You are here: Faqja E PareLegjislacioni ShqipetarLigje e VendimeLigji per Amnistin Fiskale


Ligji per Amnistin Fiskale

REPUBLIKA E SHQIPËRISË
KUVENDI
L I G J
Nr. 10 418, datë 21.4.2011
PËR LEGALIZIMIN E KAPITALIT DHE FALJEN E NJË PJESE
TË BORXHIT TATIMOR DHE DOGANOR
Në mbështetje të neneve 78, 83 pika 1 dhe 155 të Kushtetutës, me propozimin e
Këshillit të Ministrave,
K U V E N D I
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME


Neni 1
Objekti i ligjit
Ky ligj:a) përcakton parimet dhe garancitë, veprimet e subjekteve që përfitojnë nga legalizimi i kapitalit, kompetencat e organeve të administratës publike e të bankave, që të marrin pjesë në procesin e legalizimit të kapitalit, si dhe veprimtaritë e lidhura me këtë proces;
b) parashikon faljen e një pjese të borxhit tatimor e doganor, kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore dhe kompetencat e organeve të administratave tatimore e doganore, të cilat evidentojnë tatimpaguesit/debitorët që përfitojnë nga ky ligj.

Neni 2
Qëllimi i ligjit
Qëllimi i këtij ligji është:
a) sigurimi i garancive ligjore të lidhura me procesin e legalizimit të kapitalit, ruajtjen e sekretit të subjekteve të përfshira në këtë proces dhe të informacioneve që ata i japin administratës apo subjekteve të tjera, të përfshira gjatë dhe pas legalizimit 2 të kapitalit, si dhe mosfillimin apo ndërprerjen ndaj këtyre subjekteve, nga ana e institucioneve përkatëse të administratës tatimore e doganore, të procedurave administrative dhe të nxjerrjes së vendimeve të kundërvajtjeve administrative të lidhura me fshehjen e të ardhurave dhe/apo mospagimin e taksave dhe të tatimeve ndaj këtyre subjekteve;
b) sigurimi i garancive ligjore për pushimin e veprimeve procedurale të mbetura, të parashikuara në legjislacionin tatimor, doganor, si dhe atë të kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore e që lidhen me mbledhjen me forcë të këtyre detyrimeve.

Neni 3
Përkufizime
Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. “Legalizim i kapitalit” është:
a) deklarimi vullnetar i bërë nga individë, shtetas të Republikës së Shqipërisë, persona fizikë të regjistruar si të tillë në organet përkatëse, apo përfaqësues të këtyre dy kategorive të mësipërme, për zotërimin e shumave në të holla, brenda ose jashtë vendit, si dhe pagimi i tarifës së bërë në institucionet përkatëse për depozitimin e kësaj shume në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri;
b) deklarimi vullnetar i bërë nga persona juridikë, me seli në Republikën e Shqipërisë, të cilët janë të regjistruar në administratën tatimore të Republikës së Shqipërisë, i diferencës pozitive që rezulton nga rivlerësimi i pasurisë, i përcaktuar në këtë ligj, si dhe pagimi i tarifës së bërë në institucionet përkatëse për këtë rivlerësim.
2. “Shumë në të holla” është si kartëmonedha shqiptare me kurs ligjor, ashtu edhe monedha e huaj.
3. “Ruajtje e sekretit” është ruajtja e fshehtësisë për çdo veprim që mund të ketë pasur rezultat apo jo, për çdo fakt, për çdo informacion të ofruar nga subjekti i legalizimit apo përfaqësuesi i posaçëm i tij, për çdo të dhënë për kapitalin e legalizuar, me përjashtim të:
a) detyrimit për vënien në dispozicion të tyre nëpunësve shtetërorë të ngarkuar me detyra të lidhura me procesin e legalizimit të kapitalit;
b) detyrimit për vënien në dispozicion të tyre nëpunësve shtetërorë të punësuar në organet e administratës shtetërore dhe të autorizuar nga ky ligj për të ndjekur procesin e legalizimit të kapitalit;
c) rasteve të tjera të përcaktuara nga legjislacioni shqiptar.

Neni 4
Zbatimi i ligjeve të tjera
1. Dispozitat e legjislacionit tatimor, doganor dhe të sigurimeve shoqërore, të cilat parashikojnë kompetencat e këtyre organeve të administratës publike, që janë përgjegjëse për mbikëqyrjen e zbatimit të këtij legjislacioni, duke përfshirë edhe përgjegjësinë për fillimin e procedurave administrative, gjatë kohës së zbatimit të këtij
ligji, aplikohen në përputhje me këtë ligj.

2. Ndërprerja e procedurave administrative, e parashikuar në pikën 1 shkronja “a” të nenit 2 të këtij ligji, nuk zbatohet nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive.
3. Dispozitat e këtij ligji nuk zbatohen për kapitalin që përfshihet në fushën e zbatimit të ligjit nr. 10 192, datë 3.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”.
4. Dispozitat e këtij ligji nuk zbatohen për kapitalin e përfituar si rezultat i veprave penale të korrupsionit në sektorin publik ose privat, si dhe të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm.

KREU II
LEGALIZIMI I KAPITALIT
SEKSIONI I
RREGULLA TË PËRGJITSHME PËR LEGALIZIMIN E KAPITALIT

Neni 5
Subjektet që përfitojnë nga procesi i legalizimit të kapitalit Në rrethin e subjekteve, që përfitojnë nga procesi i legalizimit të kapitalit, përfshihen:
a) personat fizikë apo juridikë, që deklarojnë, brenda kushteve të parashikuara nga ky ligj, shuma në të holla, dhe/apo diferencat pozitive që rezultojnë nga rivlerësimi i pasurive;
b) individët, me shtetësi shqiptare, që deklarojnë, brenda kushteve të parashikuara nga ky ligj, shuma në të holla.

Neni 6
Subjektet e përjashtuara nga procesi i legalizimit të kapitalit
Nga të drejtat e parashikuara në këtë kre, nuk përfitojnë ata individë, të cilët, në përputhje me legjislacionin e fushës, i nënshtrohen detyrimit ligjor për deklarimin e pasurisë pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive.

Neni 7
Organet shtetërore të përfshira në procesin e legalizimit të kapitalit
Në procesin e legalizimit të kapitalit marrin pjesë:
a) autoritetet mbikëqyrëse të institucioneve financiare bankare, të organizuara dhe të rregulluara sipas ligjeve respektive;
b) administrata doganore, administrata tatimore qendrore dhe lokale, zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, si dhe institucione të tjera, veprimtaria e të cilave është e lidhur drejtpërdrejt me këtë proces.


SEKSIONI II
PROCEDURAT E LEGALIZIMIT TË KAPITALIT

Neni 8
Kushti për deklarim vullnetar
1. Individët, personat fizikë, si edhe personat juridikë duhet të deklarojnë se duan të legalizojnë vullnetarisht kapitalin, të cilin nuk e kanë deklaruar më parë, ose për të cilin më parë kanë deklaruar një vlerë më të vogël se ajo çfarë duhet të deklaronin.
2. Deklarimi vullnetar është kusht për fillimin e procedurës së legalizimit të kapitalit.


Neni 9
Deklarimi i shumave në të holla nga individët
Deklarimi i shumave në të holla nga individët bëhet si më poshtë:
a) individi ose përfaqësuesi i posaçëm duhet të plotësojë një formular aplikimi për depozitim të shumës në të holla në një numër llogarie bankare të hapur prej tyre për këtë qëllim. Aplikimi plotësohet në 2 kopje;
b) formulari verifikohet nga banka, në prezencë të aplikuesit, për mënyrën e plotësimit të tij;
c) banka, me marrjen e aplikimit, i jep individit ose përfaqësuesit të posaçëm kopjen e dytë të aplikimit, të verifikuar nga banka, me shënimin se është depozituar;
ç) në rastet e deklarimit të shumave në të holla dhe të depozitimit të tyre në llogaritë bankare, banka mban, si tatim në burim, shumën prej 3 për qind të shumës totale të deklaruar;
d) bankat transferojnë tatimet e mbledhura në llogaritë e thesarit të Ministrisë së Financave.

Neni 10
Deklarimi i shumave në të holla nga personat fizikë të regjistruar
1. Deklarimi i shumave në të holla nga individët e regjistruar si persona fizikë tregtarë bëhet sipas rregullave të nenit 9 të këtij ligji, duke përfshirë edhe pagimin e tatimit në burim. Personat fizikë tregtarë plotësojnë në formularin e deklarimit edhe numrin e identifikimit të personit tatimpagues, NIPT-it.
2. Detyrimet tatimore të këtij personi fizik, deri më 31 dhjetor 2010, konsiderohen të paguara rregullisht dhe administratat tatimore nuk mund t'i kërkojnë pagesën e detyrimeve të tjera shtesë ndaj atyre të paguara, për këtë periudhë.

Neni 11
Rivlerësimi i pasurive të personave juridikë
1. Personat juridikë, që kanë të regjistruar ne pasqyrat e tyre financiare pasuri të paluajtshme, makineri dhe pajisje me vlerë më të vogël se ajo e tregut, kanë të drejtë të bëjnë, brenda periudhës së zbatimit të këtij ligji, rivlerësimin me vlerën e tregut të këtyre pasurive.
2. Rivlerësimi me vlerën e tregut bëhet nga ekspertë të pavarur të licencuar për vlerësimin e pasurisë, nga institucionet përkatëse.
3. Diferenca nga vlera kontabël e regjistruar në pasqyrat financiare me vlerën, që rezulton nga rivlerësimi, pasqyrohet në pasqyrat financiare të vitit 2011 dhe është e amortizueshme për efekte fiskale.
4. Personat juridikë paguajnë për këtë rivlerësim tarifat e mëposhtme:
a) 3 për qind të diferencës ndërmjet vlerës së rivlerësimit dhe vlerës kontabël të regjistruar, për pasuritë e paluajtshme;
b) 5 për qind të diferencës ndërmjet vlerës së rivlerësimit dhe vlerës kontabël të regjistruar, për makineri/pajisje.

Neni 12
Mbyllja e procedurave të legalizimit të kapitalit
Kapitali quhet i legalizuar sipas rastit:
a) nga çasti kur shumat depozitohen në llogarinë përkatëse bankare, për individët dhe personat fizikë tregtarë, që deklarojnë shumat në të holla, dhe kur është paguar tatimi në burim, të parashikuar në nenet 9 e 10 të këtij ligji;
b) nga çasti i aplikimit në administratën tatimore dhe i pagesës së detyrimeve, të parashikuara në pikën 4 të nenit 11 të këtij ligji, për personat juridikë, që rivlerësojnë pasuri të paluajtshme dhe makineri e pajisje.

Neni 13
Garancitë e subjekteve në procesin e legalizimit të kapitalit
1. Individët, personat fizikë tregtarë e juridikë, që marrin pjesë në procesin e legalizimit të kapitalit, gëzojnë këto garanci:
a) të ardhurat pas kryerjes së pagesës së detyrimeve, sipas parashikimeve në këtë ligj, konsiderohen si të ardhura, për të cilat detyrimet tatimore janë paguar në përputhje me legjislacionin shqiptar;
b) lejimin, në përputhje me ligjin, për mosdhënien e informacionit për sa i përket mënyrës së krijimit të këtyre të ardhurave;
c) të drejtën e ruajtjes së sekretit, sipas përkufizimit të këtij ligji, për sa i përket legalizimit të kapitalit;
ç) garanci për subjektet, që kanë legalizuar kapitalin, për mosdiskriminimin në të ardhmen, në procedurat e përllogaritjes së detyrimeve tatimore.
2. Çdo paqartësi në zbatimin e këtij ligji interpretohet në favor të subjekteve që legalizojnë kapitalin.

Neni 14
Kufizimet që pasojnë legalizimin e kapitalit
Bankat, në të cilat janë depozituar shuma në të holla, sipas këtij ligji, informojnë
subjektet që deklarojnë për kushtet e parashikuara në këtë paragraf dhe në nenin 15 të këtij ligji, për rastet kur ata, pas legalizimit, mund të dëshirojnë të kryejnë transferta bankare për shumat e deklaruara, sipas këtij ligji, ose ekuivalentin monetar të tyre në shuma më të vogla apo të barabarta me sasinë e legalizuar, jashtë shtetit, për tre vjet që nga data e legalizimit të tyre, si nga banka ku kanë legalizuar kapitalin, ashtu edhe nga banka të tjera, në të cilat kanë depozituar shuma në të holla.


Neni 15
Transferimi i shumave në të holla përpara afatit
1. Në rastet kur subjektet/individët, që kanë deklaruar shuma në të holla, dëshirojnë të transferojnë këto shuma ose ekuivalentin e tyre jashtë shtetit, përpara afatit 3-vjeçar nga data e legalizimit të tyre, u mbahet si penalitet:
a) 13 për qind e shumës së legalizuar, kur kjo bëhet brenda një viti nga data e legalizimit. Kur transferohen shuma më të mëdha ose më të vogla, shuma e penalitetit përllogaritet në raport me shumën e transferuar, por, në çdo rast, nuk mund të kalojë 13 për qind të shumës së legalizuar që transferohet jashtë shtetit;
b) 6 për qind e shumës së legalizuar, kur kjo bëhet pas një viti, por brenda dy vjetëve nga data e legalizimit. Kur transferohen shuma më të mëdha ose më të vogla, shuma e penalitetit përllogaritet në raport me shumën e transferuar, por, në çdo rast, nuk mund të kalojë 6 për qind të shumës së legalizuar, që transferohet jashtë shtetit;
c) 3 për qind e shumës së legalizuar, kur kjo bëhet pas dy vjetëve, por brenda tre vjetëve nga data e legalizimit. Kur transferohen shuma më të mëdha ose më të vogla, shuma e penalitetit përllogaritet në raport me shumën e transferuar, por, në çdo rast, nuk mund të kalojë 3 për qind të shumës së legalizuar që do të transferohet jashtë shtetit.
2. Penalitetet e parashikuara në pikën 1 të këtij neni kalojnë në llogari të thesarit në Ministrinë e Financave, nga bankat, dhe janë në shtesë të shumës fillestare të paguar në çastin e legalizimit.

Neni 16
Përgjegjësia për zbatimin e kufizimeve për legalizimin e shumave në të holla
1. Përgjegjësia për zbatimin e kufizimeve në lidhje me transferimin e kapitalit jashtë shtetit i takon:
a) subjektit, që ka përfituar nga legalizimi i shumave në të holla, sipas këtij ligji, në rastet kur transferimi kërkohet të bëhet nga një bankë e ndryshme nga banka në të cilën është bërë legalizimi;
b) bankës, në rastet kur transferimi kërkohet të bëhet në bankën në të cilën është kryer legalizimi.
2. Banka qendrore, gjatë inspektimeve, nga hyrja në fuqi e këtij ligji, deri në tre vjet pas përfundimit të kohës së zbatimit të tij, mban në konsideratë zbatimin e dispozitave të këtij ligji në lidhje me kufizimet e lëvizjeve të shumave në të holla jashtë shtetit.

Neni 17
Ndërprerja e procedurës me vullnetin e të interesuarit
Rastet e ndërprerjes së procedurave të legalizimit të kapitalit, nga vetë subjekti, për çdo shkak apo rrethanë, konsiderohen si raste, për të cilat procedura e legalizimit nuk ka filluar. Në këto raste subjekti i nënshtrohet detyrimeve të legjislacionit në fuqi.


KREU III
FALJA E DETYRIMEVE TATIMORE DHE DOGANORE

Neni 18
Subjektet që përfitojnë
1. Nga falja e parashikuar në këtë kre përfitojnë:
a) të gjithë tatimpaguesit, ndaj të cilëve administratat tatimore nuk kanë detyrime për rimbursim të shumave, pavarësisht nga shkaku i këtij rimbursimi, apo kreditim të tatimeve, si dhe kur nuk rezultojnë me tepricë kreditore ndaj administratës tatimore;
b) të gjithë tatimpaguesit, ndaj të cilëve administratat tatimore kanë detyrime për rimbursim të shumave apo kreditim të tatimeve ose që rezultojnë me tepricë kreditore, në rastet kur pranojnë, me shkrim, që shuma për t'u rimbursuar apo për t'u kredituar nga administrata tatimore të zvogëlohet në vlerë të barabartë me shumën e detyrimit tatimor të falur;
c) të gjithë debitorët ndaj administratës doganore, sipas përcaktimeve të nenit 26 të këtij ligji.
2. Procedura e aplikimit për falje të detyrimeve tatimore dhe doganore miratohet me udhëzim të Ministrit të Financave.
3. Nga falja e detyrimeve tatimore e doganore përjashtohen zyrtarët që kanë detyrimin për deklarim të pasurisë, si dhe personat juridikë, në të cilët këta zyrtarë kanë aksione apo kuota kapitali.

Neni 19
Detyrimet tatimore që falen pa pagesë
Falen pa pagesa në favor të Buxhetit të Shtetit:
a) të gjitha detyrimet tatimore të personave fizikë, të regjistruara si subjekt i taksës vendore të biznesit të vogël, të mbetura të papaguara e që i përkasin periudhës tatimore deri më 31 dhjetor 2010;
b) të gjitha detyrimet tatimore të papaguara të individëve për periudhën tatimore deri më 31 dhjetor 2010.
c) detyrimet tatimore të papaguara të tatimpaguesve, persona juridikë apo persona fizikë, të regjistruar si subjekt i TVSH-së, që janë të evidentuar në regjistrat e administratave tatimore deri në datën 31 dhjetor 2008.
ç) të gjitha detyrimet e prapambetura të pronarëve të mjeteve për taksën e regjistrimit të përvitshëm të mjeteve dhe taksën vjetore të qarkullimit rrugor për periudhën deri më 31 dhjetor 2010. Gjithashtu, falen detyrimet për këto taksa, për të gjitha mjetet e dala jashtë qarkullimit, por të paçregjistruara deri në datën 31 dhjetor 2010.

Neni 20
Falja e detyrimit tatimor për tatimpaguesit, persona juridikë, apo tatimpaguesit e regjistruar si subjekt i TVSH-së
1. Detyrimet tatimore të papaguara të tatimpaguesve, persona juridikë, apo persona fizikë, të regjistruar si subjekt i TVSH-së, që janë të evidentuara në regjistrat e administratave tatimore në periudhën 1 janar 2009 deri më 31 dhjetor 2009, falen nëse tatimpaguesi, brenda periudhës së zbatimit të këtij ligji, paguan 30 për qind të
principalit të tatimit.
2. Detyrimet tatimore të papaguara, të tatimpaguesve persona juridikë, apo persona fizikë, të regjistruar si subjekt i TVSH-së, që janë të evidentuara në regjistrat e administratave tatimore në periudhën 1 janar 2010 deri më 31 dhjetor 2010, falen nëse tatimpaguesi, brenda periudhës së zbatimit të këtij ligji, paguan 50 për qind të
principalit të tatimit.

Neni 21
Falja e gjobave të lidhura me detyrimin për t'u pajisur me pajisje fiskale
Të gjithë tatimpaguesve, subjekt i taksës vendore të biznesit të vogël, që janë dënuar me gjobë administrative për mosinstalim të pajisjeve fiskale dhe e kanë instaluar pajisjen fiskale brenda datës 28 shkurt 2011, u falen shumat e gjobave të papaguara për mosplotësimin në kohë të detyrimit për t'u pajisur me pajisje fiskale.

Neni 22
Deklarimi vullnetar i detyrimit tatimor
1. Tatimpaguesit, të cilët për periudhat tatimore deri më 31 dhjetor 2010, e kanë deklaruar shumën e detyrimit tatimor më të vogël se detyrimi real, kanë të drejtë që, brenda periudhës së zbatimit të këtij ligji, të vetëdeklarojnë detyrimet reale tatimore përpara se ndaj tyre të ketë filluar një kontroll tatimor i administratës tatimore.
2. Tatimpaguesi, i cili deklaron detyrimin real, në përputhje me pikën 1 të këtij neni dhe paguan 50 për qind të detyrimit tatimor të vetëdeklaruar, i falet pjesa tjetër e detyrimit, së bashku me kamatëvonesat dhe gjobat, që do të aplikoheshin në këto raste.
3. Dispozitat e nenit 18 të këtij ligji, lidhur me kompensimin e tepricave kreditore apo shumave për t'u rimbursuar, zbatohen edhe për këtë rast.
4. Tatimpaguesit nuk përfitojnë nga kjo dispozitë, nëse nga kontrolli tatimor rezulton se detyrimi tatimor është më i madh se ai i vetëdeklaruar, sipas këtij neni.


Neni 23
Falja e detyrimeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për të vetëpunësuarit
1. Tatimpaguesve, të regjistruar si të vetëpunësuar, duke përfshirë edhe të vetëpunësuarit në bujqësi, u falen:
a) të gjitha detyrimet e papaguara të lidhura me derdhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore për veten e tyre, për periudhën deri në fund të vitit 2008;
b) të gjitha detyrimet e papaguara të lidhura me derdhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore për veten e tyre për periudhën nga 1 janari 2009 deri më 31 dhjetor 2010, me kusht që brenda datës 31 dhjetor 2011, të deklarojnë dhe të paguajnë të gjitha detyrimet që lindin gjatë vitit 2011.
2. Tatimpaguesit e përmendur në pikën 1 të këtij neni, që paguajnë të gjitha shumat e detyrimeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, brenda afatit të zbatimit të këtij ligji, përfitojnë nga falja e të gjitha gjobave dhe kamatëvonesave të lidhura me detyrimet e pashlyera.
3. Periudha, për të cilën nuk janë paguar sigurimet shoqërore dhe për të cilën kontributi është falur, nuk do të konsiderohet për efekt të përfitimit të së drejtës për pension.


Neni 24
Falja e detyrimeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për personat fizikë dhe juridikë
Të gjithë tatimpaguesve, persona fizikë dhe juridikë, të cilët nuk kanë derdhur të gjitha detyrimet e kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, të lidhura me periudhën deri më 31 dhjetor 2010, u falen të gjitha shumat e gjobave dhe të kamatëvonesave.

Neni 25
Detyrimet e administratës tatimore
Administrata tatimore, brenda një afati, që përcaktohet me udhëzim të Ministrit të Financave, evidenton kategoritë e tatimpaguesve, që përfitojnë nga falja e parashikuar në këtë ligj.

Neni 26
Falja e detyrimeve ndaj administratës doganore
1. Falen të gjitha detyrimet, gjobat dhe kamatëvonesat e debitorëve ndaj administratës doganore, të lindura deri më 31 dhjetor 2008 dhe të evidentuara nëpërmjet vendimeve të kësaj administrate, të kontabilizuara deri më 31 dhjetor 2010 dhe të papaguara, në përputhje me dispozitat e Kodit Doganor të Republikës së Shqipërisë.
2. Të gjithë debitorëve ndaj administratës doganore që, brenda afatit të zbatimit të këtij ligji, paguajnë 50 për qind të shumës së principalit të detyrimit, të lindur gjatë vitit 2009 dhe të evidentuar nëpërmjet vendimeve të kësaj administrate e të kontabilizuar dhe të papaguara deri në hyrjen në fuqi të këtij ligji, në përputhje me dispozitat e Kodit Doganor të Republikës së Shqipërisë, u falen gjobat dhe kamatëvonesat e papaguara, të lidhura me këto detyrime.
3. Të gjithë debitorëve ndaj administratës doganore që, brenda afatit të zbatimit të këtij ligji, paguajnë të gjithë shumën e principialit të detyrimit, të lindur gjatë vitit 2010 dhe të evidentuar nëpërmjet vendimeve të kësaj administrate dhe të kontabilizuar e të papaguar deri në hyrjen në fuqi të këtij ligji, në përputhje me dispozitat e Kodit Doganor të Republikës së Shqipërisë, u falen gjobat dhe kamatëvonesat e papaguara, të lidhura me këto detyrime.
4. Shtetasve, të cilët kanë futur në territorin doganor të Republikës së Shqipërisë automjete deri në fund të vitit 2010 dhe që nuk i kanë paguar detyrimet ndaj administratës doganore, u falen pjesa tjetër e principalit së bashku me gjobat dhe kamatëvonesat, që do të paguanin, nëse paguajnë 50 për qind të principalit të detyrimit
ndaj kësaj administrate.


Neni 27
Rivlerësimi i pasurisë së paluajtshme për individët
1. Të gjithë individët, të cilët kanë në pronësi pasuri të paluajtshme, kanë të drejtë që, brenda kohës së zbatimit të këtij ligji, të bëjnë rivlerësimin e kësaj pasurie me vlerën e tregut.
2. Ky rivlerësim mund të bëhet nga një ekspert i licencuar për vlerësimin e pasurisë së paluajtshme nga institucionet përkatëse ose nga zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme.
3. Në rast se individi zgjedh që të bëjë rivlerësimin me një ekspert të licencuar, atëherë aplikimit të tij për rivlerësim të pasurisë së paluajtshme i bashkëlidh edhe aktin e vlerësimit të ekspertit.
4. Zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme llogarisin diferencën ndërmjet çmimit të kontratës së regjistruar në këtë zyrë dhe vlerës së pasqyruar në akt ekspertim, si dhe tarifën që duhet të paguajë individi për të regjistruar këtë rivlerësim.
5. Në rast se individi zgjedh që rivlerësimi të kryhet nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme me çmimet minimale fiskale, atëherë ky fakt shprehet në aplikimin e tij për rivlerësim.
6. Në rastin e parashikuar në pikën 5 të këtij neni, zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme llogarisin diferencën ndërmjet çmimit të kontratës së regjistruar në këtë zyrë dhe vlerës së dalë nga rivlerësimi me çmimet minimale fiskale, si dhe tarifën që duhet të paguajë shtetasi për të regjistruar këtë rivlerësim.
7. Tarifa, që paguhet për regjistrimin e këtij rivlerësimi, është 1 për qind e diferencës ndërmjet vlerës së rivlerësimit me vlerën e kontratës së regjistruar në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme.
8. Në rastet kur pasuria e paluajtshme rezulton e regjistruar pa një kontratë shitjeje, atëherë, si vlerë regjistrimi, në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, konsiderohet vlera e çmimeve minimale fiskale në çastin e regjistrimit.
9. Aplikimi bëhet sipas formularëve standardë, të miratuar me urdhër të Ministrit të Financave.
10. Për shitjen e pasurisë, të bërë pas rivlerësimit, tatimi llogaritet si diferencë e çmimit të shitjes dhe çmimit të dalë nga rivlerësimi.

Neni 28
Procedura e shuarjes së borxhit fiskal
1. Brenda 2 muajve pas përfundimit të periudhës së zbatimit të këtij ligji, administratat fiskale përgjegjëse shuajnë detyrimet fiskale të falura, sipas këtij ligji, dhe bëjnë pasqyrimet e këtij fakti në regjistrat e tyre kontabël.
2. Procedura e shuarjes së detyrimeve fiskale të falura dhe të detyrimeve fiskale, të cilave u ka kaluar afati i parashkrimit, përcaktohet me udhëzim të Ministrit të Financave.

KREU IV
FALJA E DETYRIMEVE TË TJERA

Neni 29
Falja e detyrimeve të papaguara të energjisë elektrike
1. Falen detyrimet e prapambetura për energjinë elektrike, të faturuar dhe të papaguar deri më 31 dhjetor 2006, ndaj shoqërisë KESH, sh. a. nga debitorët familjarë të përcaktuar në këtë nen.
2. Falen kamatëvonesat e përllogaritura nga mospagesa e faturave të përmendura në pikën 1 të këtij neni.
3. Përfitojnë nga falja e parashikuar në pikat 1 dhe 2 të këtij neni debitorët, sipas kategorive të mëposhtme:
a) kryefamiljarët e familjeve që përfitojnë pagesën e ndihmës ekonomike;
b) familjet që kanë në përbërje anëtarë me aftësi të kufizuara, të verbër,
paraplegjikë ose tetraplegjikë, të lindur ose të bërë të tillë, të cilët deklarohen të paaftë për punë me vendim të komisioneve mjekësore të posaçme dhe që përfitojnë pagesë aftësie të kufizuar, kur personi është kryefamiljar dhe nuk ka anëtarë të familjes të punësuar në sektorin publik a privat ose të vetëpunësuar në sektorin privat;
c) kryefamiljarët që përfitojnë pagesë papunësie dhe që nuk kanë të ardhura të tjera;
ç) kryefamiljarët që përfitojnë pension pleqërie dhe jetojnë të vetëm ose kanë fëmijë në ngarkim, të cilët janë pa të ardhura dhe janë të papunë;
d) kryefamiljarët që përfitojnë pension, për të gjitha kategoritë, si dhe përfituesit me trajtim të veçantë, që kanë masë përfitimi më të vogël se të ardhurat minimale që përfitojnë pensionistët, të cilët janë pa të ardhura të tjera;
dh) kryefamiljarët që përfitojnë pension invaliditeti dhe nuk kanë anëtarë të familjes të punësuar në sektorin publik a privat ose nuk janë të vetëpunësuar;
e) gratë kryefamiljare;
ë) të gjithë personat kryefamiljarë që gëzojnë statusin e jetimit.
4. Përfitojnë nga ky ligj të gjitha kategoritë e parashikuara më sipër dhe që e përfitojnë këtë status në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji.
5. Shoqëria KESH sh. a. bën zbritjen e këtyre detyrimeve nga bilancet financiare të saj. Për efekte fiskale, këto detyrime nuk njihen as si borxh i keq dhe as si shpenzim i njohur.
6. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Ministria e Financave, Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta dhe Ministria e Brendshme që, brenda një muaji nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrin udhëzimin për përcaktimin e procedurave, dokumentacionit dhe rregullave për mënyrën e evidentimit të debitorëve që përfitojnë nga kjo falje.

Neni 30
Falja e detyrimeve të faturave të papaguara të konsumit të ujit për konsumatorët familjarë
1. Konsumatorëve familjarë dhe jofamiljarë u falet detyrimi, së bashku me komponentët e tij, si gjobat dhe kamatëvonesat e konsumit të ujit, që kanë ndaj ndërmarrjeve dhe shoqërive me kapital tërësisht shtetëror të ujësjellës-kanalizimeve, deri në datën e bërjes efektive të transferimit të shoqërive pranë njësive të qeverisjes
vendore, por jo më vonë se data 31 dhjetor 2010.
2. Ndërmarrjet dhe shoqëritë me kapital tërësisht shtetëror të ujësjellëskanalizimeve bëjnë zbritjen e këtyre detyrimeve nga bilancet financiare të tyre. Për efekte fiskale, këto detyrime nuk njihen as si borxh i keq dhe as si shpenzim i njohur.
3. Ngarkohen drejtoritë e ujësjellës-kanalizimeve për ndjekjen dhe zbatimin e këtij neni.

Neni 31
Falja e gjobave të vendosura nga inspektorët e kontrollit rrugor të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor Të gjithë drejtuesve të mjeteve apo pronarëve të tyre, të cilëve u është vendosur gjobë nga inspektorët e kontrollit rrugor deri në datën 31 dhjetor 2010, u falen shumat e gjobave të papaguara dhe kamatëvonesat e tyre.


Neni 32
Falja e detyrimeve të papaguara të tatimpaguesve ndaj administratës tatimore e veprimet me të ardhurat jotatimore Falen të gjitha detyrimet e papaguara të tatimpaguesve nga veprimet me të ardhurat jotatimore, të tilla si mospagesat për arka regjistruese, certifikata tatimore, shtypshkrime, fatura tatimore, pullë akcize apo bileta transporti.


KREU V
ANKIMI DHE SANKSIONET

Neni 33
E drejta për ankim
Ndaj vendimeve të organeve të administratës publike, të parashikuara në këtë ligj, subjektet kanë të drejtën e ankimit në gjykatë, sipas legjislacionit në fuqi.

Neni 34
Sanksione
1. Shkelja e procedurave të parashikuara në këtë ligj përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet sipas rregullave të mëposhtme:
a) shkelja e procedurave të legalizimit të kapitalit nga banka dënohet, me urdhër të Ministrit të Financave, me gjobë administrative nga 100 000 deri në 200 000 lekë, për çdo rast;
b) mosushtrimi në kohë i procedurave të parashikuara nga ky ligj, për regjistrimin e pasurisë së paluajtshme nga nëpunësi i zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme dënohet, me urdhër të Ministrit të Drejtësisë, me gjobë nga 5 000 deri në 10 000 lekë, për çdo rast.
2. Vendosja e sanksioneve sipas këtij neni nuk përbën shkak për ndërprerjen e procedurës së legalizimit të kapitalit, nëse ajo është në përputhje me këtë ligj.

KREU VI
DISPOZITA TË FUNDIT DHE KALIMTARE

Neni 35
Koha e zbatimit
E drejta e subjekteve që të përfitojnë nga legalizimi dhe falja, në përputhje me dispozitat e këtij ligji, mund të ushtrohet deri në datën 31 dhjetor 2011.

Neni 36
Aktet nënligjore
1. Ministri i Financave, me urdhër, miraton formularët e aplikimit për përfitim nga procesi i legalizimit të kapitalit.
2. Ministri i Financave nxjerr udhëzim për zbatimin e neneve 11, 12 15, 19, 20, 23, 24, 25, 26, 27 dhe 28 të këtij ligji.
3. Aktet nënligjore, të parashikuara nga ky ligj, miratohen brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.

Neni 37
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
K R Y E T A R E
Jozefina Topalli (Çoba)

Kontaktim i Shpejte

Ju mund te hyni ne lidhje direkte me ne. JU LUTEMI TI PERGJIGJENI DHE PYETJES TONE KJO PER EFEKTE SIGURIE.
Email:
Subject:
Message:
Sa kembe ka njeriu ?

Ne ndiqni ne Facebook