akte ose kontrata të
tjera, sipas llojit dhe vlerës së përcaktuar nga gjykata në varësi të pasurisë dhe të të ardhurave të personit, por jo për një vlerë më të vogël se 2 milionë lekë.
2. Njoftimet e parashikuara në pikën 1 bëhen brenda 10 ditëve nga përfundimi i aktit dhe, në çdo rast, brenda datës 31 janar të çdo viti, për aktet e kryera në vitin pararendës.
3. Personi që nuk respekton detyrimet e njoftimit, brenda afateve të përcaktuara në pikën 2 të këtij neni, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet. Përveç dënimit me burgim vendoset edhe konfiskimi i sendeve të fituara dhe i pagesave të marra, për të cilat nuk është respektuar detyrimi i njoftimit.

KREU III
GJYKIMI I KËRKESËS PËR SEKUESTRIMIN E PASURIVE

Neni 13
Kriteret për sekuestrimin e pasurive
1. Gjykata, me kërkesë të prokurorit, duke parashtruar arsyet përkatëse, vendos sekuestron e pasurive, për të cilat ka të dhëna se mund të jenë, drejtpërdrejt ose tërthorazi, në zotërim të personit ndaj të cilit zhvillohen hetimet sipas këtij ligji, kur:
a) vlera e tyre rezulton të jetë në përmasa që nuk u përgjigjet të ardhurave të deklaruara ose veprimtarisë ekonomike të zhvilluar prej tij;
b) në bazë të të dhënave të mjaftueshme, ka shkaqe të bazuara për të menduar se këto sende janë produkt i veprimtarive të paligjshme ose përbëjnë investim të tyre.
2. Prokurori mund t'i kërkojë gjykatës ta detyrojë personin, ndaj të cilit zhvillohen hetimet, ose ata që kanë titullin e pronarit apo zotërojnë çfarëdo titulli, fonde ose pasuri të çdo lloji, me vlerë që nuk përputhet me të ardhurat ose aftësitë e tyre ekonomike, që të justifikojnë ligjshmërinë e prejardhjes së tyre.

Neni 14
Kryerja e veprimeve të tjera hetimore
Gjykata, me kërkesë të prokurorit ose kryesisht, mund të kryejë veprime të tjera, përveç atyre të parashikuara në kreun II të këtij ligji.

Neni 15
Procedimi në mungesë të personit të dyshuar
Me kërkesë të prokurorit, gjykata mund të vendosë vazhdimin e procedimit dhe masën e sekuestros edhe në rastet kur personi i dyshuar, sipas nenit 3 të këtij ligji, nuk ka banim të njohur brenda vendit, është larguar jashtë vendit ose, me gjithë kërkimet e bëra, nuk gjendet.

Neni 16
Pasuritë e sekuestruara që u përkasin të tretëve
1. Kur gjatë shqyrtimit gjyqësor del se pasuritë e sekuestruara u përkasin personave të tretë, gjykata, edhe kryesisht, me vendim të arsyetuar, i thërret ata për të ndërhyrë në procesin që zhvillohet sipas këtij ligji.
2. Personi i tretë, brenda afatit që i caktohet nga gjykata, ka të drejtë të paraqesë në seancë pretendimet e veta, si dhe të kërkojë marrjen e të dhënave të tjera të nevojshme për vendimin e sekuestros.

Neni 17
Ekzekutimi i masës së sekuestros
Për ekzekutimin e masës së sekuestros, sipas këtij ligji, zbatohen mënyrat e parashikuara në Kodin e Procedurës Civile.

Neni 18
Shpenzimet e sekuestrimit
1. Shpenzimet për sekuestrimin, sipas këtij ligji, parapaguhen nga shteti dhe kompensohen nga personi, ndaj të cilit zhvillohen hetimet, në rast se vendoset sekuestrimi i pasurisë.
2. Shpenzimet e parapaguara nga shteti nuk kompensohen, nëse gjykata nuk vendos masën e sekuestrimit të pasurisë.

KREU IV
ADMINISTRIMI I PASURISË SË SEKUESTRUAR

Neni 19
Administratori i pasurisë së sekuestruar
1. Në vendimin e sekuestrimit, sipas këtij ligji, gjykata cakton administratorin e pasurisë së sekuestruar.
2. Administratori zgjidhet nga radhët e personave të punësuar ose të autorizuar nga Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.
3. Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, me kërkesë të administratorit, mund ta autorizojë atë që të kërkojë ndihmën e specialistëve ose të personave të tjerë, të cilët shpërblehen për punën e bërë.

Neni 20
Detyrat e administratorit
1. Administratori ka për detyrë të ruajë dhe të administrojë pasurinë e sekuestruar. Gjithashtu, ai ka për detyrë të rrisë, nëse është e mundur, vlerën e këtyre pasurive.
2. Gjykata, kryesisht ose me kërkesë të prokurorit, mund ta shkarkojë administratorin nga detyra, në çdo kohë, për shkak të paaftësisë së tij ose të mospërmbushjes së detyrës.

Neni 21
Ndalime për administratorin
Përveç rasteve kur autorizohet paraprakisht nga gjykata, administratori nuk lejohet të marrë pjesë në gjykim, të marrë kredi, të nënshkruajë marrëveshje pajtimi, arbitrazhi, premtimi, dorëzanie, hipotekimi ose tjetërsimi të pasurisë së sekuestruar apo të kryejë veprime të tjera juridike administrimi jo të zakonshme.

Neni 22
Raportimet e administratorit
1. Brenda 15 ditëve nga emërimi i tij, administratori detyrohet t'i paraqesë gjykatës një raport të hollësishëm për elementet thelbësore të ekzistencës dhe gjendjes, në të cilën ndodhet pasuria e sekuestruar. Në vijim, sipas afateve të caktuara nga gjykata, administratori i paraqet asaj raporte periodike për administrimin e pasurisë së sekuestruar, të shoqëruara, nëse kërkohet, me dokumentacionin përkatës.
2. Administratori është i detyruar të njoftojë gjykatën edhe për pasuri të tjera, që mund të jenë objekt i masës së sekuestros, për ekzistencën e të cilave është vënë në dijeni gjatë administrimit.
3. Administratori detyrohet që raportet e përcaktuara në pikat 1 e 2 të këtij neni, t'ia dërgojë edhe prokurorit.

Neni 23
Përballimi i shpenzimeve të administrimit
1. Shpenzimet e nevojshme ose të dobishme për ruajtjen dhe administrimin e pasurisë së sekuestruar përballohen nga fondet e siguruara nga administratori, në çdo lloj cilësie a burimi të
ligjshëm.
2. Nëse nëpërmjet administrimit të pasurisë së sekuestruar nuk përfitohen fonde të mjaftueshme për përballimin e shpenzimeve, sipas pikës 1 të këtij neni, ato parapaguhen nga shteti nëpërmjet Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.
3. Në rastet e vendosjes së masës së konfiskimit të pasurisë, shpenzimet e përballuara për administrimin e kësaj pasurie nga administratori ose Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara përfshihen në llogaritë e administrimit të tyre. Nëse fondet e llogarive të administrimit nuk janë të mjaftueshme për të përballuar pagesën e këtyre shpenzimeve, ato paguhen pjesërisht ose plotësisht nga shteti, pa të drejtë kompensimi.
4. Kur gjykata vendos revokimin e masës së sekuestros, pronari i pasurisë detyrohet të kompensojë përfitimet që ka pasur pasuria e tij gjatë administrimit. Ai ka të drejtë të kërkojë kompensimin në masën e pakësimit të vlerës së pasurisë ose të dëmit që i është shkaktuar pasurisë.

KREU V
KONFISKIMI I PASURISË SË SEKUESTRUAR

Neni 24
Kërkesa për konfiskimin e pasurisë së sekuestruar
Masa e konfiskimit vendoset me kërkesën e prokurorit, i cili i paraqet gjykatës arsyet ku bazohet kërkesa.

Neni 25
Vendimi i gjykatës për konfiskimin
1. Gjykata, brenda 3 muajve nga paraqitja e kërkesës, sipas nenit 24 të këtij ligji, vendos konfiskimin e pasurisë së sekuestruar, për të cilën nuk vërtetohet prejardhja e ligjshme.
2. Vendimi i gjykatës për konfiskim mund të shpallet në një afat të mëvonshëm, por jo më shumë se 12 muaj nga data e paraqitjes së kërkesës. Me kërkesë të prokurorit, gjykata mund të vendosë shtyrjen e këtij afati edhe për një periudhë tjetër njëvjeçare.
3. Në përcaktimin e afateve të parashikuara në pikat 1 dhe 2 të këtij neni, gjykata mban parasysh kohën e pezullimit të gjykimit.

Neni 26
Refuzimi i kërkesës për konfiskim
Gjykata, edhe kryesisht, vendos refuzimin e kërkesës për konfiskimin e pasurisë dhe revokon masën e sekuestros kur:
a) nuk ka të dhëna të mjaftueshme, që vërtetojnë pjesëmarrjen e personit të dyshuar në veprimtaritë kriminale, të parashikuara në nenin 3 të këtij ligji;
b) rezulton se pasuria e sekuestruar ka prejardhje të ligjshme;
c) rezulton se pasuria e sekuestruar nuk është, drejtpërdrejt ose tërthorazi, në zotërim të pjesshëm apo të plotë të personit të dyshuar.

Neni 27
Marrëdhëniet me procedimin penal
1. Masa e sekuestrimit ose e konfiskimit mund të vendoset edhe ndaj pasurive të sekuestruara në një procedim penal.
2. Zbatimi i masave të vendosura, sipas pikës 1 të këtij neni, pezullohet për të gjithë periudhën e zhvillimit të procedimit penal.
3. Masat e vendosura, sipas pikës 1 të këtij neni, shuhen kur vendoset konfiskimi i të njëjtave pasuri në procedimin penal.

KREU VI
ANKIMI

Neni 28
Ankimi kundër vendimeve të sekuestrimit ose të konfiskimit
1. Kundër vendimit të gjykatës për sekuestrimin e pasurisë ose konfiskimin e pasurisë së sekuestruar mund të bëhet ankim në gjykatën e apelit, sipas afateve dhe kushteve të gjykimit, të parashikuara në Kodin e Procedurës Civile. Ankimi nuk pezullon zbatimin e vendimit.
2. Kundër vendimit të gjykatës së apelit mund të bëhet ankim në Gjykatën e Lartë brenda 30 ditëve nga data e dhënies së vendimit.

Neni 29
Ekzekutimi i vendimit të konfiskimit dhe revokimit të sekuestrimit
1. Vendimi i konfiskimit të pasurive të sekuestruara vihet në ekzekutim menjëherë pas shpalljes së tij.
2. Vendimi i revokimit të masës së sekuestrimit të pasurisë vihet në ekzekutim 15 ditë pas njoftimit të palëve të interesuara.

KREU VII
PËRDORIMI I PASURIVE TË KONFISKUARA

Neni 30
Kalimi i pasurive të konfiskuara në favor të shtetit
1. Pasuritë e konfiskuara me vendim gjykate, sipas këtij ligji, kalojnë në favor të shtetit.
2. Vendimi i formës së prerë për konfiskimin e pasurive i dërgohet menjëherë Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.

Neni 31
Kompetenca për mënyrën e përdorimit të pasurive të konfiskuara
1. Mënyra e përdorimit të pasurive të luajtshme, pasurive të paluajtshme dhe pasurive që shërbejnë në veprimtari ekonomike e tregtare vendoset nga Ministri i Financave, në bazë të raportit të vlerësimit tekniko-financiar, si dhe të mundësive të përdorimit të tyre, të përcaktuara nga Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, në përputhje me kriteret e neneve 33, 34 dhe 35 të këtij ligji, si dhe në këshillim paraprak, brenda 10 ditëve nga paraqitja e raportit të vlerësimit, me njësitë e qeverisjes vendore ku gjendet kjo pasuri e paluajtshme.
2. Raporti i vlerësimit tekniko-financiar i paraqitet Ministrit të Financave brenda 90 ditëve nga njoftimi i vendimit gjyqësor të parashikuar në pikën 2 të nenit 30 të këtij ligji.
3. Ministri i Financave, me urdhër, përcakton mënyrën dhe kushtet e përdorimit të pasurive të paluajtshme të konfiskuara dhe nxjerr udhëzimet shoqëruese të përdorimit brenda 30 ditëve nga paraqitja e raportit të vlerësimit tekniko-financiar, por jo më vonë se 120 ditë nga data e njoftimit të vendimit gjyqësor të parashikuar në pikën 2 të nenit 30 të këtij ligji.

Neni 32
Detyrat e administratorit të pasurive të konfiskuara
Administratori i caktuar nga gjykata, gjatë fazës së sekuestrimit të pasurive, vazhdon ushtrimin e detyrave, në emër dhe për llogari të Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, për aq kohë sa nuk është zëvendësuar prej saj me një person tjetër.

Neni 33
Përdorimi i pasurive të luajtshme dhe i mjeteve monetare
Administratori kryen veprimet e nevojshme për të dorëzuar në llogaritë e Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara fondet në mjete monetare:
a) të konfiskuara, që nuk do të përdoren për administrimin e pasurive të tjera të konfiskuara ose që nuk do të përdoren për dëmshpërblimin e viktimave të veprave penale të krimit të organizuar;
b) të përfituara nga shitja e pasurive të luajtshme, që nuk përdoren në veprimtarinë e personit juridik tregtar dhe të titujve, në vlerën neto, të përfituara nga shitja e pasurive për dëmshpërblimin e viktimave të krimit të organizuar. Nëse procedurat e shitjes janë antiekonomike, Ministri i Financave vendos transferimin e pronësisë pa pagesë ose shkatërrimin e pasurisë së konfiskuar nga administratori;
c) që përfitohen nga rimarrja e kredive personale, nëse procedura e rimarrjes së tyre është antiekonomike ose, kur pas verifikimeve të bëra nga Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, për aftësinë paguese të debitorit, rezulton se ai nuk ka aftësi paguese, kreditë personale anulohen nga Ministri i Financave.

Neni 34
Përdorimi i pasurive të paluajtshme
1. Pasuritë e paluajtshme të konfiskuara përdoren si më poshtë:
a) shiten për dëmshpërblimin e viktimave të krimit të organizuar;
b) kalojnë në administrim të organeve të sistemit të drejtësisë, të rendit publik dhe mbrojtjes civile, për përmbushjen e funksioneve të tyre ose për qëllime sociale;
c) kalojnë në pronësi të njësive të qeverisjes vendore, ku gjendet pasuria e paluajtshme, për përmbushjen e funksioneve të tyre ose për qëllime sociale.
2. Institucioni qendror ose njësia e qeverisjes vendore, në rastet e përdorimit për qëllime sociale, mund ta administrojë drejtpërdrejt pasurinë e paluajtshme ose t'ua japë në përdorim, pa shpërblim, organizatave jofitimprurëse apo enteve të tjera publike, që kanë për objekt të veprimtarisë së tyre rehabilitimin social, kulturor e shëndetësor të shtresave në nevojë, veçanërisht atyre të prekura apo të rrezikuara nga krimi, përfshirë organizatat dhe qendrat terapeutike, të riaftësimit dhe kurimit të përdoruesve të substancave narkotike, si dhe qendrat e asistencës dhe të rehabilitimit të viktimave të trafikut të qenieve njerëzore.
3. Institucioni qendror ose njësitë e qeverisjes vendore janë të detyruara ta përdorin pasurinë e paluajtshme sipas mënyrës së caktuar të përdorimit, brenda një viti nga kalimi në administrim apo pronësi.
4. Institucionet qendrore që kanë në administrim, si dhe njësitë vendore që kanë në pronësi pasuritë e paluajtshme të konfiskuara, çdo gjashtëmujor, i dërgojnë Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara një raport të hollësishëm për gjendjen dhe mënyrën e përdorimit të pasurisë së paluajtshme.

Neni 35
Mënyra e përdorimit të pasurive dhe veprimtarive tregtare
1. Veprimtaritë tregtare dhe pasuritë e paluajtshme të konfiskuara, që janë të vendosura në veprimtarinë e personave juridikë tregtarë, kalojnë në pronësi të shtetit.
2. Mbështetur në vlerësimin tekniko-financiar të Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, kur rezultojnë parashikime të bazuara për vazhdimësinë ose ripërtëritjen e veprimtarisë tregtare dhe të pasurive, sipas pikës 1 të këtij neni, apo zgjidhje të mundshme që ofrojnë ruajtjen ose një nivel të kënaqshëm punësimi, ato administrohen dhe përdoren si më poshtë:
a) u jepen në përdorim me qira dhe në forma të tjera të përdorimit me shpërblim personave juridikë publikë ose privatë, kundrejt kushteve të caktuara në ngarkim të tyre;
b) i jepen në përdorim me qira dhe në forma të tjera të përdorimit me shpërblim bashkësisë së punonjësve të personit juridik, veprimtaria e të cilit është konfiskuar, pa kushte të caktuara për përfituesin. Nuk lejohet dhënia në përdorim me qira bashkësive të punonjësve të personit juridik të konfiskuar, nëse anëtarë të saj janë bashkëshortja, të afërmit, krushqia ose bashkëjetuesja/i me
personin ndaj të cilit është zbatuar masa e konfiskimit;
c) u shiten subjekteve që kanë paraqitur kërkesë, me një çmim jo më të ulët se vlerësimi i përcaktuar nga Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara. Shitja vendoset kur një zgjidhje e tillë ofron më shumë përparësi me interes publik ose kur të ardhurat e kësaj shitjeje do të përdoren për dëmshpërblimin e viktimave të krimit të organizuar. Në rastet kur shitja bëhet në mbarim të afatit të kontratës së qirasë apo dhënies në përdorim me shpërblim, përkatësisht, qiramarrësi ose përdoruesi i tyre mund të ushtrojë të drejtën e parablerjes brenda 30 ditëve nga njoftimi i procedurës së shitjes, që bëhet nga Ministri i Financave;
ç) vendosen në likuidim, nëse një zgjidhje e tillë ofron më shumë përparësi me interes publik ose kur fondet që do të sigurohen nga likuidimi do të përdoren për dëmshpërblimin e viktimave të krimit të organizuar.

Neni 36
Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara
1. Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara është institucioni përgjegjës për administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara.
2. Rregullat e hollësishme për organizimin, kompetencat dhe funksionimin e Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara caktohen nga Këshilli i Ministrave.
3. Rregullat e hollësishme për kriteret e vlerësimit, mënyrat dhe procedurat e dhënies në përdorim dhe të tjetërsimit të pasurive të konfiskuara caktohen nga Këshilli i Ministrave.

Neni 37
Komiteti Këshillues për Masat Kundër Krimit të Organizuar
1. Për bashkërendimin e veprimtarive në zbatim të këtij ligji, për vlerësimin e ecurisë së administrimit dhe përdorimit të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, për dhënien e mendimit për kërkesat për financim të projekteve nga Fondi i Posaçëm për Parandalimin e Kriminalitetit dhe Edukimin Ligjor, si dhe për çështje të tjera që lidhen me parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, pranë Këshillit të Ministrave ngrihet dhe funksionon Komiteti Këshillues për Masat Kundër Krimit të Organizuar.
2. Komiteti thirret nga Kryeministri dhe në të marrin pjesë titullarët e institucioneve përgjegjëse për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, që janë në varësi të Këshillit të Ministrave, Prokurori i Përgjithshëm, Kryetari i Zyrës së Administrimit të Buxhetit Gjyqësor, Kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë, si dhe drejtuesit e shoqatave kombëtare të bashkive dhe komunave.
3. Në veprimtaritë e Komitetit mund të ftohen të marrin pjesë edhe përfaqësues nga institucione publike ose organizata të tjera, vendase a të huaja, veprimtarë në fusha me interes për zbatimin e këtij ligji.
4. Komiteti mblidhet së paku një herë në 3 muaj. Komiteti, me propozimin e Kryeministrit, miraton rregullat e hollësishme për funksionimin e tij.

Neni 38
Raportimi periodik në Këshillin e Ministrave
Ministri i Financave, në përfundim të çdo viti financiar, i paraqet Këshillit të Ministrave raportin për administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara sipas këtij ligji.

Neni 39
Fondi i Posaçëm për Parandalimin e Kriminalitetit dhe Edukimin Ligjor
1. Për një periudhë pesëvjeçare, duke filluar nga viti financiar 2005, 50 për qind e të ardhurave në Buxhetin e Shtetit, të përfituara sipas neneve 33 e 35 të këtij ligji, do të përdoren për ngritjen e Fondit të Posaçëm për Parandalimin e Kriminalitetit dhe Edukimin Ligjor.
2. Ky Fond do të shërbejë për mbështetjen financiare të projekteve, që synojnë administrimin
për qëllime institucionale, sociale ose për interes publik të pasurive të paluajtshme të konfiskuara, si dhe për projekte konkrete për:
a) riaftësimin dhe kurimin e përdoruesve të substancave narkotike, si dhe asistencën e rehabilitimin e viktimave të trafikut të qenieve njerëzore;
b) përmirësimin e infrastrukturës, të shërbimeve dhe jetesës në zona me probleme sociale;
c) zhvillimin e veprimtarive dhe të programeve shkollore për edukimin ligjor;
ç) nxitjen dhe zhvillimin e edukatës së punës te brezi i ri dhe, në veçanti, te personat e papunë ose që jetojnë në zona me probleme sociale.
3. Përveç institucioneve qendrore, përfitues të financimit të projekteve, sipas pikës 2 këtij neni, mund të jenë:
a) njësitë e qeverisjes vendore, ku ndodhen pasuritë e paluajtshme të konfiskuara;
b) organizatat jofitimprurëse ose entet e tjera publike, që kanë për objekt të veprimtarisë së tyre rehabilitimin social, kulturor e shëndetësor të shtresave në nevojë, veçanërisht atyre të prekur apo të rrezikuar nga krimi, përfshirë organizatat dhe qendrat terapeutike, qendrat e riaftësimit dhe të kurimit të përdoruesve të substancave narkotike, si dhe qendrat e asistencës dhe të rehabilitimit të viktimave të trafikut të qenieve njerëzore, që në tre vitet e fundit nga paraqitja e kërkesës zhvillojnë veprimtari të tilla.
4. Kërkesat për financimin e projekteve, sipas këtij neni, verifikimi dhe përgatitja e dokumentacionit për mendim në Komitetin Këshillues për Masat Kundër Krimit të Organizuar, si dhe ndjekja e zbatimit të tyre bëhen nga strukturat e Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.
5. Ministri i Financave, mbështetur në mendimin e Komitetit Këshillues për Masat Kundër Krimit të Organizuar, me urdhër, përcakton financimin e projektit dhe mënyrat e përdorimit të fondit të vënë në dispozicion të kërkuesit.

Neni 40
Dispozitë kalimtare
1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave që, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të pikave 2 e 3 të nenit 36 të këtij ligji.
2. Deri në ditën e fillimit të veprimtarisë së Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, funksionet e saj ushtrohen nga strukturat e Ministrisë së Financave.
Neni 41
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Shpallur me dekretin nr.4371, datë 26.10.2004 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu

Kontaktim i Shpejte

Ju mund te hyni ne lidhje direkte me ne. JU LUTEMI TI PERGJIGJENI DHE PYETJES TONE KJO PER EFEKTE SIGURIE.
Email:
Subject:
Message:
Sa kembe ka njeriu ?

Ne ndiqni ne Facebook