LIGJ Nr.10 480, datë 17.11.2011
PËR SIGURINË E PËRGJITHSHME TË PRODUKTEVE JOUSHQIMORE
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI:
KREU I PARIME TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti
Ky ligj përcakton të drejtat dhe detyrimet e prodhuesve e të shpërndarësve, me qëllim që produktet e konsumatorit të vendosura në treg të jenë të sigurta, si dhe kompetencat e strukturës përgjegjëse për mbikëqyrjen e tregut.
Neni 2
Fusha e veprimit
1. Ky ligj zbatohet për të gjitha produktet e përkufizuara në pikën 1 të nenit 3 të këtij ligji, pavarësisht mënyrave të shitjes, përfshirë këtu shitjen elektronike dhe atë në distancë. Dispozitat e këtij ligji zbatohen për produktet, siguria e të cilave nuk është e rregulluar nga legjislacion i veçantë.
2. Kur produktet janë objekt i kërkesave specifike të sigurisë, që rregullohen nga legjislacion i veçantë, ky ligj zbatohet vetëm për aspektet dhe risqet ose kategoritë e risqeve, që nuk mbulohen nga legjislacioni i veçantë.
Neni 3
Përkufizimet
Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. "Produkt" është çdo substancë, artikull i fabrikuar ose send joushqimor, që mund të jetë i ri, i përdorur apo i riparuar, i parashikuar për t'u përdorur nga konsumatorët ose që mund të Ky ligj është përafruar pjesërisht me direktivën nr. 2001/95/KE të Parlamentit Europian dhe Këshillit, datë 3 dhjetor 2001 "Mbi sigurinë e përgjithshme të produkteve". Numri CELEX:32001L0095, Fletorja Zyrtare e Bashkimit Europian, seria L, nr.177, datë 15.1.2002, faqe 4-17.
Rregulloren nr. 765/2008/KE të Parlamentit Europian dhe Këshillit, datë 9 korrik 2008 "Mbi vendosjen e kërkesave për akreditimin dhe mbikëqyrjen e tregut lidhur me tregtimin e produkteve", e cila shfuqizon rregulloren Nr. 339/93/KEE. Numri CELEX:32008R0765, Fletorja Zyrtare e Bashkimit Europian, seria L, nr. 218, datë 13.8.2008, faqe 30-47.
përdoret prej tyre në kushte të arsyeshme e të parashikueshme edhe kur nuk është i parashikuar për ta, dhe që furnizohet ose bëhet i disponueshëm gjatë një veprimtarie tregtare. Këtu përfshihet edhe produkti që i furnizohet apo i bëhet i disponueshëm konsumatorit në kontekstin e ofrimit të një shërbimi nga ofruesit e shërbimit, kur ky produkt përdoret nga konsumatori.
Ky përkufizim zbatohet edhe për produktet e parashikuara për përdorim vetëm për profesionistë, në qoftë se këto produkte përfundojnë në tregun e konsumatorëve.
Ky përkufizim nuk zbatohet për:
a) produktet e përdorura, që vihen në dispozicion, si sende antike;
b) produktet, që duhen riparuar ose ndrequr përpara përdorimit, me kusht që furnizuesi të informojë me hollësi për këtë personin, të cilit i ofrohet produkti.
2. "Produkt i sigurt" është çdo produkt për konsumatorin, i cili, në kushte normale ose të arsyeshme, të parashikueshme përdorimi, përfshirë kohëzgjatjen dhe, sipas rastit, kërkesat për vënien në shërbim, për instalimin e për mirëmbajtjen, nuk paraqet ndonjë rrezik ose vetëm një shkallë minimale rreziku, të pajtueshëm me përdorimin e produktit, që vlerësohet i pranueshëm dhe në përputhje me nivelin e lartë të mbrojtjes e të sigurisë së personave, duke marrë parasysh, në veçanti, elementet e mëposhtme:
a) karakteristikat e produktit, përfshirë përbërjen, paketimin, udhëzimet për montimin dhe, kur është e zbatueshme, instalimin e mirëmbajtjen;
b) efektin ndaj produkteve të tjera, kur, në mënyrë të arsyeshme, parashikohet se do të përdoret me produkte të tjera;
c) paraqitjen e produktit, etiketimin, çdo paralajmërim e udhëzim për përdorimin dhe vënien e tij në dispozicion, si dhe çdo shenjë apo informacion tjetër për produktin;
ç) kategoritë e konsumatorëve të rrezikuar nga përdorimi i mallit, veçanërisht fëmijët dhe të moshuarit.
3. "Produkt i rrezikshëm" është çdo produkt, i cili nuk është në përputhje me përkufizimin e termit "produkt i sigurt", i parashikuar në pikën 2 të këtij neni.
4. "Risk serioz" është rreziku, i cili kërkon ndërhyrjen e shpejtë të organeve publike edhe nëse efektet e tij nuk janë të menjëhershme.
5. "Prodhues" është:
a) fabrikuesi i produktit, kur është i vendosur në Shqipëri, dhe çdo person tjetër që deklarohet si fabrikues, duke vënë në produkt emrin e vet, markën e tregtimit ose marka të tjera dalluese;
b) përfaqësuesi në Republikën e Shqipërisë i fabrikuesit, kur fabrikuesi nuk është i vendosur në Shqipëri;
c) importuesi i produktit në mungesë të fabrikuesit apo përfaqësuesit të tij në Shqipëri;
ç) persona të tjerë, të përfshirë në zinxhirin e shpërndarjes, për sa kohë që veprimtaritë e tyre mund të ndikojnë në sigurinë e një produkti të vendosur në treg.
6. "Fabrikues" është çdo person fizik ose juridik, i cili fabrikon/prodhon një produkt ose që ka një produkt të disenjuar ose të prodhuar dhe e tregton këtë produkt nën emrin apo markën e tij tregtare.
7. "Importues" është çdo person fizik ose juridik, i vendosur në Shqipëri, i cili vendos në tregun shqiptar një pr odukt nga një vend tjetër.
8. "Shpërndarës" është çdo person fizik ose juridik, i përfshirë në zinxhirin e shpërndarjes, veprimtaria e të cilit nuk ndikon në karakteristikat e sigurisë së produktit.
9. "Ndalim tregtimi" është çdo masë për të parandaluar shpërndarjen, ekspozimin dhe ofrimin e produktit të rrezikshëm te konsumatori.
10. "Kthim i produktit" është çdo masë për kthimin mbrapsht të produkteve të rrezikshme që ndërkohë janë bërë të disponueshme te konsumatori nga prodhuesi ose shpërndarësi.
11. "Standard shqiptar" është një dokument vullnetar, i krijuar me konsensus dhe i miratuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Standardeve, në përputhje me kërkesat e ligjit për standardizimin, që siguron, për përdorim të njëjtë dhe të vazhdueshëm, rregulla, udhëzime ose karakteristika për veprimtaritë ose rezultatet e tyre, për arritjen e një shkalle optimale të rregullsisë në një kontekst të dhënë. Standardet shqiptare shënohen me "SSH".
12. "Standard i harmonizuar shqiptar" është një standard shqiptar, që transpozon një standard të harmonizuar europian, në mbështetje të këtij ligji, sipas listës së përcaktuar nga Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për çështjet e tregtisë, në bashkërendim me ministritë përgjegjëse dhe/ose me autoritetet e tjera të administratës qendrore. Lista e standardeve të harmonizuara shqiptare ose çdo ndryshim i saj botohen në Fletoren Zyrtare.
13. "Ministria" është ministria që mbulon çështjet e tregtisë.
14. "Ministër" është ministri përgjegjës për çështjet e tregtisë.
15. "Ministria përgjegjëse" është ministria përgjegjëse për fushën përkatëse.
16. "Mbikëqyrje e tregut" janë veprimtaritë e kryera dhe masat e marra nga struktura përgjegjëse e mbikëqyrjes së tregut, për të garantuar që produktet janë në përputhje me kërkesat ligjore në lidhje me to dhe nuk rrezikojnë shëndetin, sigurinë ose aspektet e tjera të mbrojtjes së interesit publik.
17. "Strukturë përgjegjëse e mbikëqyrjes së tregut" është struktura përgjegjëse për kryerjen e mbikëqyrjes së tregut.
KREU II SIGURIA E PËRGJITHSHME
Neni 4
Kërkesa e përgjithshme e sigurisë dhe prezumimi i sigurisë
1. Prodhuesit janë të detyruar të vendosin në treg vetëm produkte të sigurta.
2. Një produkt prezumohet i sigurt nëse është në përputhje me një ndër standardet e harmonizuara shqiptare, që mbulojnë risqet dhe kategoritë përkatëse të riskut të produktit në fjalë.
3. Në mungesë të rregullave specifike dhe në rrethana të tjera, përveç nga sa përcaktohet në pikën 2 të këtij neni, konformiteti i produktit me kërkesën e përgjithshme të sigurisë vlerësohet duke pasur parasysh elementet e mëposhtme:
a) standardet vullnetare shqiptare, që transpozojnë standardet përkatëse europiane, në dallim nga ato të parashikuara në pikën 2 të këtij neni;
b) standarde të tjera shqiptare apo standarde të tjera kombëtare të adoptuara nga vende anëtare të Bashkimit Europian, ku produktet janë vendosur në treg;
c) kode/udhëzues të hartuar nga autoritete publike apo organizata profesionale për praktikat më të mira për sigurinë e produkteve në sektorin përkatës;
ç) rekomandime të Komisionit Europian për vendosjen e udhëzimeve për vlerësimin e sigurisë së produkteve;
d) pritshmërinë e arsyeshme të konsumatorëve për sigurinë e produktit;
dh) nivelin e teknologjisë dhe artizanatit.
Neni 5
Standardet e harmonizuara shqiptare
Për qëllim të këtij ligji, standardet e harmonizuara shqiptare hartohen si më poshtë: 1. Këshilli i Ministrave përcakton kërkesat, të cilat kanë për qëllim të sigurojnë që produktet, të cilat përputhen me këto standarde, të përmbushin kërkesën e përgjithshme të sigurisë.
2. Bazuar në këto kërkesa, Organizmi Kombëtar i Standardizimit, mbështetur në legjislacionin në fuqi për standardizimin, harton dhe adopton standardet që plotësojnë kërkesën e përgjithshme të sigurisë. Lista e këtyre standardeve referuese publikohet në Fletoren Zyrtare.
3. Nëse një standard nuk siguron më përputhjen me kërkesën e përgjithshme të sigurisë, Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrisë përgjegjëse për çështjet e tregtisë, anulon referencën ndaj këtij standardi dhe e heq atë nga lista e publikuar për standardet e referencës.
Neni 6
Detyrime të tjera të prodhuesit e të shpërndarësit
1. Prodhuesit kanë detyrimin:
a) t'u sigurojnë konsumatorëve të gjithë informacionin përkatës në gjuhën shqipe, për t'u mundësuar vlerësimin e riskut të qenësishëm në një produkt gjatë periudhës normale apo të arsyeshme të parashikueshme të përdorimit të tij, kur risqet nuk janë menjëherë evidente pa paralajmërimin e përshtatshëm;
b) të marrin masat paraprake për parandalimin ose minimizimin e këtyre risqeve.
Prania e paralajmërimit nuk çliron prodhuesin nga detyrimi për përputhshmërinë me kërkesat e tjera, të vendosura në këtë ligj.
2. Prodhuesit, brenda kufijve të veprimtarisë së tyre përkatëse, duhet të ndërmarrin masa në përpjesëtim me karakteristikat e produkteve që ata furnizojnë, duke mundësuar që:
a ) të kenë informacionin e duhur për risqet, që mund të paraqesin këto produkte;
b) të ndërmarrin veprimet e duhura, për të shmangur këto risqe, përfshirë, nëse është e nevojshme, njoftimin në mënyrë të përshtatshme dhe efektive të konsumatorëve, ndalimin e tregtimit, tërheqjen nga tregu apo kthimin e produkteve nga konsumatorët.
3. Në masat e përcaktuara në pikën 2 të këtij neni përfshihen, ndërmjet të tjerave:
a) paraqitja e të dhënave në etiketën mbi produkt apo paketimin e tij për identitetin, adresën dhe hollësi të tjera për prodhuesin, si dhe e të dhënave për vetë produktin ose, sipas rastit, e të dhënave për grupin e produkteve të cilit i përket;
b) kryerja e testeve të mostrave të produkteve të tregtuara, hetimi, mbajtja e një regjistri ankesash, si dhe vënia në dijeni e shpërndarësve për një kontroll të tillë.
Masat e parashikuara në shkronjën "b" të kësaj pike mund të ndërmerren vullnetarisht nga prodhuesit ose me kërkesë të strukturës përgjegjëse të mbikëqyrjes së tregut (më poshtë struktura përgjegjëse), sipas dispozitave të këtij ligji.
4. Kthimi i produktit zbatohet si hap i fundit, kur:
a) masat e tjera nuk mjaftojnë për të parandaluar risqet;
b) vetë prodhuesit e konsiderojnë të nevojshme;
c) prodhuesit janë të detyruar ta bëjnë këtë në vijim të një mase të marrë nga struktura përgjegjëse.
5. Prodhuesit janë përgjegjës për të siguruar që i gjithë informacioni për produktet e tyre është i saktë, i plotë dhe në përputhje me rregullat e zbatuara.
6. Shpërndarësit duhet të veprojnë për të siguruar përputhshmërinë e produkteve me kërkesën e përgjithshme të sigurisë, sipas këtij ligji, veçanërisht duke mos furnizuar produkte për konsumatorët, për të cilët ata dinë ose duhet të dinë në bazë të nivelit të tyre profesional dhe të dhënave që zotërojnë, se nuk janë në përputhje me këto kërkesa.
7. Brenda kufijve të veprimtarisë së tyre përkatëse, shpërndarësit janë të detyruar të marrin pjesë në monitorimin e sigurisë së produkteve të vendosura në treg, veçanërisht duke u përcjellë furnizuesve të tyre dhe konsumatorëve informacionin për risqet e produktit, duke mbajtur dhe duke dhënë informacionin e nevojshëm për gjurmueshmërinë e origjinës së produktit, si dhe duke bashkëpunuar me prodhuesit dhe strukturën përgjegjëse në veprimet e ndërmarra për shmangien e risqeve.
8. Kur prodhuesit dhe shpërndarësit dinë apo duhet të dinë, në bazë të nivelit të tyre profesional dhe të të dhënave që zotërojnë, se një produkt që ata e kanë vendosur në treg nuk është në përputhje me kërkesën e sigurisë së përgjithshme dhe paraqet risk për konsumatorët, ata informojnë menjëherë strukturën përgjegjëse, duke dhënë hollësi dhe veçanërisht të dhëna për veprimet e ndërmarra, për parandalimin e rrezikut ndaj konsumatorëve.
Në rastin e rreziqeve serioze ky informacion përfshin të paktën elementet e mëposhtme:
a) identifikimin e saktë të produktit apo të grupit të produkteve të cilit i përket;
b) një përshkrim të plotë të riskut që paraqet produkti;
c) të gjithë informacionin e disponueshëm përkatës për gjurmimin e produktit;
ç) përshkrimin e veprimeve të ndërmarra për parandalimin e riskut ndaj konsumatorëve.
9. Prodhuesit dhe shpërndarësit, brenda kufijve të veprimtarisë së tyre përkatëse, bashkëpunojnë me strukturën përgjegjëse, me kërkesë të kësaj të fundit, për veprimet e ndërmarra për shmangien e risqeve, që mbartin produktet që ata shpërndajnë apo kanë shpërndarë.
Neni 7
Masa mbrojtëse për sigurinë
1. Përputhshmëria e një produkti me përcaktimet e dhëna në pikat 2 e 3 të nenit 4 të këtij ligji nuk ndalon strukturën përgjegjëse të marrë masa për të vendosur kufizime për bërjen e disponueshme të produktit në treg, për ndalimin e tregtimit ose për kthimin e produktit kur ka evidenca se, pavarësisht një përputhshmërie të tillë, produkti është i rrezikshëm.
2. Masa të tilla i komunikohen paraprakisht prodhuesit apo, sipas rastit, shpërndarësit brenda 5 ditëve nga data e përfundimit të kontrollit, i cili, sipas rastit, informohet për ndreqjet e mundshme sipas legjislacionit dhe për afatin kohor brenda të cilit duhen kryer.
3. Struktura përgjegjëse njofton paraprakisht palët e interesuara për masat e referuara në pikën 1 të këtij neni, dhe u jep atyre mundësinë për të paraqitur komentet e tyre me shkrim brenda 10 ditëve para miratimit të këtyre masave, me përjashtim të rasteve të marrjes së masave, për shkak të urgjencës. Në rastet e një urgjence të tillë, struktura përgjegjëse i jep mundësinë prodhuesit të dëgjohet sa më shpejt të jetë e mundur dhe pas kësaj masat e marra rishikohen menjëherë.
4. Struktura përgjegjëse, kur e gjykon të mundshme dhe të arsyeshme, kërkon fillimisht të arrihet përmbushja e përputhshmërisë me kërkesat e këtij ligji në mënyrë vullnetare nga prodhuesit apo shpërndarësit.
Neni 8
Mospërputhja e një produkti me kërkesat e këtij ligji
Kur një produkt, i cili nuk i përmbush kërkesat e këtij ligji apo të akteve nënligjore në zbatim të tij, është pjesë e një grupi, s asie apo ngarkese të produkteve të së njëjtës klasë, tipi ose lloji, prezumohet, nëse nuk provohet e kundërta, se të gjitha produktet e këtij grupi, sasie apo ngarkese nuk janë në përputhje me këto kërkesa.
KREU III MBIKËQYRJA E TREGUT
Neni 9
Strukturat përgjegjëse për mbikëqyrjen e tregut
1. Mbikëqyrja e zbatimit të përputhshmërisë me kërkesat e këtij ligji kryhet nga rrjeti i strukturave përgjegjëse dhe mbështetet nga autoritetet doganore siç parashikohet nga ky ligj.
2. Strukturat përgjegjëse për kryerjen e funksioneve të mbikëqyrjes së tregut, procedurat standarde të veprimtarisë së mbikëqyrjes së tregut, si dhe produktet që do të mbikëqyrë secila prej këtyre strukturave miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 10
Të drejtat dhe detyrimet e strukturës përgjegjëse
Struktura përgjegjëse ka këto të drejta dhe detyrime:
a) të ndalojë, me urdhër me shkrim, vendosjen në treg të çdo produkti, i cili është i rrezikshëm ose nuk përputhet me dispozitat e këtij ligji apo aktet nënligjore në zbatim të tij, si dhe të paraqesë masat plotësuese të kërkuara për të siguruar se ndalimi është në përputhje me to;
b) të kërkojë, me urdhër me shkrim, tërheqjen e menjëhershme nga tregu, ndalimin e menjëhershëm të tregtimit të produkteve të rrezikshme që janë të disponueshme në treg dhe të lajmërojë konsumatorët për rrezikun që ato paraqesin;
c) të urdhërojë me shkrim ose, nëse është e përshtatshme, të organizojë së bashku me prodhuesit dhe shpërndarësit kthimin e produkteve të pasigurta nga konsumatorët dhe, nëse gjykohet e nevojshme, të urdhërojë asgjësimin/shkatërrimin e produkteve të tilla në kushte të përshtatshme;
ç) të ndalojë me urdhër me shkrim furnizimin, ofrimin ose ekspozimin e produkteve ose grupprodukteve, kur gjykohet nga struktura përgjegjëse se ekzistojnë baza të arsyeshme për të dyshuar se produkti është i rrezikshëm, për aq kohë sa është e nevojshme për kryerjen e testeve. Bazë për dyshim përbëjnë edhe njoftimet nga sistemet e shpejta të këmbimit të informacionit për produktet e rrezikshme në nivel europian ose më gjerë, ankesat apo çdo lloj informacioni që mund të përbëjë bazë të arsyeshme për dyshim;
d) të marrë masa të tilla, që konsiderohen të nevojshme për të eliminuar ose për të parandaluar praktikat, të cilat janë të dëmshme për sigurinë e produktit;
dh) për çdo produkt që mund të paraqesë risk në kushte të caktuara:
i) të urdhërojë me shkrim vendosjen e shënimit përkatës e të përshtatshëm në produkt për paralajmërime, të formuluara në gjuhën shqipe, në mënyrë të qartë dhe lehtësisht të kuptueshme, për risqet që mund të paraqesë;
ii) të bëjë tregtimin e tij, objekt të kushteve paraprake, të vendosura nga kjo strukturë përgjegjëse, me qëllim garantimin e sigurisë së përgjithshme të produktit;
e) për çdo produkt që mund të paraqesë risk për persona të caktuar, të urdhërojë që atyre t'u jepen paralajmërimet në kohën e duhur dhe në formën e përshtatshme, përfshirë edhe publikimin e paralajmërimeve të veçanta;
ë) të kryejë në një shkallë të mjaftueshme deri në fazën përfundimtare, duke përdorur të gjitha aktivitetet e kontrollit të produktit, përfshirë inspektimet, analizat, ekzaminimet ose dhe hetime të tjera për karakteristikat e sigurisë së produkteve, edhe pasi produkte të tilla kanë qenë të vendosura në treg si të sigurta;
f) të kërkojë të gjitha informacionet e nevojshme nga pala e interesuar;
g) të marrë mostra të produkteve për t'ia nënshtruar kontrollove të sigurisë apo testimeve në laboratorë të akredituar që plotësojnë kriterin e paanshmërisë për këtë produkt. Në qoftë se testimet e mostrave tregojnë se produkti nuk është në përputhje me kërkesën e përgjithshme të sigurisë, shpenzimet e testimeve i ngarkohen prodhuesit ose, sipas rastit, ofruesit të shërbimit. Në rast të kundërt, shpenzimet mbulohen nga struktura përgjegjëse;
gj) të publikojë kopje të urdhrave të lëshuar sipas çdo dispozite të këtij ligji.
Neni 11
Masa të marra nga struktura përgjegjëse
1. Kur struktura përgjegjëse merr masat e parashikuara në nenin 10 të këtij ligji, veçanërisht për shkronjat "a", "b", "c" dhe "ç", duhet të zbatojë masat në përpjesëtim me riskun dhe duke marrë parasysh parimin parandalues.
Struktura përgjegjëse organizon ose urdhëron masat e parashikuara në nenin 10 shkronjat "b" dhe "c" të këtij ligji, nëse veprimi i ndërmarrë nga prodhuesit dhe shpërndarësit për përmbushjen e detyrimeve të tyre është i pakënaqshëm ose i pamjaftueshëm. Kthimi i produkteve nga konsumatorët ndërmerret si hap i fundit.
2. Në rastin e produkteve që paraqesin një risk serioz, struktura përgjegjëse duhet menjëherë të marrë masat përkatëse të përmendura në nenin 10 shkronjat "a", "b", "c", "ç" "dh" dhe "e" të këtij ligji. Ekzistenca e një risku serioz përcaktohet nga struktura përgjegjëse, duke vlerësuar çdo rast individual, në bazë të cilësive të tij.
3. Ngarkohet ministri për nxjerrjen e udhëzimit për metodat/mënyrën e klasifikimit të risqeve dhe vlerësimit të riskut serioz.
4. Struktura përgjegjëse informon ministrinë përgjegjëse për marrjen e masave, në përputhje me parashikimet e neneve 10 dhe 11 të këtij ligji, si dhe arsyet për këtë veprim.
5. Masat, referuar në shkronjat "b" dhe "c" të nenit 10 të këtij ligji, merren edhe në rastet e vendimeve të Komisionit Europian për ndalimin e tregtimit apo kthimin e produkteve përkatëse.
6. Masat, që merren nga struktura përgjegjëse, drejtohen, sipas rastit, te:
a) prodhuesi;
b) shpërndarësit, brenda sferës së veprimtarisë përkatëse të tyre, dhe në veçanti, pala përgjegjëse për fazën e parë të shpërndarjes në treg;
c) çdo person tjetër, kur është e nevojshme, me qëllim bashkëpunimin në veprimin e ndërmarrë për të shmangur rreziqet që rrjedhin nga produkti.
Neni 12
Sistemi për shkëmbimin e informacionit për produktet e rrezikshme
Ngarkohet Këshilli i Ministrave të nxjerrë aktet nënligjore për:
a) krijimin e sistemeve dhe përcaktimin e procedurave për shkëmbimin e informacionit me vendet e tjera dhe organizatat ndërkombëtare në çështjet e sigurisë së produkteve;
b) përcaktimin e procedurave për të lejuar shkëmbimin e shpejtë të informacionit për sigurinë e produktit;
c) përcaktimin e formave dhe metodave të njoftimit, bashkëpunimit për çështjet e sigurisë së produktit me vendet e tjera dhe organizatat ndërkombëtare, qoftë në baza shumëpalëshe, rajonale ose të tjera;
ç) krijimin e sistemeve, përcaktimin e procedurave për shkëmbimin e informacionit dhe bashkëpunimin administrativ për sigurinë e produkteve ndërmjet institucioneve shtetërore, publike, në varësi të Këshillit të Ministrave.
Neni 13
Vendime për riskun serioz
Këshilli i Ministrave miraton masat në nivel kombëtar, për ndalimin e tregtimit, importit dhe eksportit të produkteve që paraqesin risk serioz për shëndetin dhe sigurinë e konsumatorëve, në rastet kur ky risk nuk mund të eliminohet vetëm me masat e përmendura në pikën 2 të nenit 11 të këtij ligji.
Neni 14
Kompetencat e inspektorit
1. Çdo inspektor i autorizuar me shkrim nga struktura përgjegjëse, kur ka baza të arsyeshme për të besuar se mbahen ose gjenden produkte të rrezikshme në ndonjë qendër prodhimi, magazinimi apo tregtimi, përveç vendeve për qëllime strehimi, ka të drejtë:
a) të hyjë në këto qendra dhe të kryejë aty çdo inspektim që mund të jetë i nevojshëm;
b) të sekuestrojë çdo produkt të gjetur aty, i cili rezulton produkt i pasigurt.
2. Nëse inspektori ka shkaqe të arsyeshme për të dyshuar se produkte të tilla të rrezikshme mund të hiqen, shkatërrohen, ai mund të autorizojë me shkrim zyrtarë publikë për të ushtruar, në lidhje me subjekte të tilla, ndonjë nga kompetencat e përmendura në këtë nen.
3. Hyrja dhe kontrolli në qendrat e prodhimit, të magazinimit e të tregtimit apo ndërmarrjet do të kryhet brenda orarit normal të punës. Në rast se inspektori ka arsye për të besuar se vonesa mund të shkaktojë humbjen ose shuarjen e ndonjë prove ose përndryshe mund të sjellë pasojë në rezultatin e kërkimit, kontrolli mund të kryhet jashtë orarit të punës.
4. Gjatë hyrjes dhe kontrollit, sipas dispozitave të kësaj pjese të ligjit, inspektori mund të kërkojë mbështetjen e Policisë së Shtetit.
5. Kur është e nevojshme për kryerjen e duhur të funksioneve të sipërpërmendura,
inspektori mund:
a) të marrë një mostër të çdo produkti apo të çdo materiali që përdoret në përgatitjen, prodhimin ose montimin e një produkti të tillë;
b) të hyjë forcërisht dhe të heqë çdo pengesë për hyrjen në qendra prodhimi, magazinimi, tregtimi për të kërkuar ose konfiskuar produkte, kur has në rezistencë nga prodhuesit apo shpërndarësit;
c) të kërkojë nga çdo person që kryen një veprimtari tregtare ose çdo i punësuar të vërë në dispozicion çdo libër apo dokument, përfshirë edhe ato të ruajtura në një kompjuter ose në çdo rrjet tjetër të informacionit për tregtinë ose biznesin dhe për të marrë kopje të tyre;
ç) të sekuestrojë dhe të marrë çdo mall, mostër të tyre apo materiale të tjera, të cilat janë të destinuara për shitje ose janë shitur, me qëllim për të vërtetuar nëse është kryer një shkelje e këtij ligji;
d) të sekuestrojë dhe të ndalojë çdo mall, mostër apo material ose dokument, për qëllime të
mbledhjes së evidencave, për përcaktimin e shkeljes së dispozitave të këtij ligji dhe të akteve
nënligjore në zbatim të tij;
dh) kur është e nevojshme, të kërkojë nga çdo person, që kryen veprimtari tregtare ose çdo i punësuar, hapjen e çdo konteineri ose makine shitëse ambulante. Në rast mospërmbushjeje të kërkesës, inspektori i autorizuar mund të kryejë vetë këtë veprim, nëse është e nevojshme, duke thyer konteinerin ose makinën;
e) kur inspektori ka baza të arsyeshme për të besuar se prodhuesi, shpërndarësi apo tregtari i
një aktiviteti tregtar nuk plotëson ndonjë dispozitë të këtij ligji ose të akteve nënligjore në zbatim të
tij, mund t'i njoftojë ata me shkrim, duke përcaktuar:
i) dispozitën/dispozitat që nuk është/janë zbatuar dhe duke përcaktuar çështjet që përbëjnë shkeljen apo mosplotësimin;
ii) m asat ndreqëse që kërkohen për t'u ndërmarrë dhe periudhën kohore.
Neni 15
Inspektimi i produkteve
1. Për qëllime të këtij ligji, inspektori mund të inspektojë çdo produkt, i cili:
a) është shitur, shitet apo ofrohet për shitje ose çdo konsumim apo përdorim për konsumatorët;
b) është në zotërim ose nën kontrollin e një prodhuesi a shpërndarësi ose është i depozituar apo i shpërndarë te ndonjë person për qëllime të shitjes ose të përgatitjes për shitje, kudo që produkti të gjendet.
2. Inspektori, gjatë inspektimit në qendra prodhimi/ndërmarrje, për arsye të çdo dispozite të kësaj pjese të ligjit, mund të shoqërohet nga persona të tjera ndihmës të autorizuar dhe mund të marrë me vete pajisje/produkte të tilla, që ai i konsideron të nevojshme.
Neni 16
Hartimi dhe njoftimi i procesverbalit
1. Në përfundim të kontrollit, inspektori/inspektorët i/e autorizuar harton/hartojnë dhe firmos/firmosin procesverbalin, në të cilin shënohen identiteti i kundërvajtësit dhe lista e gjetjeve faktike, lloji i kundërvajtjes, si dhe mënyra/lloji i kontrollit/inspektimit. Procesverbali hartohet dhe në rastin kur nuk ka kundërvajtje.
2. Një kopje e procesverbalit i dorëzohet operatorit ekonomik përkatës brenda 5 ditëve pune nga data e përfundimit të kontrollit. Operatori ekonomik, brenda 10 ditëve pune pas marrjes së procesverbalit, ka të drejtën të paraqesë komentet e tij për konstatimet e dhëna në këtë procesverbal, me përjashtim të rasteve urgjente për riskun serioz, referuar në pikën 2 të nenit 11 të këtij ligji.
Neni 17
Sekuestrimi i produkteve
1. Në rastet kur inspektori sekuestron ndonjë produkt, dokumente ose regjistrime të tjera gjatë ushtrimit të funksioneve të tij sipas nenit 14 të këtij ligji, ai njofton personin, të cilit i është kryer sekuestrimi, dhe i jep vërtetimin përkatës.
2. Në rastin e produkteve të sekuestruara nga një makinë automatike shitjeje, inspektori informon personin, emri dhe adresa e të cilit janë deklaruar në këtë makinë, si pronar i saj, ose pronarin apo qiramarrësin e pronës/godinës, në të cilën është vendosur makina, kur nuk është deklaruar emri dhe adresa e personit që e ka vendosur atë.
Neni 18
Sekreti profesional
Ruajtja e sekretit profesional nuk interpretohet si kufizim për strukturën përgjegjëse, në komunikimin me konsumatorin për gjetjet, si rezultat i shqyrtimit të ankesës së tij.
Neni 19
Dhënia e informacionit
Operatorët ekonomikë janë të detyruar të japin në mënyrë të qartë, të vërtetë, të saktë dhe jo të mangët të gjithë informacionin e nevojshëm të kërkuar nga struktura përgjegjëse, sipas dispozitave të këtij ligji.
Neni 20
Njoftimi me shkrim
1. Në rastet kur inspektori ka shkaqe të arsyeshme për të besuar se një produkt nuk është i sigurt ose mund të shkaktojë dëmtime, ai mund t'i japë prodhuesit ose shpërndarësit një njoftim me shkrim, duke e urdhëruar atë që për një periudhë kohe të caktuar produkti nuk do të përdoret, nuk do të shitet, nuk do të ofrohet për shitje apo tregtim ose nuk do të lëvizet, përveçse në vende të tilla, siç janë specifikuar në njoftim.
2. Sa më shpejt të jetë e mundur, por jo më vonë se 10 ditë pune nga dhënia e njoftimit të parashikuar në pikën 1 të këtij neni, struktura përgjegjëse duhet që:
a) të tërheqë njoftimin, referuar në pikën 1 të këtij neni, nëse produkti rezulton i sigurt;
b) të ndalojë përdorimin ose shitjen, të urdhërojë sekuestrimin dhe konfiskimin, si dhe ruajtjen e produktit në vende të tilla të specifikuara me shpenzimet e prodhuesit, në rastin kur produkti rezulton i rrezikshëm.
3. Kryerja e procedurës të parashikuar në pikën 2 të këtij neni, në rastin kur analizat duhen
kryer në laboratorë të specializuar jashtë vendit, realizohet brenda 5 ditëve pune nga marrja e përgjigjes së testit.
Neni 21
Masa të tjera për produkte të rrezikshme
Në rastin e produkteve të rrezikshme, struktura përgjegjëse në bashkëpunim me strukturat përkatëse në ministrinë përgjegjëse për mjedisin, mund të urdhërojë që një produkt i tillë të shkatërrohet, të magazinohet ose atij t'i ndryshohet qëllimi i përdorimit, me shpenzimet e prodhuesit.
Neni 22
Masat paralajmëruese dhe rregulluese për kundërvajtjet ndaj këtij ligji
Në rastet e shkeljeve që mund të rregullohen dhe nuk përbëjnë risk serioz, struktura përgjegjëse mund të kërkojë me shkrim nga personi përgjegjës marrjen e masave për shmangien, rregullimin apo ndreqjen e tyre, si dhe e paralajmëron për mospërsëritjen e shkeljeve të tilla.
Neni 23
Politika e mbikëqyrjes së tregut
1. Ministri përgjegjës harton politikat e përgjithshme të mbikëqyrjes së tregut për zbatimin efektiv të këtij ligji.
2. Përgjegjësitë kryesore të ministrisë përgjegjëse janë si më poshtë:
a) studimi dhe paraqitja e propozimeve për hartimin dhe zhvillimin e politikës për mbikëqyrjen e tregut;
b) përgatitja e akteve ligjore dhe nënligjore për çështjet që lidhen me mbikëqyrjen e tregut;
c) marrja e masave koordinuese me strukturën përgjegjëse për zbatimin e dokumenteve strategjike në fushën e mbikëqyrjes së tregut;
ç) mbledhja e informacionit për produktet e rrezikshme ose potencialisht të rrezikshme nga struktura përgjegjëse dhe shkëmbimi i këtij informacioni me ministrinë përgjegjëse për tregtinë;
d) vlerësimi periodik i veprimtarive të mbikëqyrjes së tregut një herë në 6 muaj;
dh) monitorimi i zbatimit të programeve të mbikëqyrjes sektoriale, sipas kategorive të produkteve ose rreziqeve dhe monitorimi i veprimtarive të mbikëqyrjes, i gjetjeve dhe rezultateve;
e) rishikimi periodik dhe vlerësimi i veprimtarive të mbikëqyrjes së tregut, si dhe efektiviteti i tyre.
3. Ministria përgjegjëse, në kryerjen e funksioneve të dhëna në pikën 2 të këtij neni, mbështetet nga Këshilli Bashkërendues për Mbrojtjen e Konsumatorëve, i krijuar sipas legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e konsumatorëve.
4. Ministria mund të përgatisë dhe të publikojë një listë, ku identifikohen:
a) produkte të cilat janë të rrezikshme;
b) prodhuesit dhe shpërndarësit e produkteve të tilla;
c) ata prodhues, shpërndarës apo persona të tjerë, praktikat ose veprimtaritë e të cilëve në lidhje me produkte të veçanta mund të ndikojnë negativisht në interesat e konsumatorëve;
ç) çdo çështje tjetër që mund të ndikojë negativisht në sigurinë e konsumatorëve.
Neni 24
Kontrolli i produkteve që hyjnë në tregun shqiptar
1. Autoritetet doganore kryejnë kontrolle të përshtatshme për karakteristikat e produkteve në një shkallë të mjaftueshme, përpara se këto produkte të lejohen për qarkullim të lirë.
2. Doganat pezullojnë zhdoganimin e një produkti për qarkullim të lirë, kur gjatë kontrolleve të përmendura në pikën 1 të këtij neni është konstatuar ndonjë nga rastet e mëposhtme:
a) produkti paraqet në mënyrë të dukshme një risk serioz për shëndetin, sigurinë, mjedisin ose çdo interes tjetër publik, përmendur në këtë ligj;
b) produkti nuk është i shoqëruar me dokumentacionin e kërkuar sipas legjislacionit përkatës shqiptar ose nuk është i markuar në përputhje me atë legjislacion;
c) njoftohen nga ministria/ministritë përgjegjëse për pezullimin e zhdoganimit të produkteve të caktuara, në bazë të vendimeve të Komisionit Europian për ndalimin e tregtimit a kthimin e produkteve apo nga njoftimet e sistemeve të shkëmbimit të shpejtë të informacionit të vendeve të BE-së për produktet e rrezikshme.
3. Autoritetet doganore për çdo pezullim, në kuptim të këtij ligji, njoftojnë brenda 24 orëve strukturën përgjegjëse, përmes mjeteve të përshtatshme të komunikimit.
4. Struktura përgjegjëse heton më tej këtë çështje dhe njofton brenda 3 ditëve pune një nga vendimet e mëposhtme:
a) zhdoganimin;
b) ndalimin e përkohshëm të zhdoganimit deri në përfundimin e kontrolleve të duhura;
c) ndalimin e zhdoganimit, në qoftë se kjo strukturë, në përputhje me pikën 5 të nenit 11 të këtij ligji, është informuar se produkti është i rrezikshëm ose kur ai nuk është në përputhje me këtë ligj.
5. Në rast se struktura përgjegjëse njofton zhdoganimin ose nuk arrin të njoftojë brenda afatit kohor prej 3 ditëve pune, produkti zhdoganohet nga autoritetet doganore, me kusht që të gjitha kërkesat e tjera dhe formalitetet për lejimin të jenë plotësuar.
6. Pas përfundimit të kontrolleve, referuar në pikën 4 shkronja "b" të këtij neni, struktura përgjegjëse u njofton menjëherë autoriteteve doganore, respektivisht:
a) zhdoganimin;
b) ndalimin e zhdoganimit kur produkti është gjetur i rrezikshëm ose në mospërputhje me këtë ligj dhe aktet nënligjore në zbatim të tij.
7. Zhdoganimi mund të shoqërohet me urdhër nga struktura përgjegjëse së bashku me një ose më shumë prej masave administrative, të parashikuara në nenin 10 të këtij ligji.
8. Në qoftë se struktura përgjegjëse vendos ndalimin e zhdoganimit, autoritetet doganore
përfshijnë në faturat tregtare, që shoqërojnë produktin, çdo dokument tjetër shoqërues, ose në sistemin e përpunimit të të dhënave, kur përpunimi i të dhënave bëhet në formë elektronike, nënshkrimin e mëposhtëm:
"Nuk autorizohet zhdoganimi për qarkullim të lirë në Republikën e Shqipërisë, sipas këtij ligji".
Në këtë rast struktura përgjegjëse mund të urdhërojë shkatërrimin e produktit ose kthimin e tij në vendin e origjinës, si dhe notifikon këtë masë pranë Autoritetit Kombëtar të Notifikimit në OBT, në përputhje me legjislacionin në fuqi për standardizimin.
KREU IV KUNDËRVAJTJET ADMINISTRATIVE
Neni 25
Shkeljet e dispozitave të këtij ligji, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen si më poshtë:
1. Shkelja e dispozitave të parashikuara në nenin 6 pika 1 shkronja "a" dhe pika 3 shkronja "a", si dhe moszbatimi i masave referuar në nenin 10 shkronjat "dh" nënndarja "i" dhe "e" të këtij ligji, me gjobë 200 000 lekë;
2. Shkelja e dispozitave të parashikuara në nenin 6 pika 1 shkronja "b", pika 2 shkronja "b", pikat 6 e 7, në nenin 10 shkronjat "c", "dh" nënndarja "ii" dhe "f" të këtij ligji, me gjobë 1 për qind të xhiros vjetore totale të vitit financiar paraardhës, por jo më pak se 300 000 lekë.
3. Shkelja e dispozitave të parashikuara në nenin 6 pikat 8 e 9 të këtij ligji, me gjobë 2 për qind të xhiros vjetore të vitit financiar paraardhës, por jo më pak se 400 000 lekë;
4. Shkeljet e dispozitave të parashikuara në nenin 4 pika 1, si dhe moszbatimi i masave referuar në nenet 10 shkronjat "a" e "b" dhe 21 të këtij ligji me gjobë 3 për qind të xhiros vjetore të vitit financiar paraardhës, por jo më pak se 500 000 lekë.
5. Shkelja e dispozitave apo moszbatimi i masave referuar në nenin 6 pika 4 shkronja "c" dhe pika 5, në nenin 14 pika 1, në nenin 19, në nenin 20 pika 1 dhe në nenin 22 të këtij ligji, me gjobë 300 000 lekë.
6. Shkelja e masave të parashikuara në nenin 13 të këtij ligji me gjobë 300 000 lekë.
Neni 26
Shkeljet me karakter administrativ verifikohen dhe dënohen nga struktura përgjegjëse.
Neni 27
Inspektori/inspektorët i/e autorizuar, që ka/kanë kryer kontrollin, merr/marrin vendim brenda 30 ditëve pune nga data e njoftimit të procesverbalit operatorit ekonomik që ka kryer shkeljen.
Neni 28
Ankimi
1. Ankimi administrativ kundër vendimit për shkeljen administrative paraqitet dhe shqyrtohet sipas parashikimeve të Kodit të Procedurave Administrative.
2. Ankimi administrativ kundër vendimit që parashikon dënim me gjobë, si dhe masa të tjera shoqëruese, të parashikuara në nenet 10 dhe 11 të këtij ligji, nuk pezullon zbatimin e vendimit për masat shoqëruese.
3. Ankimi administrativ shqyrtohet nga Komisioni i Shqyrtimit të Vendimit për Shkeljen Administrative, i krijuar brenda strukturës përgjegjëse, i cili ka në përbërje nëpunës të pavarur nga ata të përfshirë në marrjen e vendimit të ankimuar.
4. Përbërja e Komisionit të Shqyrtimit të Vendimit për Shkeljen Administrative miratohet/përcaktohet me urdhër të ministrit.
5. Ngarkohet Këshilli i Ministrave për nxjerrjen e rregullores për organizimin dhe funksionimin e Komisionit të Shqyrtimit të Vendimit për Shkeljen Administrative.
6. Kundër vendimit të dhënë nga Komisioni i Shqyrtimit të Vendimit për Shkeljen Administrative, operatori ekonomik mund të bëjë ankim në gjykatë brenda 30 ditëve.
Neni 29
Ekzekutimi i vendimit
1. Vendimi për kundërvajtjen administrative përbën titull ekzekutiv dhe ekzekutohet nga shërbimi përmbarimor.
2. Vendimi bëhet i ekzekutueshëm kur e drejta për ankim nuk është ushtruar brenda afateve kohore të parashikuara sipas këtij ligji ose në momentin e nxjerrjes së vendimit përfundimtar nga Komisioni i Shqyrtimit të Vendimit për Shkeljen Administrative.
Neni 30
Të ardhurat nga gjobat
Të ardhurat, që burojnë nga vjelja e gjobave, derdhen në Buxhetin e Shtetit.
KREU V DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
Neni 31
Dispozitë kalimtare
Deri në krijimin e strukturës përgjegjëse për mbikëqyrjen e tregut, sipas nenit 9 të këtij ligji, ngarkohet Inspektorati Qendror Teknik për mbikëqyrjen e zbatimit të këtij ligji.
Neni 32
Kërkesat e këtij ligji për sigurinë e përgjithshme të produkteve kanë epërsi mbi çdo dispozitë të ligjeve apo akteve nënligjore të tjera që bien në kundërshtim me këtë ligj.
Neni 33
Shfuqizime
Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, ligji nr.9779, datë 16.7.2007 "Për sigurinë e përgjithshme, kërkesat thelbësore dhe vlerësimin e konformitetit të produkteve joushqimore", shfuqizohet.
Neni 34
Aktet nënligjore
Ngarkohet Këshilli i Ministrave për nxjerrjen e akteve nënligjore në zbatim të neneve 5 pika 1, 9 pika 2, 12, 13 dhe 28 pika 5 të këtij ligji.
Neni 35
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Shpallur me dekretin nr.7170, datë 1.12.2011 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi