You are here: Faqja E PareLegjislacioni ShqipetarLigje e VendimePËR SIGURIMET SHËNDETËSORE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË


PËR SIGURIMET SHËNDETËSORE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË

L I G J

Nr.7870, datë 13.10.1994

PËR SIGURIMET SHËNDETËSORE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË

Në mbështetje të nenit 16 të ligjit nr.7491, datë 29.4.1991

"Për dispozitat kryesore kushtetuese", me propozim të Këshillit të Ministrave,

KUVENDI POPULLOR I REPUBLIKËS SE SHQIPËRISË

V E N D O S I :

I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1

Përkufizime

Termat:

"Shtetas" përfshin gjithë shtetasit e Republikës së Shqipërisë.

"Persona ekonomikisht aktivë" përfshin gjithë personat e punësuar, të vetëpunësuarit, punëdhënësit dhe personat me të ardhura të rregullta nga pronat, pasuria e patundshme ose burime të tjera të krahasueshme.

"Persona të punësuar" përfshin gjithë personat e punësuar me ose pa kontratë pranë një punëdhënësi.

"Punëdhënës" përfshin gjithë personat fizikë e juridikë që marrin në punë persona të tjerë me ose pa kontratë.

"Punonjës i papaguar i familjes" përfshin anëtarët e familjes mbi 16 vjeç që punojnë e bashkëjetojnë me të vetëpunësuarin dhe nuk kanë ndonjë punësim tjetër.

"Punonjës të huaj" përfshin gjtihë shtetasit e huaj që punojnë në Shqipëri.

"Kontribut" përfshin gjithë paratë që derdhen në favor të ISKSH (Institutit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor).

"Mjek i përgjithshëm" është mjeku i diplomuar, i pajisur me licencë për ushtrimin e profesionit, i cili i jep popullsisë kujdesin shëndetësor, parësor dhe të vazhdueshëm, pavarësisht nga mosha, seksi ose sëmundja.

"Mjek i familjes" është mjeku i diplomuar dhe i specializuar si mjek familjeje, i pajisur me licencë për ushtrimin e profesionit, i cili i jep popullsisë kujdesin shëndetësor, parësor dhe të vazhdueshëm, pavarësisht nga mosha, seksi ose sëmundja.

"Shërbimi nga mjeku i përgjithshëm ose i familjes" përfshin vizitën dhe trajtimet e para të thjeshta të kryera nga vetë mjeku i përgjithshëm ose i familjes.

Neni 2

Ky ligj rregullon financimin e kujdesit shëndetësor.

Neni 3

Financimi i kujdesit shëndetësor

Kujdesi shëndetësor financohet nga:

a) sigurimet shëndetësore të detyrueshme;

b) shteti;

c) pagesat e drejtpërdrejta të shtetasve;

ç) sigurimet shëndetësore vullnetare suplementare.

Neni 4

Sigurimet shëndetësore të detyrueshme

1. Sigurimi shëndetësor i detyrueshëm mbulon gjithë shtetasit e Republikës së Shqipërisë me banim të përhershëm në Shqipëri, si dhe të huaj e të punësuar e të siguruar në Shqipëri.

2. Sigurimet shëndetësore të detyrueshme janë një sistem jofitimprurës që mbulojnë:

a) një pjesë të çmimit të barnave në rrjetin e hapur farmaceutik;

b) shpenzimet e shërbimit nga mjeku i përgjithshëm ose i familjes për gjithë shtetasit në Shqipëri që kanë derdhur kontribute.

3. Sigurimet shëndetësore të detyrueshme sigurohen nga një institut shtetëror i pavarur - Instituti i Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor (më poshtë do të quhet ISKSH) dhe mbulojnë një pjesë të çmimit të barnave kryesore të listës së miratuar nga Këshilli i Ministrave dhe shpenzimet e shërbimit nga mjeku i përgjithshëm ose i familjes. Masa e mbulimit përcaktohet çdo vit nga Këshilli i Ministrave.

4. Kontributet paguhen nga shtetasit ekonomikisht aktivë dhe shteti.

Punëdhënësit marrin pjesë në kontributet që paguhen nga vetë ata dhe nga punonjësit e tyre. Shteti kontribuon në ISKSH për popullsinë ekonomikisht joaktive dhe për kategori të tjera sipas nenit 8, pika 2 dhe 3 të këtij ligji.

Neni 5

Kujdesi shëndetësor shtetëror

Shteti financon:

a) masat shëndetësore parandaluese;

b) vizitën dhe ekzaminimet për qëllime diagonistikimi nga specialisti, kujdesin shëndetësor spitalor, si dhe raste të tjera të përcaktuara me ligj;

c) shërbimet e urgjencës;

ç) investimet.

Shteti kontribuon sipas nenit 34 të këtij ligji.

Shërbimet e urgjencës për rastet e jashtëzakonshme, si aksidente masive, epidemi dhe fatkeqësi natyrore, organizohen nga bashkitë dhe komunat me mbështetjen e qeverisë për financimin e tyre. Për shërbime të tilla shpenzimet mbulohen sipas kritereve të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave.

Neni 6

Pagesat e drejtpërdrejta të shtetasve

Me pagesë të drejtpërdrejtë të shtetasve kuptojmë pagesën direkte të një pjese të çmimit të barnave në përpjesëtim me shumën e paguar nga ISKSH, sipas pikës 2, të nenit 4 të këtij ligji.

Neni 7

Sigurimet shëndetësore vullnetare suplementare

1. Shtetasit mund të sigurojnë veten dhe familjet e tyre vullnetarisht me skema të sigurimeve suplementare për mjekimet me kosto të larta, që nuk mbulohen nga sigurimet e detyrueshme ose për përfitime të tjera shtesë. Shtetasit mund të futen në sigurimet shëndetësore vullnetare suplementare për të mbuluar pagesën e tyre të drejtpërdrejtë për barnat, çmimet e protezave dhe të xhamave optike, shërbimet dentare dhe shërbimet e tjera ambulatore, që nuk mbulohen nga sigurimet e detyrueshme. Sigurimet vullnetare gjithashtu mund t'i sigurojnë shtetasve shqiptarë mbulimin e shpenzimeve të mjekimit jashtë shtetit.

2. Sigurimet shëndetësore vullnetare suplementare organizohen nga:

a) ISKSH;

b) Shoqatat e ndihmës së ndërsjelltë të themeluara për këtë qëllim, si dhe

c) shoqëritë tregtare të sigurimit.

Për pikat b dhe c të këtij paragrafi është e domosdoshme që këto subjekte të jenë të regjistruara në gjykatë, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

3. Sigurimi vullnetar nuk subvencionohet nga shteti.

4. Këshilli i Ministrave cakton një organ që:

a) kontrollon veprimtarinë e shoqërive të sigurimeve vullnetare suplementare;

b) mbron interesat e personave të siguruar kundrejt pasojave të abuzimeve financiare të siguruesit;

c) vendos rregullat për shoqëritë e ndihmës së ndërsjelltë, të cilat janë themeluar për sigurimet shëndetësore suplementare.

II. SUBJEKTET PERGJEGJES PER TE PAGUAR KONTRIBUT

Neni 8

1. Personat ekonomikisht aktivë, të punësuar e të vetëpunësuar në fshat e në qytet, punonjësit e papaguar të familjes dhe persona të tjerë me të ardhura të rregullta nga

pronësia, sipas përcaktimit të Këshillit të Ministrave, janë të detyruar të kontribuojnë në ISKSH.

2. Shteti kontribuon për personat joaktivë si:

a) fëmijët, nxënësit dhe studentët me shkëputje nga puna;

b) pensionistët

c) të paaftët (mendorë dhe fizikë);

ç) të papunët;

d) personat që trajtohen me ndihmë ekonomike dhe asistencë sociale

dh) nënat me leje lindjeje;

e) shtetasit që kryejnë shërbimin ushtrak të detyruar.

3. Këshilli i Ministrave ka të drejtë të specifikojë grupe të tjera shtetasish, për të cilët duhet të kontribuojë shteti, sipas pikës 2 të këtij neni.

Neni 9

Detyrime për të paguar kontribute

Kontributet paguhen nga:

a) të punësuarit dhe punëdhënësit e tyre;

b) persona të tjerë ekonomikisht aktivë;

c) shteti.

III. KONTRIBUTET

Neni 10

1. Kontributet llogariten:

a) Në përqindje mbi pagën për:

- personat e punësuar;

- të huajt e punësuar në Shqipëri.

b) Në masë fikse për:

- të vetëpunësuarit (shqiptarë dhe të huaj në Shqipëri) dhe punëdhënësit;

- punonjësit e papaguar të familjes.

c) Në masë fikse për:

- pjesën që derdhet nga buxheti i shtetit, sipas nenit 34.

2. Kontributi sipas gërmës "a" të pikës 1 të këtij neni është 3.4 për qind e pagës bruto, duke pasur si pagë minimale e maksimale atë të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave për

kontributet e sigurimeve shoqërore. Pagesa e këtij kontributi ndahet në mënyrë të barabartë ndërmjet punëdhënësit dhe të punësuarit.

3. Kontributi sipas gërmës "b" pikës 1 të këtij neni është:

- për të vetëpunësuarit, punëdhënësit dhe punonjësit e papaguar të familjes në qytet 7 për qind e pagës minimale, siç përcaktohet në pikën 2 të këtij neni;

- për të vetëpunësuarit dhe punëtorët e papaguar të familjes në fshat kontributi është: në zonën fushore 5 për qind të pagës minimale dhe 3 për qind të pagës minimale për zonën

kodrinore-malore, duke pasur për bazë atë të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave për sigurimet shoqërore.

4. Ministri i Shëndetësisë për raste të veçanta ka të drejtë ta ulë masën fikse të kontributit për:

a) punonjësit e papaguar të familjes;

b) disa kategori të bujqëve të vetëpunësuar.

Neni 11

1. Kontributet paguhen çdo muaj. Afati i derdhjes është jo më vonë se fundi i muajit të ardhshëm. Punëdhënësi është i detyruar të zbresë nga paga kontributin për punëmarrësin dhe ta derdhë atë në ISSH (Instituti i Sigurimeve Shoqërore), së bashku me kontributin e tij. ISSH është përgjegjës për transferimin e kontributeve në ISKSH.

2. Personat e vetëpunësuar dhe punëdhënësit me më pak se 3 punëtorë paguajnë kontributet dhe i derdhin ato në ISSH çdo tremujor, sipas afateve të derdhjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.

Personat e vetëpunësuar janë të detyruar të paguajnëkontribute për vete dhe për anëtarët e familjes që ata punësojnë.

3. Bujqit e vetëpunësuar paguajnë kontributet e tyre dhe të anëtarëve të familjes mbi 16 vjeç që ata punësojnë, dy herë në vit, sipas vendimit të Këshillit të Ministrave.

Neni 12

Sanksionet

1. Të gjithë të siguruarit janë të detyruar të regjistrohen në ISSH për efekt të sigurimeve shëndetësore. Regjistrimi i të punësuarve bëhet nga punëdhënësit e tyre. Mosregjistrimi dënohet me gjobë sa dyfishi i kontributit për gjithë periudhën e mosregjistrimit.

2. Për vonesa në pagesën e kontributeve paguhet një kamatë me 0.5 për qind për çdo ditë vonesë.

3. Për vonesa prej 1 muaji në pagesën e kontributeve i hiqet e drejta shtetasit për mbulimin e çmimit të barnave dhe të shpenzimeve të shërbimit nga mjeku i përgjithshëm ose i familjes për periudhën e vonesës. Gjobat vendosen nga inspektorët e sigurimeve shoqërore dhe ekzekutimi i tyre bëhet në përputhje me ligjin "Për kundërvajtjet

administrative".

IV. PERFITIMET

Neni 13

I siguruari përfiton mbulimin e:

a) një pjese të çmimit të barnave sipas pikës 3, neni 4, të këtij ligji;

b) shpenzimeve të shërbimit nga mjeku i përgjithshëm dhe mjeku i familjes.

Neni 14

Mbulimi i shpenzimeve

Shpenzimet e shërbimit nga mjeku i përgjithshëm ose i familjes mbulohen në varësi nga numri i personave të regjistruar te ky mjek. Rregullat për përcaktimin e masës së shpërblimit të punës vendosen nga Këshilli i Ministrave.

Neni 15

Masa e mbulimit të çmimit të barnave

1. Masa e mbulimit të çmimeve të barnave të listës kryesore përcaktohet çdo vit nga ISKSH me miratim të Këshillit të Ministrave.

2. Atje ku ka më shumë barna alternative për t'u përdorur në një rast, me të njëjtin efekt, ISKSH mbulon çmimin e më pak të kushtueshmit. Më të kushtueshmit mund të sigurohen vetëm sipas kushteve të përcaktuara nga këshilli administrativ i ISKSH.

Neni 16

Kufizimet

ISKSH nuk mbulon çmimin e protezave dhe të syzeve optike, si dhe nuk siguron asnjë shpenzim tjetër shëndetësor, me përjashtim të atyre të parashikuara në këtë ligj dhe të

përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.

V. ORGANIZIMI DHE DREJTIMI

Neni 17

Sigurimet shëndetësore në Republikën e Shqipërisë organizohen e drejtohen nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor. ISKSH është një institucion shtetëror i pavarur, i

cili ka administratën e vet, në qendër e në rreth.

Neni 18

Statuti

Organizimi dhe veprimtaria e ISKSH drejtohen mbi bazën e një statuti të miratuar nga Këshilli i Ministrave, me propozim të Ministrisë së Shëndetësisë dhe ISKSH.

Neni 19

Drejtimi

ISKSH drejtohet nga:

a) këshilli administrativ;

b) drejtori i përgjithshëm.

Neni 20

Këshilli Administrativ

1. Këshilli Administrativ është organi më i lartë ekzekutiv dhe përbëhet nga 11 anëtarë, prej të cilëve:

a) Tre anëtarë të caktuar nga Këshilli i Ministrave, që përfaqësojnë:

- Ministrinë e Shëndetësisë;

- Ministrinë e Punës, Emigracionit dhe Përkrahjes Sociale;

- Ministrinë e Financave dhe

Një anëtar nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore

Një anëtar nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor.

b) Dy përfaqësues: një nga sindikata që ka numrin më të madh të anëtarëve dhe një nga organizata më e madhe e bujqve.

c) Katër përfaqësues të palëve të interesuara: një nga urdhri i mjekëve, një nga një organizatë punëdhënësish, një nga prodhuesi më i madh farmaceutik në Shqipëri dhe një nga shoqata e farmacistëve.

2. Këshilli i Ministrave deklaron se cila sindikatë, organizatë bujqish e punëdhënësish është më e madhja dhe cili është prodhuesi më i madh farmaceutik, që emërojnë përfaqësuesit e tyre në Këshillin Administrativ.

3. Sipas deklarimeve të Këshillit të Ministrave, organizatat e mësipërme emërojnë anëtarët e Këshillit Administrativ. Afati i shërbimit në këshill është 4 vjet.

Neni 21

Kryesia e Këshillit Administrativ

Këshilli Administrativ zgjedh me votim të fshehtë kryetarin dhe dy zëvendëskryetarët e tij.

Neni 22

Kompetencat e Këshillit Administrativ

Këshilli Administrativ ka këto kompetenca:

a) Propozon emërimin dhe shkarkimin e drejtorit të përgjithshëm.

b) Miraton për çdo vit programin e paraqitur nga drejtori i përgjithshëm, raportin, bilancin, buxhetin vjetor dhe perspektivat trevjeçare të skemës së sigurimeve shëndetësore.

c) Propozon në Ministrinë e Shëndetësisë dhe në ISSH ndryshimet në statutin e ISKSH dhe në ligjin e sigurimeve shëndetësore;

ç) Vendos për lidhjen e marrëveshjeve dhe kontratave të rëndësishme.

d) Miraton rregulloret e propozuara nga drejtori i përgjithshëm, që kanë të bëjnë me çështje financiare.

dh) Miraton komitetin e kontrollit për veprimtarinë e ISKSH.

e) Miraton rregulloret e ISKSH lidhur me organizimin, administrimin dhe procedurat administrative, kur është ngarkuar nga ky ligj.

ë) përcakton dhe miraton strukturën dhe numrin e punonjësve të ISKSH, si dhe pagat e tyre.

Neni 23

Kompetencat e drejtorit të përgjithshëm

Drejtori i përgjithshëm i ISKSH emërohet dhe shkarkohet nga Ministri i Shëndetësisë dhe i Mbrojtjes së Ambientit me propozim të Këshillit Administrativ dhe:

a) drejton veprimtarinë e ISKSH;

b) raporton çdo vit për veprimtarinë e ISKSH në Këshillin Administrativ;

c) emëron zëvendësdrejtorin e përgjithshëm dhe drejtorët e ISKSH;

ç) përcakton rregulloren e brendshme të ISKSH;

d) emëron punonjësit e ISKSH dhe kryetarët e degëve në rrethe,

dh) vendos për të gjitha çështjet e administrimit të ISKSH

dhe raporton para këshillit administrativ për veprimtarinë e tij;

e) propozon në këshillin administrativ buxhetin e ISKSH, planin financiar dhe paraqet raportin vjetor, parashikimin për tre vjet dhe rregulloret e ISKSH lidhur me kontributet dhe problemet financiare.

Neni 24

Ministri i Shëndetësisë

1. Ministri i Shëndetësisë është përgjegjës për drejtimin e politikës shëndetësore të ISKSH. Këshilli Administrativ i paraqet ministrit të Shëndetësisë:

a) raportin vjetor dhe bilancin;

b) projektbuxhetin për vitin pasardhës;

c) parashikimin e shpenzimeve për tre vjetët e ardhshëm.

2. Ministri i Shëndetësisë, në bazë të propozimit të Këshillit Administrativ të ISKSH, shqyrton:

a) amendamente në ligjin e sigurimeve shëndetësore;

b) projektvendime për në Këshillin e Ministrave;

c) akte të tjera nënligjore.

Neni 25

Instituti i Sigurimeve Shoqërore

1. Instituti i Sigurimeve Shoqërore është përgjegjës për:

a) mbledhjen e kontributeve për llogari të buxhetit të ISKSH;

b) regjistrimin e gjithë personave të siguruar sipas skemës së sigurimit të detyrueshëm të përcaktuar nga ky ligj dhe pajisjen me karta sigurimi.

2. Fondet e mbledhura derdhen në buxhetin e ISKSH brenda datës 15 të muajit të ardhshëm.

3. Instituti i Sigurimeve Shoqërore i paraqet çdo vit ISKSH një raport për veprimet e tij sipas këtij ligji.

VI. ADMINISTRIMI

Neni 26

Administrimi

Administrimi përfshin mbulimin e një pjese të çmimeve të barnave dhe të shërbimeve nga mjeku i përgjithshëm ose i familjes. ISKSH lidh kontratë me farmacitë private dhe mjekët e familjes ose të përgjithshëm privatë. Të gjitha farmacitë shtetërore dhe mjekët e familjes ose të përgjithshëm shtetërorë, konsiderohen automatikisht të kontraktuar.

Një pjesë e çmimit të barnave sipas nenit 15, pika 1, të këtij ligji dhe shpenzimet e shërbimeve nga mjeku i përgjithshëm ose i familjes, për farmacitë dhe mjekët e përgjithshëm a të familjes, që kanë kontratë me ISKSH, mbulohen nga buxheti i

ISKSH. ISKSH vepron nëpërmjet një rrjeti nëpunësish të rretheve. Për barnat, administratori i rrethit mbulon shpenzimet në bazë të dokumentacionit të shpenzimeve faktike mujore ose dyjavore të paraqitura nga farmacitë. Për mjekun e përgjithshëm ose të

familjes administratori i rrethit mbulon çdo muaj shpenzimet në bazë të numrit të personave të regjistruar te mjeku i përgjithshëm ose i familjes. Detyrat e administratorit përcaktohen në rregulloren e ISKSH. Procedurat e hollësishme të administrimit përcaktohen me akte të Këshillit të Ministrave.

Neni 27

Regjistrimi dhe identifikimi

1. Personat e siguruar me ligjin e Sigurimeve Shoqërore janë automatikisht:

a) të regjistruar për Sigurimet Shëndetësore Kombëtare;

b) përgjegjës për të paguar kontributet e sigurimeve shëndetësore.

2. Identifikimi i personave të tjerë që përshkruhen në nenin 8, pika 2, përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 28

Mbledhja e kontributeve

Për regjistrimin dhe mbledhjen e kontributeve për ISKSH zbatohen procedurat që përcaktohen në ligjin e sigurimeve shoqërore. ISSH i kryen këto veprimtari kundrejt një shpërblimi, masa e të cilit përcaktohet në aktmarrëveshjen e përbashkët ndërmjet ISSH dhe ISKSH. Në këtë marrëveshje përcaktohen dhe të drejtat e detyrat e secilës palë. Mosmarrëveshjet ndërmjetpalëve zgjidhen nga gjykata.

Neni 29

Pagesa e përfitimeve

Personat e punësuar dhe personat ekonomikisht aktivë kanë të drejtën e mbulimit të shpenzimeve që përcaktohen në këtë ligj, pasi të vërtetojnë se kanë paguar kontribute sipas afateve të përcaktuara në këtë ligj.

Pagesa e kontributeve vërtetohet nga një kartë sigurimi që u jepet:

a) personave të punësuar për periudhën e punësimit;

b) personave të vetëpunësuar dhe punëdhënësve.

Neni 30

Ankimet

1. Cilido subjekt i përshkruar në këtë ligj ka të drejtën e ankimit në ISKSH ndaj veprimeve të administratorit të ISKSH në rreth, që lidhen me mbulimin e shpenzimeve.

2. Ankimi kundër vendimit të ISKSH zgjidhet nga gjykata kompetente.

VII. FINANCIMI

Neni 31

Shteti garanton fondin e ISKSH në rast falimentimi.

Neni 32

Fondi rezervë

Çdo tejkalim i kontributeve mbi përfitimet ruhet në një fond rezervë, i cili përdoret sipas kritereve financiare të përcaktuara në statut.

Neni 33

Buxheti i ISKSH

1. Në buxhetin e ISKSH parashikohen të ardhurat, shpenzimet për barnat dhe për shërbimin nga mjeku i përgjithshëm ose i familjes dhe shpenzimet administrative. Për parashikimin e të ardhurave merret edhe mendimi i ISSH dhe i Ministrisë së

Financave.

2. Buxheti i ISKSH paraqitet nga Ministria e Shëndetësisë në Këshillin e Ministrave dhe në Kuvendin Popullor, së bashku me buxhetin e shtetit.

Neni 34

Kontributi i shtetit

Kontributi i shtetit për personat ekonomikisht joaktivë të përcaktuar në nenin 8, pika 2, bazohet në konsumin për frymë të shërbimit shëndetësor që parashikon ky ligj. Konsumi për frymë për shërbimin shëndetësor përcaktohet nga ISKSH dhe miratohet nga

Kuvendi Popullor, së bashku me buxhetin e shtetit. Për vitin e parë të zbatimit të ligjit, kontributi i shtetit në ISKSH është subvencioni i çmimeve të barnave dhe pjesa e planifikuar e fondit të pagës së mjekut të përgjithshëm nga buxheti i shtetit për

Ministrinë e Shëndetësisë.

IX. PROCEDURAT

Neni 35

1. ISKSH nxjerr udhëzime për procedurat që duhet të ndiqen për mbulimin e shpenzimeve.

2. ISSH nxjerr udhëzime lidhur me procedurat që duhet të ndiqen për regjistrimin dhe pagesën e kontributeve.

X. DISPOZITA PERFUNDIMTARE DHE TE TRANZICIONIT

Neni 36

Këshilli i Ministrave nxjerr aktet nënligjore për zbatimin e këtij ligji.

Neni 37

Skema hyn në fuqi më 1 mars 1995.

Neni 38

Çdo dispozitë që bie në kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohet.

Neni 39

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

L I G J

Nr.8005, datë 4.10.1995

PER NJE SHTESE NE LIGJIN NR.7870, DATE 13.10.1994

"PER SIGURIMET SHENDETESORE NE REPUBLIKEN E SHQIPERISE"

Në mbështetje të nenit 16 të ligjit nr.7491, datë 29.4.1991 "Për dispozitat kryesore kushtetuese", me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDI POPULLOR I REPUBLIKES SE SHQIPERISE

V E N D O S I:

Neni 1

Pas nenit 26 të ligjit nr.7870, datë 13.10.1994 "Për sigurimet shëndetësore në Republikën e Shqipërisë", shtohet neni 26/a me këtë përmbajtje:

"Farmacitë dhe mjekët e familjes ose të përgjithshëm për moszbatim të kontratës paguajnë gjobë në masën nga 1 000 deri në 10 000 lekë.

Gjobat vendosen nga specialistët dhe drejtuesit e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor dhe të degëve të varësisë së tij në rrethe. Ekzekutimi i tyre bëhet në përputhje me ligjin "Për kundërvajtjet administrative".

Neni 2

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Shpallur me dekretin nr.1259, datë 30.10.1995 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha

L I G J

Nr. 8961, datë 24.10.2002

PËR DISA SHTESA E NDRYSHIME NË LIGJIN NR.7870, DATË 13.4.1994 "PËR SIGURIMET SHËNDETËSORE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË", ME NDRYSHIMET PËRKATËSE

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

K U V E N D I I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

V E N D O S I:

Në ligjin nr.7870, datë 13.4.1994 "Për sigurimet shëndetësore në Republikën e Shqipërisë", ndryshuar me ligjin nr.8005, datë 4.10.1995, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

Neni 1

Në fund të nenit 1 shtohet një paragraf me këtë përmbajtje:

""Rrjeti i hapur farmaceutik" përfshin farmacitë dhe depot e barnave".

Neni 2

Shkronja "b" në pikën 2 të nenit 4 ndryshohet si vijon:

"b) shpenzimet e shërbimit nga mjeku i përgjithshëm ose i familjes, mjeku specialist, infermierët e shërbimit shëndetësor parësor për të gjithë të siguruarit".

Neni 3

Pas nenit 4 shtohen nenet 4/1 dhe 4/2 me këtë përmbajtje:

"Neni 4/1

Sigurimet shëndetësore vullnetare

Shtetasit mund të sigurohen vullnetarisht në skemat e sigurimeve vullnetare, kur për një kohë dhe shkaqe të arsyeshme nuk mund të sigurohen detyrimisht.

Sigurimi vullnetar, i parashikuar nga kjo dispozitë, bëhet në kushtet e përcaktuara nga Rregullorja e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor.

Neni 4/2

Sigurimet shëndetësore suplementare

1. Sigurimet shëndetësore suplementare janë një skemë e sigurimit të detyrueshëm për të punësuarit, sipas përcaktimit të bërë nga ligji nr.8097, datë 21.3.1996 "Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit".

2. Masa e kontributit që paguajnë personat e siguruar, në përputhje me nenin 5 të ligjit nr.8097, datë 21.3.1996, është 1 për qind e shumës bruto të listëpagesave.

3. Lloji dhe masa e përfitimeve dhe shërbimeve të mbuluara nga sigurimet shëndetësore suplementare caktohen me ligj të veçantë.".

Neni 4

Pikat 1 dhe 2 të nenit 12 ndryshohen si vijon:

"1. Të gjithë të siguruarit janë të detyruar të regjistrohen në ISSH për efekt të sigurimeve shëndetësore. Regjistrimi i të punësuarve bëhet nga punëdhënësi i tyre.

2. Mosregjistrimi i të siguruarve dhe vonesa në pagesën e kontributeve përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen përkatësisht:

a) mosregjistrimi me gjobë sa dyfishi i kontributit për të gjithë periudhën e mosregjistrimit;

b) për kontributet e derdhura jashtë afateve të caktuara, kamatëvonesa do të jetë:

- 0,05 për qind për ditë të shumës së papaguar të kontributeve, duke filluar nga dita kur pagesa duhej të ishte bërë, për rastet kur është bërë regjistrimi në organet e sigurimeve shoqërore;

- 0,1 për qind për ditë të shumës së papaguar të kontributeve, duke filluar nga dita kur pagesa duhej të ishte bërë, për rastet kur nuk është bërë regjistrimi në organet e sigurimeve shoqërore.".

Neni 5

Pas nenit 12 shtohen nenet 12/1 dhe 12/2 me këtë përmbajtje:

"Neni 12/1

Të punësuarit janë të detyruar të pranojnë kontrollin (verifikimin) nga specialistët e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor për shërbimet e përfituara.

Neni 12/2

Janë kundërvajtje administrative:

- Mospranimi i kontrollit nga specialistët e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor;

- përfitimet e padrejta, kur nuk përbëjnë vepër penale.

Shkeljet e mësipërme dënohen me:

a) gjobë deri në 5 000 lekë dhe shpërblimin e dëmit;

b) heqjen e së drejtës për përfitimin nga Sigurimet Shëndetësore deri në 1 muaj.

Gjobat vendosen nga specialistët e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor dhe ekzekutimi i tyre bëhet në përputhje me ligjin nr.7697, datë 7.4.1993 "Për kundërvajtjet administrative" me ndryshimet përkatëse."

Neni 6

Në nenin 14 fjalia e dytë ndryshohet si vijon:

"Rregullat për përcaktimin e masës së shpërblimit vendosen nga Këshilli Administrativ i ISKSH-së."

Neni 7

Në nenin 15 shtohet pika 1 shkronja "a" me këtë përmbajtje:

"Lista e barnave që rimbursohen hartohet nga një komision teknik i quajtur "Komisioni i Hartimit dhe Rishikimit të Listës së Barnave të Rimbursueshme" dhe nga "Komisioni i Çmimit të Barnave" (KÇB) të ngritur me urdhër të Ministrit të Shëndetësisë. Në këtë komision Shoqata e Grosistëve Farmaceutikë ka përfaqësuesin e saj. Kjo listë miratohet nga Këshilli i Ministrave me propozimin e Ministrit të Shëndetësisë.".

Neni 8

Në nenin 23, pas shkronjës "e" shtohet shkronja "ë" me këtë përmbajtje:

"ë) Përcakton dhe miraton strukturën e punonjësve të ISKSH-së, si dhe pagat e tyre.".

Neni 9

Shkronja "b" e pikës 1 të nenit 25 ndryshohet si vijon:

"b) regjistrimin e të gjithë personave të siguruar, sipas skemës së sigurimit të detyrueshëm dhe vullnetar, të përcaktuar nga ky ligj, dhe pajisjen me kartën e sigurimit dhe me numrin e identitetit.".

Neni 10

Në nenin 26 bëhen këto ndryshime e shtesa:

Paragrafi i dytë ndryshohet si vijon:

"ISKSH-ja lidh kontratë me farmacitë, depot e barnave dhe me mjekët e familjes që plotësojnë kriteret e vendosura nga Këshilli Administrativ. Kjo kontratë është kontratë mes palëve, ku parashikohen të drejtat dhe detyrimet reciproke.".

Në paragrafin e tretë, pas fjalës "farmacitë" shtohen fjalët "depot e barnave".

Neni 11

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Shpallur me dekretin nr. 3592, datë 10.12.2002 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë,

Alfred Moisiu

L I G J

Nr.9207, datë 15.3.2004

PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.7870, DATË 13.10.1994 "PËR SIGURIMET SHËNDETËSORE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË", I NDRYSHUAR

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

K U V E N D I I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

VENDOSI:

Në ligjin nr.7870, datë 13.10.1994 "Për sigurimet shëndetësore në Republikën e Shqipërisë", i ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

Neni 1

Në pikën 2 të nenit 4, pas shkronjës "b" shtohet shkronja "c" me këtë përmbajtje:

"c) të gjitha shërbimet e ekzaminimeve unikale, terciare dhe konsultat mjekësore të miratuara nga Këshilli i Ministrave.".

Neni 2

Neni 11 ndryshohet si më poshtë:

"Neni 11

1. Kontributet në fondin e sigurimeve shëndetësore paguhen çdo muaj. Afati i pagimit të kontributeve është jo më vonë se data 25 e muajit pasardhës. Punëdhënësi është i detyruar të mbajë nga paga kontributin për të punësuarin dhe ta derdhë atë së bashku me

kontributin e vet në organet tatimore ose në llogaritë e Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ose Instituti i Sigurimeve Shoqërore, sipas rastit, është përgjegjës për transferimin e kontributeve në Institutin e Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor.

2. Personat e vetëpunësuar paguajnë kontributet për veten dhe për punonjësit e papaguar të familjes dhe i derdhin në organin përkatës, sipas afateve të përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave.

3. Personi i detyruar për pagesën e kontributeve të sigurimeve shëndetësore dorëzon në organin përkatës përmbledhjen e kontributeve dhe deklaratën përkatëse të pagesës, në përputhje me kushtet dhe afatet e përcaktuara në pikat 1 e 2 të këtij neni.".

Neni 3

Pikat 1 dhe 2 të nenit 12 ndryshohen si më poshtë:

"1. Të gjithë personat e detyruar për të paguar kontribute për efekt të sigurimeve shëndetësore, regjistrohen në organet tatimore ose në Institutin e Sigurimeve Shoqërore, sipas rastit. Regjistrimi i të punësuarve bëhet nga punëdhënësi i tyre. Personi që ka detyrimin për të paguar kontributet pajis çdo punëmarrës ose punonjës të papaguar të familjes me numrin e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore dhe regjistron shumat e paguara për secilin gjatë periudhës në marrëdhënie pune, qofshin këto në të holla apo përfitime në natyrë.

2. Nëse pagimi i kontributeve nga personat e detyruar nuk bëhet brenda afatit, mbahen interesat për pagesë të vonuar. Masa e interesit është ajo e përcaktuar në ligjin nr.8560, datë 22.12.1999 "Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë" me ndryshimet përkatëse.".

Neni 4

Në pikën 1 të nenit 12/1 fjala "të punësuarve" zëvendësohet me fjalën "të siguruarve".

Neni 5

Nenet 12/1 e 12/2 bëhen përkatësisht 12/2 e 12/3, si dhe shtohet neni 12/1 me këtë përmbajtje:

"Neni 12/1

Kur nuk përbëjnë vepër penale, shkeljet e mëposhtme përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen me gjobë si më poshtë:

a) për mosregjistrimin e veprimtarisë ekonomike në organet përgjegjëse për mbledhjen e kontributeve punëdhënësi gjobitet me 60 000 (gjashtëdhjetë mijë) lekë, ndërsa i vetëpunësuari me 20 000 (njëzet mijë) lekë;

b) çdo person tjetër, që detyrohet të paguajë kontributet, por që nuk regjistrohet në organin përkatës gjobitet me 20 000 (njëzet mijë) lekë;

c) punëdhënësi, që dorëzon me vonesë deklaratën e kërkuar sipas këtij ligji, gjobitet me 10 për qind të shumës së kontributit të deklaruar me vonesë, por jo më pak se 10 000 (dhjetë mijë) lekë;

ç) çdo person tjetër i detyruar të paguajë kontributet, që dorëzon me vonesë deklaratën e kërkuar, sipas këtij ligji, gjobitet me 10 000 (dhjetë mijë) lekë;

d) punëdhënësi, që deklaron kontribute më të ulëta gjobitet me 50 për qind të shumës së kontributit të padeklaruar;

dh) punëdhënësi, që ua mban kontributet punonjësve, por nuk i paguan ato në organet përkatëse, gjobitet me 50 për qind të shumës së kontributit të papaguar për çdo muaj;

e) punëdhënësi, që nuk mban regjistrimet në përputhje me pikën 1 të nenit 12, gjobitet me 30 000 (tridhjetë mijë) lekë.

Në çdo rast gjobat paguhen bashkë me kontributet dhe interesat përkatës.

Vendosja e gjobave dhe ankimimi i tyre bëhen në përputhje me ligjin nr.8560, datë 22.12.1999 "Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë", i ndryshuar.".

Neni 6

Pas shkronjës "b" të nenit 13 shtohet shkronja "c" me këtë përmbajtje:

"c) të gjitha shërbimeve të ekzaminimeve unikale, terciare dhe konsultat mjekësore të miratuara nga Këshlli i Ministrave.".

Neni 7

Në fund të nenit 14 shtohet një paragraf me këtë përmbajtje:

"Tarifa e shërbimeve të parashikuara në nenin 4 pika 2 shkronja "c", masa e mbulimit nga sigurimet shëndetësore dhe procedurat për mbulimin e shpenzimeve përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.".

Neni 8

Neni 28 ndryshohet si më poshtë:

"Neni 28

Mbledhja e kontributeve të sigurimeve shëndetësore i kalon si funksion Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve në përputhje me fazat e përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave. Personat që kanë detyrimin për të paguar kontributet do të vazhdojnë të derdhin kontributet e sigurimeve shëndetësore bashkë me kontributet e sigurimeve shoqërore në Institutin e Sigurimeve Shoqërore, deri në çastin që, me vendim të Këshillit të Ministrave, mbledhja e kontributeve do të bëhet nga organet tatimore.".

Neni 9

Fjalia e parë e pikës 1 të nenit 33 ndryshohet si më poshtë:

"Në buxhetin e ISKSH-së parashikohen të ardhurat, shpenzimet për barnat, për shërbimin nga mjeku i përgjithshëm ose i familjes, për të gjitha shërbimet e ekzaminimeve unikale, terciare dhe konsultat mjekësore të miratuara nga Këshilli i Ministrave, si dhe shpenzimet administrative."

Neni 10

Pika 2 e nenit 35 ndryshohet si më poshtë:

"2. ISSH-ja nxjerr udhëzimet përkatëse për procedurat e regjistrimit dhe të pagesës së kontributeve për subjektet që do të vazhdojnë t’i derdhin kontributet në këtë institucion.".

Neni 11

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Shpallur me dekretin nr.4192, datë 5.4.2004 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu

LIGJ

Nr.9368, datë 7.4.2005

PËR NJË SHTESË NË LIGJIN NR.7870, DATË 13.10.1994 "PËR SIGURIMET SHËNDETËSORE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË", I NDRYSHUAR

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave

KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

VENDOSI:

Në ligjin nr.7870, datë 13.10.1994 "Për sigurimet shëndetësore në Republikën e Shqipërisë", i ndryshuar, bëhet shtesa si më poshtë:

Neni 1

Në nenet 4 pika 2 shkronja "c", 13 shkronja "c" dhe 33 fjalia e parë, pas fjalës "ekzaminimeve" shtohen fjalët "dhe trajtimeve mjekësore".

Neni 2

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Shpallur me dekretin nr.4546, datë 29.4.2005 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë Alfred Moisiu

LIGJ

Nr.10 043, datë 22.12.2008

Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.7870, datë 13.10.1994 "Për sigurimet shëndetësore në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDI I REPUBLIKES SE SHQIPERISE

VENDOSI:

Në ligjin nr.7870, datë 13.10.1994 "Për sigurimet shëndetësore në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar, bëhen këto ndryshime e shtesa:

Neni 1

Në nenin 4 bëhen këto ndryshime:

1. Shkronja "c" e pikës 2 ndryshohet si më poshtë:

"c) shërbimet shëndetësore spitalore, të miratuara nga Këshilli i Ministrave".

2. Në fjalinë e parë të pikës 3, pas fjalëve "ose i familjes" shtohen fjalët "shpenzimet e shërbimeve shëndetësore spitalore".

Neni 2

Në nenin 13, shkronja "c" ndryshohet si më poshtë:

"c) shërbimet shëndetësore spitalore, të miratuara nga Këshilli i Ministrave".

Neni 3

Në nenin 26 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Paragrafi i parë ndryshohet si më poshtë:

"Administrimi përfshin mbulimin e një pjese të çmimit të barnave, të shërbimit shëndetësor parësor, si dhe të shërbimeve shëndetësore spitalore.".

2. Në fund të nenit shtohet një paragraf me këtë përmbajtje:

"ISKSH-ja, nëpërmjet drejtorive rajonale, lidh kontratë me drejtuesit e spitaleve, të cilët janë përgjegjës për përmbushjen e detyrimeve kontraktore, në kuadër të financimit të shërbimit spitalor nga skema e sigurimeve shëndetësore.".

Neni 4

Në nenin 33 pika 1, fjalia e parë ndryshohet si më poshtë:

"Në buxhetin e ISKSH-së parashikohen të ardhurat, shpenzimet për barnat, shpenzimet për shërbimin shëndetësor parësor, shpenzimet për shërbimet shëndetësore spitalore, të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave, si dhe shpenzimet administrative. ".

Neni 5

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Shpallur me dekretin nr.5985, datë 29.12.2008 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë,

Bamir Topi

Kontaktim i Shpejte

Ju mund te hyni ne lidhje direkte me ne. JU LUTEMI TI PERGJIGJENI DHE PYETJES TONE KJO PER EFEKTE SIGURIE.
Email:
Subject:
Message:
Sa kembe ka njeriu ?

Ne ndiqni ne Facebook