L I GJ
Nr.9130, datë 8.9.2003
PËR AUTORITETIN PORTUAL
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
K U V E N D I
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Qëllimi
Qëllimi i këtij ligji është:
a) të zbatojë një strategji zhvillimi në infrastrukturë, superstrukturë, pajisje, burime financiare dhe njerëzore të porteve tregtare, detare të Republikës së Shqipërisë, si një mbështetje efektive për arritjen e objektivave shoqërorë dhe ekonomikë në nivel vendor dhe rajonal, për realizimin e objektivave tregtarë konkurrues;
b) të bëjë më të frytshëm dhe më të orientuar nga ana tregtare sistemin e porteve të Shqipërisë, të rrisë konkurrencën, të ndihmojë zhvillimin ekonomik përmes investimeve të drejtpërdrejta nga sektori privat, për zvogëlimin e shpenzimeve publike dhe për modernizimin e porteve;
c) të shndërrojë portet nga “porte shërbimi” në “porte administruese toke”, për të rritur pavarësinë tregtare të portit;
ç) të përafrojë shërbimet dhe infrastrukturën portuale sipas praktikave ndërkombëtare, për standarde të njëjta ndërmjet shteteve;
d) të sigurojë një tërësi shërbimesh të nivelit të lartë, në mënyrë të tillë që të plotësojë me një kosto të arsyeshme nevojat e përdoruesve;
dh) të garantojë një nivel të lartë sigurie dhe mbrojtjeje të mjedisit;
e) të sigurojë një shkallë të lartë pavarësie për menaxhimin e portit, si dhe për operatorë të ndryshëm, që kryejnë shërbimet në port;
ë) të sigurojë qiradhënie ose koncesion për disa pajisje të caktuara për veprimtaritë e portit;
f) të bashkërendojë veprimtaritë detare dhe sistemin e transportit.
Neni 2
Objekti
Objekt i këtij ligji është përcaktimi i formës së organizimit, i rregullave të funksionimit dhe të administrimit, i marrëdhënieve me operatorët, me organet shtetërore dhe të përfaqësimit të autoritetit portual.
Neni 3
Fusha e zbatimit
Ky ligj gjen zbatim në portet e Republikës së Shqipërisë, që plotësojnë standardet administrative dhe që përcaktohen si të tilla me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 4
Përcaktime
Në këtë ligj, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. “Aktive të qëndrueshme, të palëvizshme” janë skela, kalata, valëthyesi, terminali, magazina, një ndërtesë tjetër a mjedis pune pranë ujërave të lundrueshme, ku realizohet drejtimi i anijes, si dhe e gjithë sipërfaqja tokësore që përdoret për veprimtarinë e portit.
2. “Arkëtimet” janë tarifat e portit dhe të ankorimit në skelë, si dhe arkëtimet e tjera që zbatohen ndaj personave dhe zotëruesve të anijeve, të ngarkesave dhe të mjeteve të transportit.
3. “Autoriteti portual” është personi juridik, që përfaqëson interesat publikë dhe administron pronën publike të përcaktuar me ligj. Ai krijohet dhe ushtron përgjegjësitë e veta brenda territoreve të porteve të hapura të Republikës së Shqipërisë.
4. “Kapiten porti” është kapiteni i portit detar, tregtar, i emëruar nga organet përkatëse.
5. “Këshilli konsultativ i portit” është këshilli i autoritetit portual, që shërben për të këshilluar bordin drejtues.
6. “Leje përdorimi” është e drejta e dhënë nga një autoritet portual për të kryer shërbime në atë port, kundrejt pagesës së lejes dhe pagesave të tjera, sipas kontratës.
7. “Mall” janë të gjitha të mirat materiale që përdoren për veprimtarinë tregtare, përveç anijes.
8. “Ministër” nënkupton ministrin përgjegjës për portet shqiptare.
9. “Operator i autorizuar në port” është personi që ka një kontratë koncesioni ose të marrjes me qira nga autoriteti portual përkatës, i cili detyrohet të ofrojë dhe të sigurojë shërbime tregtare në atë port, si dhe të grumbullojë të ardhura në emër të tij dhe të autoritetit portual.
10. “Operator i portit” është personi që ka një kontratë të vlefshme, licencë ose koncesion me autoritetin portual, i cili është i detyruar të ofrojë dhe të sigurojë shërbime tregtare në atë port.
11. “Pagesa të arkëtuara nga autoriteti portual” janë të gjitha pagesat e kryera nga operatorë ose agjentë të ndryshëm, të mbledhura nga autoritetet portuale.
12. “Pasuritë shtetërore” janë të gjitha pasuritë që administrohen nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë.
13. “Përdorues i portit” është personi që zhvillon veprimtarinë tregtare në port.
14. “Personi” është personi fizik ose juridik, që mund të jetë një shoqëri me ortakëri dhe me një organizim të përbashkët.
15. “Port administrues toke” është një port ku autoriteti portual është administrues vetëm i infrastrukturës dhe nuk përfshihet në operacionet e shërbimeve dhe të pajisjeve.
16. “Port tregtar” është një port në juridiksionin e një autoriteti portual, që zhvillon veprimtari tregtare dhe përfshin pronën e paluajtshme dhe ujërat e lundrueshme, kufijtë e të cilave përcaktohen me akte ligjore dhe nënligjore, të regjistruara në regjistrat publikë dhe përshkruhen hollësisht në rregulloret përkatëse të portit.
17. “Tarifa ndaj anijes” është çdo pagesë e kërkuar nga autoriteti portual ose nga një operator i licencuar ndaj zotëruesit të anijes apo agjentit të tij.
18. “Tarifa ndaj mallit” është çdo tarifë e vendosur nga autoriteti portual ose nga një operator i licencuar ndaj zotëruesit të mallit ose agjencive të tyre.
19. “Zotërues” nënkupton:
a) në rastin e anijes: agjentin, qiramarrësin ose kapitenin e anijes;
b) në rastin e mallrave: përveç agjentit, dërguesit, marrësit, ruajtësit të mallit, edhe transportuesin e mallit në një apo nga një pronë, e cila është në administrimin a juridiksionin e autoritetit portual.
Neni 5
Mënyra e funksionimit të autoritetit portual
Autoritetet portuale shqiptare, që funksionojnë sipas këtij ligji:
a) kanë një rëndësi strategjike në tregtinë shqiptare;
b) janë të lidhura me një linjë kryesore hekurudhore;
c) i shërbejnë ekonomisë rajonale;
ç) kanë një trafik detar të shumëllojshëm;
d) kanë burime të mjaftueshme financiare;
dh) mbajnë statusin “administrues toke” për një periudhë, në përputhje me pikën 3 të nenit 9 të këtij ligji, për të ushtruar, përmes burimeve të sektorit privat, veprimtari tregtare dhe për të menaxhuar dhe kontrolluar portin, sipas përcaktimeve të bëra në statutet e tyre, në urdhëresat dhe rregulloret.
Neni 6
Autoriteti portual dhe organet shtetërore
1. Të gjitha organet shtetërore në Shqipëri, gjatë kryerjes së shërbimeve dhe detyrave në një port, në zbatim të këtij ligji, duhet:
a) të ruajnë besimin dhe sigurinë, përmes integritetit dhe profesionalizmit, në kryerjen e shërbimeve dhe të detyrave të tyre;
b) të qartësojnë, përmes rregulloreve, parimet etike, vlerat dhe sjelljet e stafit të tyre;
c) të punësojnë një staf të përgjegjshëm në aspektin profesional, etik dhe moral, në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe të ligjeve të tjera në fuqi.
2. Organet shtetërore që kryejnë veprimtari në një port, i cili ka statusin e autoritetit portual, bashkëpunojnë me drejtorin ekzekutiv të këtij autoriteti dhe respektojnë të gjitha aktet ligjore e nënligjore në fuqi, për organizimin dhe funksionimin e portit.
Neni 7
Përgjegjësia
1. Autoriteti portual duhet të përmbushë dhe të shlyejë detyrimet që rrjedhin prej statusit të tij.
2. Autoriteti portual është i detyruar të respektojë kushtet për siguracionin e kërkuar nga rregulloret e hartuara në përputhje me shkronjën “c” të nenit 53.
Neni 8
Administrimi financiar
Administrimi financiar i autoritetit portual bëhet në përputhje me ligjet në fuqi dhe me standardet shqiptare të kontrollit financiar dhe të kontabilitetit.
KREU II
AUTORITETI PORTUAL DHE ORGANET DREJTUESE
Neni 9
Autoriteti portual
Autoriteti portual është person juridik, i cili organizohet dhe funksionon në përputhje me dispozitat e këtij ligji, të statutit, të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave, dhe të legjislacionit në fuqi.
Autoriteti portual mban bashkëlidhur edhe emrin e qytetit ku është porti.
Autoritetit portual i kalon e drejta e administrimit të pronës shtetërore dhe çdo e drejtë e lidhur me të, duke respektuar strukturën e organizimit si “port administrues toke”, brenda një periudhe 3-vjeçare.
Neni 10
Organet e autoritetit portual
1. Organet e autoritetit portual janë:
a) Këshilli drejtues;
b) Drejtoria ekzekutive.
2. Organet e autoritetit portual ndihmohen e këshillohen nga këshilli konsultativ i portit.
Neni 11
Emërimi i anëtarëve të këshillit drejtues
1. Anëtarët e këshillit drejtues të autoritetit portual emërohen nga ministri përgjegjës për portet shqiptare, me propozimin e institucioneve përkatëse. Përbërja e këshillit është si më poshtë:
a) dy përfaqësues nga ministria përgjegjëse për portet shqiptare;
b) një përfaqësues nga ministria përfaqësuese e pronës shtetërore;
c) një përfaqësues nga prefektura ku ndodhet porti;
ç) një përfaqësues nga bashkia ku ndodhet porti;
d) dy përfaqësues nga sektori privat, të propozuar nga këshilli konsultativ i portit.
Këshilli konsultativ i portit mund të propozojë më shumë se 2 persona, por ministri përkatës emëron 2 prej kandidatëve.
2. Mbledhja e këshillit drejtues zhvillohet me më shumë se gjysmën e anëtarëve të këtij këshilli. Në rast largimi të anëtarëve të këshillit drejtues, zëvendësimi i tyre bëhet në përputhje me pikën 1 të këtij neni.
3. Këshilli drejtues përcakton pagesën e anëtarëve, të kryetarit dhe të drejtorit ekzekutiv, sipas legjislacionit në fuqi.
4. Anëtarët e këshillit drejtues emërohen për një afat jo më shumë se 3 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë. Anëtarët e këshillit drejtues kanë statusin e punës me kohë të pjesshme.
5. Këshilli drejtues, në mbledhjen e tij të parë, zgjedh kryetarin dhe zëvendëskryetarin. Kryetari, si rregull, zgjidhet nga përfaqësuesit e ministrisë përgjegjëse për portet shqiptare.
Neni 12
Kriteret për emërimin e anëtarëve të këshillit drejtues
Anëtarët e këshillit drejtues duhet të kenë një stazh pune në transport mbi pesë vjet, të kenë njohuri e përvojë të gjerë për menaxhimin e biznesit, në operacionet e portit ose në marinën tregtare.
Neni 13
Papajtueshmëria me postin e anëtarit të këshillit drejtues
Anëtar i këshillit drejtues të autoritetit portual nuk zgjidhet personi që:
a) nuk është shtetas shqiptar;
b) nuk është rezident në Shqipëri;
c) është kontraktues i një përdoruesi të portit ose personi që është drejtor, nëpunës a i punësuar i kontraktuesit të përdoruesit të autoritetit portual;
ç) nuk ka përmbushur detyrimet që rrjedhin nga falimentimi;
d) ka qenë i dënuar për vepra penale a kundërvajtje administrative për evazion fiskal, shkelje të dispozitave të Kodit Doganor ose të veprimtarisë në port;
dh) është i përjashtuar nga shërbimi civil;
e) ka konflikt interesash me detyrën.
Neni 14
Largimi nga detyra
Ministri përgjegjës për portet shqiptare largon nga detyra anëtarin e këshillit drejtues të autoritetit portual kur:
a) e shkarkon nga detyra, për arsye se:
i) nuk vepron në përputhje me kërkesat e nenit 19;
ii) kryen vepra penale ose shkelje të dispozitave të Kodit Doganor dhe të veprimtarisë në port;
b) e liron nga detyra kur:
i) jep dorëheqjen me shkrim;
ii) i kufizohet zotësia për të vepruar ose vdes;
iii) i mbaron mandati.
Neni 15
Detyrat dhe të drejtat e këshillit drejtues
1. Këshilli drejtues i një porti është organi i vetëm përgjegjës për drejtimin e veprimtarisë së autoritetit portual të portit dhe që ushtron të drejtat mbi pronën si “port administrues i pronës”.
2. Këshilli drejtues harton, ndryshon dhe shfuqizon rregulloret e brendshme dhe vendimet që rregullojnë ecurinë e autoritetit portual.
Neni 16
Krijimi dhe veprimtaria e këshillit konsultativ
1. Autoriteti portual, në këshillim me ministrin përgjegjës për portet shqiptare, krijon një këshill konsultativ me 11 anëtarë, nga sektori privat dhe shtetëror, ku shumicën e zë sektori privat. Këshilli konsultativ këshillon këshillin drejtues të autoritetit portual, kryesisht për këto veprimtari:
a) në caktimin dhe miratimin e tarifave të një autoriteti portual dhe ndryshimet e tyre;
b) në nxjerrjen e urdhëresave, rregulloreve, kodeve, standardeve dhe rekomandimeve;
c) në marrjen e huave;
ç) në mbikëqyrjen e shumëllojshmërisë dhe të cilësisë së veprimeve dhe shërbimeve në port, për të ruajtur konkurrencën ndërmjet operatorëve të ndryshëm;
d) në çështjet që lidhen me sigurimin e portit dhe mbrojtjen e mjedisit.
2. Organizimi dhe funksionimi i këshillit konsultativ të portit bëhet me urdhër të ministrit përkatës.
Neni 17
Emërimi i drejtorit ekzekutiv
1. Këshilli drejtues emëron drejtorin ekzekutiv dhe zëvendësit e tij mbi bazën e propozimit të ministrit.
2. Drejtori ekzekutiv emëron nëpunësit e tjerë dhe personelin e nevojshëm për menaxhimin e portit.
3. Drejtori ekzekutiv nuk është anëtar i këshillit drejtues.
Neni 18
Përgjegjësia e anëtarëve të këshillit drejtues dhe të nëpunësve
Çdo anëtar i këshillit drejtues dhe nëpunës i autoritetit portual, gjatë ushtrimit të përgjegjësive dhe kryerjes së detyrës, duhet:
a) të veprojë me ndershmëri dhe përgjegjësi në interes të autoritetit portual;
b) të jetë profesionist në realizimin e detyrave;
c) të ndjekë objektivin e kthimit të portit në një “port administrues toke”;
ç) të sigurojë përdorimin e mundësive dhe të rrisë shfrytëzimin maksimal të portit, për të plotësuar kërkesat e klientit dhe të tregut;
d) të realizojë shpërndarje të drejtë të burimeve njerëzore, teknike dhe financiare të portit.
Neni 19
Marrëdhëniet ndërmjet këshillit drejtues dhe drejtorit ekzekutiv
Drejtori ekzekutiv është përgjegjës përpara këshillit drejtues për drejtimin dhe administrimin e autoritetit portual. Ai bashkërendon punën për planifikimin dhe caktimin e burimeve të të ardhurave të departamenteve dhe të njësive të tjera.
Neni 20
Përgjegjësitë e drejtorit ekzekutiv dhe marrëdhëniet me nëpunësit
1. Përgjegjësitë e drejtorit ekzekutiv janë:
a) siguron drejtimin dhe administrimin efektiv të portit;
b) zhvillon, zbaton dhe realizon veprimtaritë e përcaktuara nga ky ligj;
c) përgatit dokumentacionin e autoritetit portual për burimet njerëzore dhe administron këto burime;
ç) përfaqëson autoritetin portual në ministrinë përkatëse dhe në marrëdhënie me të tretë;
d) siguron zbatimin e politikave të autoritetit portual dhe të kërkesave të tjera ligjore për këtë autoritet;
dh) nxit profesionalizmin dhe nivelin e lartë të stafit;
e) siguron të dhëna për këshillin drejtues për çështjet që lidhen me autoritetin portual;
ë) kontribuon në hartimin e politikave që synojnë rritjen e frytshme të autoritetit portual dhe vë në dijeni këshillin drejtues për këto politika;
f) zbaton detyra të tjera të caktuara nga këshilli drejtues.
2. Nëpunësit e njësive të tjera janë përgjegjës përballë drejtorit ekzekutiv.
3. Drejtori ekzekutiv është menaxheri i përgjithshëm i autoritetit portual dhe vepron sipas autoritetit të deleguar nga këshilli drejtues, duke i raportuar drejtpërdrejt atij.
4. Drejtori ekzekutiv zbaton politika për forcimin e autoritetit portual dhe të përgjegjësive, qartëson stafin për nivelin e punës së tyre dhe kryen detyrat publike, duke ruajtur mirëbesimin, integritetin dhe profesionalizmin e shërbimeve të kryera në port.
5. Drejtori ekzekutiv, në mbështetje të kërkesave, i jep leje për të hyrë në port çdo personi që ushtron veprimtari në port.
Neni 21
Mbledhja e këshillit drejtues
1. Këshilli drejtues, si rregull, mblidhet 1 herë në tre muaj.
2. Këshilli drejtues i autoritetit portual zhvillon mbledhjen vjetore jo më vonë se një muaj pas mbylljes së llogarive të autoritetit portual.
3. Mbledhjet vjetore të autoritetit portual janë të hapura për publikun dhe çdo mbledhje tjetër që gjykohet prej tij.
4. Autoriteti portual bën njoftim në gazetën kryesore (të paktën 30 ditë para mbledhjes), ku përcakton orën dhe vendin ku do të mbahet mbledhja dhe krijon mundësinë që pasqyrat financiare t’u vihen në dispozicion pjesëmarrësve.
5. Në mbledhjen vjetore këshilli drejtues siguron:
a) numrin e mjaftueshëm të kopjeve të pasqyrave financiare të autoritetit portual për personat e pranishëm në mbledhje;
b) që drejtori ekzekutiv dhe anëtarët e këshillit drejtues t’u përgjigjen pyetjeve të pjesëmarrësve për veprimtarinë e portit.
KREU III
USHTRIMI I VEPRIMTARISË
Neni 22
Veprimtaritë
1. Autoriteti portual, nëpërmjet drejtorit ekzekutiv, bashkërendon dhe administron veprimtaritë e mëposhtme:
a) veprimtarinë portuale për transportin e mallrave, lundrimin (drejtimin e anijeve), transportin e pasagjerëve, ngarkimin dhe shkarkimin e mallrave, magazinimin e mallrave, që bëhen prej tij ose prej sektorit privat;
b) veprimtari të tjera, të nevojshme për mbështetjen e veprimtarive të përshkruara në shkronjën “a” të pikës 1 të këtij neni.
2. Drejtori lidh kontrata në emër të autoritetit portual.
Neni 23
Marrja e kredisë
1. Autoriteti portual mund të marrë kredi vetëm për qëllime të portit. Propozimi i marrjes së kredisë diskutohet paraprakisht nga këshilli konsultativ i portit dhe miratohet nga këshilli drejtues.
2. Propozimi për marrjen e kredisë për investime bazohet në studimet ose analizat që përcaktojnë përparësitë e projekteve të studiuara dhe masat e fizibilitetit.
3. Autoriteti portual nuk mund të hipotekojë apo të lërë si garanci pronën shtetërore që menaxhon ose administron. Ai mund të lërë si garanci të ardhurat e asaj prone.
Neni 24
Investimet
1. Ministri mund të kërkojë fonde nga Buxheti i Shtetit për investime në rehabilitimin dhe modernizimin e infrastrukturës dhe të superstrukturës së portit, për të arritur objektivat strategjikë, të përcaktuar në nenet 1 dhe 51 të këtij ligji. Ministri përkatës, për zgjerimin, rehabilitimin ose modernizimin e portit, përdor fondet e buxhetit të miratuar për ministrinë përkatëse në marrëveshje me autoritetin portual.
2. Autoriteti portual, për arritjen e objektivave të përcaktuar në nenin 1 të këtij ligji, ndërmerr masat e nevojshme për të investuar me fondet e veta në zgjerimin, modernizimin dhe rehabilitimin e infrastrukturës portuale.
Neni 25
Publikimi i pasqyrave financiare
1. Autoriteti portual vë në dispozicion të publikut (të paktën 30 ditë para mbledhjes) pasqyrat financiare të vitit fiskal pararendës, të miratuara nga këshilli drejtues, në përputhje me parimet e përgjithshme të kontabilitetit.
2. Pasqyrat vjetore financiare tregojnë pagesën e përgjithshme që i është bërë secilit prej personave të mëposhtëm, përfshirë këtu dhe ndonjë pagesë në formën e ndihmës financiare ose të ndonjë përfitimi tjetër:
a) anëtarëve të këshillit drejtues;
b) drejtorit ekzekutiv;
c) nëpunësit dhe punonjësit, kur shuma kalon limitet e planifikuara.
3. Autoriteti portual i paraqet ministrit pasqyrat financiare, të revizionuara, përpara
mbledhjes vjetore dhe është i detyruar t’i raportojë atij për veprimtarinë ekonomiko-financiare.
4. Drejtori ekzekutiv, në emër të autoritetit portual, në çdo mbledhje vjetore është i detyruar të paraqesë:
a) pasqyrat financiare krahasuese;
b) raportin e ekspertit kontabël të autorizuar;
c) ndonjë të dhënë tjetër për pozitën financiare të autoritetit portual.
5. Pasqyrat financiare, që u paraqiten pjesëmarrësve, kontrollohen nga një ekspert kontabël i autorizuar dhe miratohen nga këshilli drejtues.
Neni 26
Librat e llogarive dhe sistemet
1. Autoriteti portual:
a) ruan librat e llogarive dhe raportet llogaritëse;
b) siguron që kontrolli financiar dhe menaxherial, sistemet e informacionit dhe praktikat menaxheriale të jenë në përputhje me ligjet në fuqi.
2. Librat e llogarive, regjistrimet, sistemet dhe praktikat mbahen dhe përpunohen, në mënyrë që të japin garanci se:
a) aktivet e autoritetit portual janë të siguruara dhe të kontrolluara;
b) veprimet e autoritetit portual janë në përputhje me ligjet në fuqi;
c) burimet njerëzore, financiare dhe fizike të autoritetit portual janë menaxhuar në mënyrë të frytshme dhe se operacionet e autoritetit portual janë kryer realisht.
Neni 27
Plani i biznesit
Autoriteti portual i paraqet ministrit për miratim një plan biznesi 3 deri 5-vjeçar, i cili azhurnohet çdo vit. Plani i biznesit mund të përmbajë të dhëna si:
a) një pasqyrë ku përshkruhen objektivat e planit të biznesit;
b) një strategji marketingu;
c) parashikimet e veprimtarive të anijeve dhe të ngarkesave;
ç) planin e zhvillimit të infrastrukturës portuale;
d) planin e veprimeve;
dh) planin e zhvillimit të burimeve njerëzore;
e) sistemet informuese dhe plani;
ë) planin e thithjes dhe të investimit të kapitalit;
f) planin financiar dhe marrëveshjet financiare, përfshirë dhe huamarrjet;
g) ndonjë material lidhur me ndryshimet.
Pasqyrat financiare dhe plani i biznesit përgatiten në mënyrë të tillë që të japin të dhëna të qarta për çdo veprimtari të autoritetit portual.
Neni 28
Kontrolli i autoritetit portual
1. Organet përkatëse shtetërore të kontrollit ushtrojnë kontroll mbi autoritetin portual për të përcaktuar nëse veprimet e tij janë në përputhje me legjislacionin në fuqi.
2. Kontrolli analizon sistemet dhe praktikat e autoritetit portual.
Neni 29
Raportet për kontrollin
1. Në përfundim të kontrollit, organi përkatës i paraqet këshillit drejtues dhe ministrit një raport me përfundimet e kontrollit.
2. Raporti përmban një pasqyrë, kur vërehet se nuk ka mangësi të rëndësishme në
sistemet dhe praktikat e kontrolluara.
Neni 30
Përgjegjësitë dhe detyrimet
1. Për të gjitha pronat e patundshme që administron autoriteti portual, është i detyruar të përmbushë të gjitha detyrimet dhe përgjegjësitë për pronën, sipas ligjeve në fuqi.
2. Një veprim juridik civil, penal ose administrativ i kryer me pronën shtetërore që autoriteti portual administron, merret nga vetë autoriteti portual.
Neni 31
Dhënia me koncesion
1. Dhënia e koncesionit, e lejes së përdorimit për ndonjërën nga pronat shtetërore ose për pronat e autoritetit portual, për të rritur konkurrencën portuale, si rregull, bëhet në përputhje me legjislacionin për koncesionet.
2. Autoriteti portual harton kritere të qarta për kualifikimin, përvojën, performancën dhe kriteret e dhënies me koncesion, të cilat miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
3. Dhënia e koncesionit, e lejes së përdorimit ose dhënies me qira të objektit bëhet nga këshilli drejtues, në përputhje me pikën 2 të këtij neni, pas miratimit nga komisionet teknike dhe financiare në këshillim me këshillin konsultativ të portit.
4. Autoriteti portual ushtron përgjegjësitë sipas pikave 1 dhe 3 të këtij neni dhe mund të kryejë e të shpërndajë dokumentet e kërkuara për atë qëllim.
Neni 32
Të drejtat mbi pronën shtetërore
1. Autoriteti portual nuk mund të shesë asnjërën nga pronat shtetërore që administron, por mund:
a) të ofrojë lehtësi, të japë të drejta ose leje për shërbimet ose të krijojë mundësi për t’i përdorur ato;
b) të shesë pajisjet dhe të hartojë dokumentacionin e kërkuar për atë qëllim;
c) të sigurojë territoret tokësore dhe ujore për zgjerimin e portit, për t’i ardhur në ndihmë veprimtarisë së portit.
2. Autoriteti portual kryen dhe shpërndan dokumentet e kërkuara, për qëllim të shkronjave “a”, “b” dhe “c” të pikës 1 të këtij neni.
Neni 33
Ndikimet e planit të administrimit të tokës
1. Plani i administrimit të tokës mund:
a) të ndalojë administrimin e pronës shtetërore për qëllime të caktuara (p.sh. magazinimin e substancave dëmtuese);
b) të ndalojë vendosjen e objekteve që pengojnë punën në port;
c) të rregullojë modelin e strukturave ose të veprimtarive që mund të krijohen;
ç) të identifikojë zonat që autoriteti portual ka ndër mend të marrë për kryerjen e veprimtarive të portit dhe funksione të tjera, që i mbështesin këto veprimtari.
2. Autoriteti portual, për hartimin ose rishikimin e një plani për administrimin e tokës, mbështetet në ligjet në fuqi dhe në standardet ndërkombëtare. Plani duhet të përmbajë dispozitat për rishikime, nëse një gjë e tillë kërkohet nga ndryshimet e strategjisë së zhvillimeve të portit.
3. Autoriteti portual publikon në gazetë njoftimin për çdo ndryshim të planit të administrimit të tokës.
4. Autoriteti portual miraton planin, pasi ka marrë parasysh vërejtjet dhe sugjerimet e bëra nga personat e interesuar. Plani i administrimit të tokës, i miratuar sipas këtij ligji, është
një dokument detyrues.
Neni 34
Hekurudhat në porte
1. Autoriteti portual lidh, kur i kërkohet, marrëveshje edhe me Drejtorinë e Përgjithshme të Hekurudhave, për t’i lejuar asaj përdorimin e tokës.
2. Drejtoria e Përgjithshme e Hekurudhave:
a) mban të siguruar, gjatë gjithë kohës, sistemin hekurudhor të portit, në kushte funksionimi;
b) është përgjegjëse për drejtimin e stafit të vet dhe për qarkullimin e sigurt të mjeteve hekurudhore.
KREU IV
TARIFAT
Neni 35
Përcaktimi i tarifave
1. Autoriteti portual cakton tarifat për:
a) anijet, mjetet e transportit dhe personat që përdorin portin;
b) ngarkimin e mallrave në anije, shkarkimin e tyre, tregtimin detar brenda kufijve të portit ose magazinimin në port;
c) shërbimet që sigurohen nga autoriteti portual ose nga një operator i autorizuar, ose ndonjë të drejtë të dhënë prej tij, në lidhje me portin.
2. Autoriteti portual cakton normën e interesit që kërkon për pagesat e vonuara.
3. Tarifat e përcaktuara nga autoriteti portual, sipas pikës 1, janë në një nivel që i lejojnë atij të veprojë në baza vetëmbështetëse financiare dhe ato duhet të jenë të arsyeshme dhe të favorshme.
4. Kur tarifat janë propozuar nga një operator që punon në port, autoriteti portual, pas këshillimit me këshillin konsultativ të portit, caktojnë një kufi më të lartë të këtyre tarifave.
5. Tarifat tavan, të propozuara nga autoriteti portual, në përputhje me pikën 4, nuk duhet të rrezikojnë arritjet ekonomike dhe financiare të operuesit.
Neni 36
Përgjegjësia për tarifat
1. Tarifat dhe interesat, të përcaktuara sipas këtij ligji, për anijet dhe ngarkesat paguhen nga zotëruesi ose personi që e ka në ngarkim anijen ose mallin dhe mblidhen nga autoriteti portual ose nga një operator i autorizuar.
2. Tarifat dhe interesi, të përcaktuara sipas këtij ligji, për mjetet e transportit paguhen nga zotëruesi i mjetit dhe mblidhen nga autoriteti portual ose nga një operator i autorizuar.
Neni 37
Paanësia
1. Kur cakton tarifat, autoritetit portual ose operatorit të autorizuar nuk i lejohet të shkelë barazinë e subjekteve përdoruese.
2. Nuk përbën diskriminim, nëse bëhen dallime në bazë të vëllimit të mallrave a të sasisë së të mirave që tregtohen apo mbi baza të tjera, që nga ana tregtare janë të pranueshme për një person të licencuar që ka të drejtën e caktimit të tarifave.
Neni 38
Njoftimi për tarifat e reja ose të rishikuara
1. Kur autoriteti portual ose operatori i autorizuar vendos tarifa të reja apo rishikon tarifat ekzistuese për magazinimin ose ankorimin, ai nuk lejohet të bëjë dallime ndërmjet përdoruesve, si dhe duhet të njoftojë për tarifat e propozuara. Tarifat e reja hyjnë në fuqi pas 60 ditëve nga data e botimit të njoftimit në gazetë.
2. Njoftimi duhet:
a) të përmbajë hollësitë e tarifave të propozuara;
b) të specifikojë tarifën, që do të merret nga autoriteti portual;
c) të specifikojë adresën se ku duhet të paraqiten personat e interesuar.
3. Autoriteti portual duhet:
a) ta botojë njoftimin në gazetën kryesore me tirazh më të lartë, që del në Republikën e Shqipërisë;
b) t’u dërgojë me postë ose me mjete elektronike njoftim organizatave, anëtarët e të cilave ndikohen drejtpërdrejt nga tarifat e reja.
Neni 39
Ankesat
1. Çdo person i interesuar ka të drejtën e ankimimit pranë drejtorit ekzekutiv, kur mendon se janë bërë dallime në vendosjen e tarifave.
2. Drejtori ekzekutiv është i detyruar të kthejë përgjigje brenda 30 ditëve nga depozitimi i ankesës.
KREU V
SHËRBIMI I MBROJTJES SË MJEDISIT DHE I SIGURISË
Neni 40
Shërbimi i mbrojtjes së mjedisit
1. Autoriteti portual i portit për mbrojtjen e mjedisit në port krijon shërbimin e kualifikuar të mbrojtjes së mjedisit dhe ndan përgjegjësitë e këtij shërbimi.
2. Autoriteti portual përcakton detyrat e këtij shërbimi.
3. Shërbimi i mbrojtjes së mjedisit regjistron të gjitha rastet e veprimeve që cenojnë mjedisin dhe zbaton rregulloret, vendimet dhe udhëzimet e autoritetit portual, në përputhje me kërkesat e përcaktuara në legjislacionin kombëtar dhe ndërkombëtar, me sistemet dhe praktikat e pranuara nga shteti shqiptar për mbrojtjen e mjedisit dhe të tokës së portit.
4. Detyrat e shërbimit të mbrojtjes së mjedisit përfshijnë:
a) hartimin e planeve të kontingjencës, si dhe të rregulloreve për mbrojtjen e mjedisit nga ndotja gjatë transportimit, lëvizjes ose magazinimit të substancave që përbëjnë rrezik për mjedisin;
b) pjesëmarrjen në përgatitjen e planit të biznesit dhe të planit të përdorimit të tokës.
5. Nëpunësi i mbrojtjes së mjedisit, si rregull, çdo vit, por edhe për çdo rast ndotjeje, i paraqet këshillit drejtues një raport të hollësishëm për problemet mjedisore të portit.
Neni 41
Shërbimi i sigurisë
1. Autoriteti portual i portit, për të siguruar personat nga rreziku për jetën dhe plagosja dhe për të siguruar materialet nga dëmtimi ose humbja në portet e Shqipërisë, krijon shërbimin e sigurisë dhe cakton stafin e nevojshëm. Shërbimi i sigurisë ndjek rregulloret dhe udhëzimet e autoritetit portual, derisa ato nuk e pengojnë atë për kryerjen e detyrimeve ligjore.
2. Shërbimi i sigurisë regjistron të gjitha aksidentet e ndodhura dhe zbaton rregulloret dhe udhëzimet e hartuara sipas legjislacionit kombëtar dhe ndërkombëtar, si dhe sistemet e praktikat e pranuara nga shteti shqiptar për mbrojtjen e personave dhe të materialeve në port.
3. Detyrat e shërbimit të sigurisë përfshijnë:
a) përgatitjen e rregulloreve të sigurisë për transportimin, lëvizjet ose magazinimin e eksplozivëve a të substancave të tjera që përbëjnë rrezik për jetën dhe pronën;
b) përgatitjen e planeve dhe të rregullores së sigurisë për personat dhe mjetet e transportit në port;
c) sugjerimet për përgatitjen e planit të biznesit dhe të planit të përdorimit të tokës.
4. Shërbimi i sigurisë i paraqet këshillit drejtues çdo vit një raport për problemet e sigurisë.
Neni 42
Bashkërendimi i detyrave
1. Personeli i shërbimit të mbrojtjes së mjedisit dhe i shërbimit të sigurisë, të emëruar nga autoriteti portual, duhet të bashkërendojnë detyrat e tyre me Kapitenerinë e Përgjithshme të Porteve dhe me organizmat e tjerë, rajonalë ose kombëtarë, përgjegjës për mbrojtjen e mjedisit dhe për sigurimin industrial.
2. Bashkërendimi kryhet përmes linjave zyrtare të komunikimit ndërmjet autoritetit portual dhe Kapitenerisë së Përgjithshme të Porteve të Shqipërisë dhe ndiqet nga shërbimi i sigurimit të portit, shërbimi i mbrojtjes së mjedisit dhe stafi përgjegjës i kapitenerisë së portit.
3. Nëpunësi i mbrojtjes së mjedisit dhe nëpunësi i sigurisë janë përgjegjës për mbrojtjen e mjedisit dhe të sigurisë në zonën tokësore, ndërsa kapiteni i portit është përgjegjës për zonën ujore të portit dhe për anijet.
4. Në rast mosmarrëveshjesh, për çështjet e sigurisë dhe të mbrojtjes së mjedisit, ndërmjet nëpunësit të sigurisë dhe atij të mbrojtjes së mjedisit të autoritetit portual dhe të kapitenerisë së portit, ndërhyn Kapiteneria e Përgjithshme e Porteve, vendimi i së cilës është i detyrueshëm.
KREU VI
NDALIMI I ANIJEVE
Neni 43
Bllokimi
1. Bllokimi i mjeteve lundruese në territorin e portit bëhet vetëm me vendim të gjykatës, përveç rasteve kur me ligj parashikohet ndryshe.
2. Autoriteti portual mund t’i kërkojë trupit gjykues të lëshojë një urdhërndalim për një anije ose për materialet e ngarkuara në anije, nëse autoriteti portual vërteton se:
a) zotëruesi i anijes ose i mallrave ka shkelur këtë ligj;
b) zotëruesi i mallit duhet të paguajë shumën për tarifat a për interesin e vënë sipas këtij ligji;
c) është dëmtuar prona për faj të anijes ose të pakujdesisë së ekuipazhit të saj.
KREU VII
PËRGJEGJËSI TË TJERA
Neni 44
Garancia e pagesës
1. Autoriteti portual ose një operator i autorizuar ka të drejtën të mbajë anijen ose të ardhurat nga shitja e saj si garanci për shumën që anija i detyrohet, dhe konkretisht kjo shumë ka lidhje me:
a) tarifat dhe interesin që duhet të shlyejë anija për qëndrimin e saj ose për mallrat e
ngarkuara në të;
b) dëmtimin e pronës nga anija ose nga ekuipazhi i saj.
2. Autoriteti portual ose një operator i autorizuar mund të marrë si garanci mallra për shumën që i duhet të paguajë anija për tarifat dhe interesat.
3. Kur mallrat e mbajtura për garanci janë mallra që prishen, autoriteti portual mund t’i shesë me çmim të arsyeshëm dhe të ardhurat kreditohen për të shlyer pagesën që duhet paguar për anijet dhe mallrat.
Neni 45
Largimi i anijeve ose i mallrave
1. Kur autoriteti portual mendon se një anije ose mallrat e lëna a të “braktisura” brenda zonës së përcaktuar bëhen pengesë ose paraqesin vështirësi dhe pasiguri për zonën, atëherë kapiteneria e portit, me kërkesë të autoritetit portual, urdhëron personin që ka në zotërim anijen ose mallrat, t’i largojë ato në një zonë të përshtatshme.
2. Kur një person nuk e largon anijen ose mallrat, ose kur nuk shfaqet asnjë person si zotërues i anijes a i mallrave, atëherë kapiteni i portit ndalon anijen ose mallrat dhe i zhvendos ato në një vend tjetër. Kostoja e ndalimit dhe e zhvendosjes i ngarkohen zotëruesit të anijes ose të mallrave.
KREU VIII
KUNDËRVAJTJET DHE DËNIMET
Neni 46
Kundërvajtjet
1. Kur nuk përbëjnë kundërvajtje penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen me gjobë si më poshtë:
a) moslëvizja në kohë dhe mosvendosja në vendin e caktuar e mjeteve detare që pengojnë ose vështirësojnë veprimtarinë e përditshme të portit dënohen me gjobë nga 200 000 deri në 700 000 lekë;
b) qëndrimi i mjeteve tokësore, automobilistike dhe hekurudhore në vende që pengojnë ose vështirësojnë veprimtarinë e përditshme të portit dënohen me gjobë:
i) për personat fizikë nga 20 000 deri në 50 000 lekë;
ii) për personat juridikë nga 50 000 deri në 100 000 lekë.
2. Personi nuk dënohet për kundërvajtje nëse ai vërteton se ka ushtruar kujdesin e duhur për të parandaluar kryerjen e saj.
3. Kur një person vazhdon të kryejë të njëjtën shkelje edhe pas dhënies së dënimit për kundërvajtje, autoriteti portual i jep të njëjtën masë dënimi për çdo ditë që vazhdon shkelja.
4. Masat për kundërvajtjen mund të merren në çdo kohë, por jo më vonë se 1 vit pas kryerjes së kundërvajtjes administrative.
Neni 47
Vendosja e gjobës dhe e drejta e ankimit
1. Dënimet me gjobë, të parashikuara në nenin 45, vendosen nga agjentët kontrollues, të caktuar nga drejtori ekzekutiv.
2. Kundër dënimit administrativ me gjobë bëhet ankim te drejtori ekzekutiv brenda 10 ditëve nga marrja e njoftimit.
3. Drejtori ekzekutiv është i detyruar ta shqyrtojë ankesën dhe të kthejë përgjigje brenda 30 ditëve nga data e ankimit.
4. Kundër vendimit të drejtorit dhe në rastin kur ai nuk përgjigjet brenda afatit të caktuar, mund të bëhet ankim në gjykatë brenda 30 ditëve nga data e dhënies së dënimit administrativ.
KREU IX
DISPOZITAT KALIMTARE DHE PËRFUNDIMTARE
Neni 48
Anëtarët e mëparshëm të këshillit drejtues
Anëtarët e këshillit drejtues të autoritetit portual, të emëruar para hyrjes në fuqi të këtij ligji, do të vazhdojnë të kryejnë detyrën e tyre deri në zgjedhjen e anëtarëve të rinj, në përputhje me këtë ligj.
Neni 49
Dispozitat kalimtare
1. Këshilli i Ministrave, brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë aktet nënligjore, që rregullojnë marrëdhëniet e autoritetit portual me organet shtetërore që kryejnë detyra funksionale në territorin e portit.
2. Ministri, brenda një viti pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, të miratojë planin e investimeve dhe të zhvillimit.
3. Autoriteti portual, brenda një viti pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, të nxjerrë rregulloret e kërkuara, në përputhje me nenin 16 të këtij ligji.
4. Autoriteti portual, brenda 6 muajve pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, të nxjerrë dhe të vërë në zbatim rregulloret e kërkuara, në përputhje me pikën 3 të nenit 9 të këtij ligji.
Neni 50
Prona dhe detyrimet
1. Prona që administron porti, në formën e organizimit para hyrjes në fuqi të këtij ligji, dhe çdo e drejtë ose detyrim që lidhet me të, i kalon autoritetit portual me vendim të Këshillit të Ministrave.
2. Të gjitha të drejtat dhe detyrimet që kanë lindur për portin para hyrjes në fuqi të këtij ligji, i kalojnë autoritetit portual.
Neni 51
Plani i administrimit të tokës
1. Autoriteti portual, brenda 12 muajve pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, është i detyruar të hartojë një plan të ri ose ta azhurnojë planin ekzistues, të hollësishëm, të administrimit të tokës, i cili përmban objektivat dhe politikat për zhvillimin material të pronës shtetërore që administron.
2. Plani i administrimit të tokës miratohet nga Këshilli i Ministrave, me propozim të autoritetit portual.
Neni 52
Tarifat
Tarifat që janë në fuqi, në lidhje me portin, mbeten të tilla edhe për një periudhë gjashtëmujore pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.
Neni 53
Aktet nënligjore
1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave të nxjerrë aktet nënligjore përkatëse në zbatim të nenit 3, nenit 9 pika 4 dhe nenit 31 pika 2.
2. Ministri, në zbatim të këtij ligji, ngarkohet të nxjerrë urdhra dhe udhëzime për këto çështje:
a) të përcaktojë se ku mund të investojë porti;
b) të përcaktojë nivelin e pagesave, sipas nenit 25 pika 2;
c) të mbulojë siguracionet që mund të zbatojë një autoritet portual.
Neni 54
Shfuqizimi
Të gjitha dispozitat e akteve ligjore dhe nënligjore që bien në kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohen.
Neni 55
Hyrja në fuqi e ligjit
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Shpallur me dekretin nr.3968, datë 29.9.2003 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu